Befason eksperti i OBSH-së: Ne me të vërtetë nuk e dimë se çfarë është coronavirusi
Epidemiologët kryesorë në botë janë përqendruar në zhdukjen e kërcënimit nga coronavirusi, para se të zhvillohet një pandemi.
Por, kur raportohet se tanimë janë infektuar më shumë se 80 mijë në të gjithë botën dhe të paktën 3,048 kanë vdekur, shumë pyetje në lidhje me virusin vrasës mbeten pa përgjigje, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sipas dr. Srinivas Murthy nga “University of British Columbia” në Kanada, OBSH është e përqendruar aktualisht në përpjekjen për të kuptuar se çfarë lloj rreziku paraqet ky virus.
"Unë shërbej si bashkëdrejtues i temës së hulumtimit, për rafinimin dhe zbatimin e një numri përparësish në lidhje me menaxhimin klinik të shpërthimit të coronavirusit”, ka thënë ai.
“Së pari ne po kërkojmë të ridefinojmë rolin e sëmundjes, megjithëse duket amatoreske, ne me të vërtetë nuk e dimë se çfarë është realisht kjo sëmundje, çka mund të shkaktojë gjerësisht, kush preket, dhe pse një individi me sëmundje ekzistuese i përkeqësohet gjendja edhe më shumë”, është shprehur Murthy.
“Së dyti, OBSH dëshiron të mësojë se si mund t’i ndihmojmë pacientët e infektuar, dhe së treti hulumtimi është i përqendruar se si të kuptojmë kur një pacient shërohet me të vërtetë nga sëmundja”, ka thënë ndër tjerash ai.
Kujtojmë se virusi i cili shpërtheu në provincën Hubei të Kinës në dhjetorin e kaluar, ka pësuar shtrirje në vende të ndryshme të botës vetëm në muajt e fundit, ndërkaq përveç Kinës, në listën e vendeve më të prekura gjenden edhe Italia, Koreja e Jugut dhe Irani. /Telegrafi/


