Please enter at least 3 characters.

BE miraton paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, ndër më të ashprat deri më sot

Bashkimi Evropian ka miratuar paketën e 20-të të sanksioneve ndaj Rusisë, e cila konsiderohet ndër më të rreptat e viteve të fundit, duke goditur sektorët e financës, energjisë, teknologjisë dhe logjistikës.

Masat e reja përfshijnë ndalimin e shitjes së anijeve cisternë drejt Rusisë, si dhe ndalimin e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes për tankerët rusë dhe akullthyesit e gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Po ashtu, BE ka vendosur kufizime të plota për transaksionet me 20 banka ruse dhe ka ndaluar ofrimin e shërbimeve të sigurisë kibernetike.

Në sektorin energjetik, sanksionet përfshijnë kufizime në operimet me disa porte strategjike, përfshirë Murmansk dhe Tuapse, si dhe ndalim të shërbimit të terminaleve të LNG-së në Rusi nga viti 2027.

Paketa forcon gjithashtu kontrollin mbi tregtinë e diamanteve, duke kërkuar prova të origjinës për të siguruar që ato nuk lidhen me Rusinë. Në të njëjtën kohë, BE ka vendosur kufizime edhe për importin e amoniakut.

Një pjesë e rëndësishme e masave lidhet me teknologjinë dhe kriptovalutat. BE ndalon plotësisht shërbimet dhe platformat ruse të kriptovalutave, përfshirë operacionet me RUBx dhe mbështetjen për monedhën digjitale ruse. Gjithashtu, janë vendosur sanksione ndaj një subjekti në Kirgistan të lidhur me tregtimin e kriptovalutave.

Sanksionet shtrihen edhe në nivel ndërkombëtar, duke prekur 16 kompani nga Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistani, Kazakistani dhe Bjellorusia, si dhe 60 kompani të tjera nga disa vende për furnizim me mallra me përdorim të dyfishtë për Rusinë.

BE ka ndaluar gjithashtu eksportin e makinave CNC dhe pajisjeve radio drejt Kirgistanit, për shkak të rrezikut të rieksportit në Rusi.

Në fushën e medias, ndalimi i transmetimeve është zgjeruar duke përfshirë edhe faqet “mirror” të mediave ruse të ndaluara më parë.

Për herë të parë, një kompani shtetërore kineze është sanksionuar për përfshirje në prodhimin e pajisjeve ushtarake bjelloruse.

Gjithashtu, BE ka vendosur sanksione ndaj 36 kompanive të sektorit të naftës në Rusi dhe ka shtuar 46 anije të tjera në listën e ndalimit të hyrjes në portet evropiane, duke e çuar numrin total të anijeve të sanksionuara në 632. /Telegrafi/