BDI: VLEN për ta mbuluar mospasjen e legjitimitetit etnik, zgjedh shpifjet
Nga BDI akuzojnë VLEN-in duke thënë se kur nuk kanë argumente për të mbrojtur dështimet e tyre, VLEN zgjedh shpifjet dhe sulmet ndaj BDI-së.
"Vetë ministri Goran Minçev deklaroi se Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat mund të miratohet edhe me “Badenter të vogël”, ndërsa Izet Mexhiti u detyrua t’i bëjë thirrje opozitës shqiptare që ta mbështesë ligjin. Kjo është prova më e qartë se VLEN nuk e ka legjitimitetin etnik, nuk i ka votat e nevojshme për ligjet që votohen me badenter por i ka vetëm mashtrimet dhe shpifjet".
"Në vend që të japë përgjigje pse ligji nuk përmban mekanizma të detyrueshëm, sanksione dhe garanci për zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, VLEN përpiqet ta zhvendosë debatin me akuza politike ndaj BDI-së. BDI nuk do të votojë një ligj që e lë përfaqësimin e drejtë në mëshirën e metodologjive që Qeveria do t’i hartojë post festum. Të mbrosh Marrëveshjen e Ohrit dhe garancitë kushtetuese nuk është bllokadë, por përgjegjësi politike dhe kombëtare".
"Ironia është se ata që sot akuzojnë BDI-në për pengim, janë po ata që dje premtuan një mekanizëm më të fortë se Balancuesi, ndërsa sot kanë propozuar një ligj më të dobët se Balancuesi. VLEN nuk mund ta mashtrojë opinionin duke e paraqitur refuzimin e një ligji të mangët si sulm ndaj interesave shqiptare. Interesat shqiptare nuk mbrohen me propagandë, por me ligje që ofrojnë garanci reale, siguri juridike dhe mekanizma të zbatueshëm", thonë nga BDI.


