Barcelona mund të sakrifikojë katër lojtarë për të financuar transferimet e reja
Barcelona vazhdon të punojë për përforcimin e repartit ofensivë, por planet e klubit për transferime të reja varen nga largimi i disa lojtarëve gjatë merkatos së verës.
Sipas raportimit të Mundo Deportivo, drejtuesit katalanas kanë identifikuar katër futbollistë, shitja e të cilëve mund të hapë rrugën për afrime të reja. Në këtë listë përfshihen Roony Bardghji, Alejandro Balde, Marc Casado dhe Jules Kounde.
Klubi synon të përmbyllë transferimet prioritare para fillimit të Kupës së Botës, ndërsa të ardhurat nga shitjet do të kenë rol vendimtar në strategjinë e merkatos.
Roony Bardghji është lidhur me një largim në formë huazimi, pasi nuk pritet të ketë hapësira të mjaftueshme në ekipin e parë. Në anën tjetër, edhe Marc Casado mund të largohet, pavarësisht se konsiderohet një nga talentët e akademisë katalanase.
Sa i përket Alejandro Baldes dhe Jules Koundes, Mundo Deportivo raproton se paraqitjet e tyre të paqëndrueshme gjatë sezonit kanë ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e tyre në “Camp Nou”.
Barcelona mbetet e kufizuar nga situata financiare dhe çdo lëvizje e re në merkato do të varet nga aftësia e klubit për të gjeneruar të ardhura përmes shitjeve.
Për këtë arsye, vera pritet të jetë shumë e ngarkuar për drejtuesit katalanas, të cilët synojnë të balancojnë financat dhe njëkohësisht të forcojnë skuadrën për sezonin e ardhshëm./Telegrafi/


