Barcelona beson se mund të shpenzojë më shumë se 100 milionë euro, një sulmues mbetet objektivi prioritar
Sipas raportimit të mediumit spanjoll Diario AS, te Barcelona po rritet optimizmi se klubi do të ketë mundësi të investojë mbi 100 milionë euro në afatin kalimtar të verës.
Situata financiare e gjigantit katalunas ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes, sidomos pas kufizimeve të vendosura nga rregullat e Fair Play Financiar në La Liga.
Megjithatë, drejtuesit e klubit besojnë se janë shumë pranë rikthimit në rregullin e famshëm 1:1, i cili do t’i lejonte Barcelonës të shpenzojë lirisht çdo euro të fituar nga shitjet apo kursimet në paga.
Ky zhvillim do të përbënte një kthesë të madhe për skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick, pasi Barcelona synon të rikthehet fuqishëm në garën për trofetë më të mëdhenj në Evropë.
Sipas raportit, prioriteti absolut i klubit mbetet afrimi i një sulmuesi të klasit botëror.
Dy emrat që vazhdojnë të kryesojnë listën e dëshirave janë Julian Alvarez dhe Joao Pedro.
Alvarez shihet si profili ideal për të udhëhequr repartin ofensiv në vitet e ardhshme, ndërsa Joao Pedro konsiderohet një alternativë më fleksibile dhe më e arritshme financiarisht.
Në të njëjtën kohë, Barcelona po planifikon me kujdes strategjinë për repartet e tjera të skuadrës.
Përforcimet në mbrojtje mund të realizohen përmes transferimeve me kosto të ulët ose lojtarëve të lirë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që klubi të financojë një pjesë të afatit kalimtar edhe përmes shitjes së disa futbollistëve.
Drejtuesit katalunas mbeten të bindur se vera e këtij viti mund të shënojë fillimin e një epoke të re financiare dhe sportive për klubin, pas disa sezoneve të vështira ekonomike që kanë kufizuar ndjeshëm lëvizjet në treg. /Telegrafi/


