Please enter at least 3 characters.

Banderola kundër Mirlind Dakut në derbin serb mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit

Transferimi i Mirlind Dakut nga Rubin Kazan te Spartaku i Moskës duket se nuk është pritur mirë nga të gjithë, ndërsa sulmuesi shqiptar është bërë së fundmi objekt i një mesazhi provokues nga tifozët serbë.

Ngjarja ka ndodhur gjatë derbit të Beogradit mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit, i zhvilluar më 6 shtator dhe i përfunduar me fitoren 2-1 të vendasve.

Në tribunën e ultrasve të Crvena Zvezdës është shfaqur një banderolë ku përmendej drejtpërdrejt emri i sulmuesit të Shqipërisë.

“Një shqiptar në klub, një turp për Spartakun e Moskës”, shkruante në mesazhin e tifozëve në gjuhën serbe.

Banderola ka tërhequr vëmendjen e mediave, duke sjellë reagime për mesazhin e drejtuar ndaj Dakut, i cili vetëm së fundmi iu bashkua klubit nga Moska.

Ndërkohë, 27-vjeçari ka nisur në mënyrë mjaft pozitive aventurën e tij të re. Daku ka regjistruar një gol dhe dy asistime me Spartakun e Moskës, ndërsa edhe te Rubin Kazan pati një fillim të furishëm, duke shënuar tre gola.

Transferimi i tij drejt Spartakut të Moskës u realizua për rreth 11 milionë euro, duke e bërë atë një nga lëvizjet më të bujshme të sulmuesit shqiptar.

Pavarësisht zhurmës dhe provokimeve jashtë fushës, Daku duket se ka zgjedhur të mos përfshihet në polemika, duke e mbajtur fokusin te paraqitjet dhe objektivat e tij me fanellën e Spartakut të Moskës. /Telegrafi/