Please enter at least 3 characters.

Avokati i Popullit publikoi Opinionin lidhur me njohjen e bashkësive fetare dhe rregullimin e statusit të tyre juridik në Kosovë

Avokati i Popullit publikoi Opinionin lidhur me njohjen e bashkësive fetare dhe rregullimin e statusit të tyre juridik në Republikën e Kosovës, pas shqyrtimit të ankesës së Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës lidhur me pamundësinë e deklarimit të veçantë të përkatësisë së tyre fetare në Regjistrimin e Popullsisë 2024.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Avokati i Popullit konsideron se pamundësia e deklarimit të përkatësisë fetare në formularin e regjistrimit të popullsisë vjen si pasojë e boshllëqeve në kuadrin aktual ligjor, i cili nuk ofron një mekanizëm efektiv për regjistrimin dhe fitimin e personalitetit juridik të bashkësive fetare, gjë që vazhdon të krijojë pasoja praktike dhe juridike jo vetëm në deklarimin e përkatësisë fetare, por edhe në ushtrimin e lirë të veprimtarisë së bashkësive fetare.

"Po ashtu, është konstatuar se formulimi i pyetjes për përkatësinë fetare në Regjistrimin e Popullsisë 2024 nuk garanton plotësisht të drejtën për vetë-identifikim fetar dhe nuk pasqyron në mënyrë të plotë pluralizmin fetar në Kosovë. Përfshirja e vetëm disa bashkësive fetare dhe grupimi i bashkësive tjera në kategorinë 'Tjetër', kufizon dukshmërinë institucionale të bashkësive të tjera fetare dhe mund të krijojë trajtim të pabarabartë".

Ndërkaq, tutje bëhet e ditur se Avokati i Popullit thekson se shteti ka detyrim të ruajë neutralitetin dhe paanshmërinë në çështjet fetare dhe të sigurojë trajtim të barabartë për të gjitha bashkësitë fetare, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

"Në këtë drejtim, Avokati i Popullit kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për miratimin e një kuadri të plotë ligjor për regjistrimin dhe statusin juridik të bashkësive fetare, duke siguruar kritere objektive, transparente dhe jodiskriminuese, në përputhje me Kushtetutën, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Gjithashtu, institucionet publike duhet që në proceset e ardhshme të mbledhjes së të dhënave statistikore dhe hartimit të politikave publike të respektojnë të drejtën për vetë-identifikim, barazinë para ligjit dhe ndalimin e diskriminimit".

Ndryshe, Avokati i Popullit rithekson se pluralizmi fetar, autonomia e bashkësive fetare dhe trajtimi i barabartë i tyre janë elemente thelbësore të një shoqërie demokratike dhe të respektimit efektiv të lirisë së besimit, ndërgjegjes dhe fesë. /Telegrafi/