Avokati i Popullit kërkon rishikimin e shtesës së rrezikshmërisë për gjyqtarët specialë
Avokati i Popullit ka publikuar një Opinion lidhur me caktimin e shtesës së rrezikshmërisë për gjyqtarët e Departamentit Special, duke vlerësuar se kjo çështje duhet të shqyrtohet edhe në raport me funksionet e krahasueshme brenda sistemit të drejtësisë penale.
Në Opinion, Avokati i Popullit thotë se synimi është krijimi i një qasjeje më të balancuar në trajtimin financiar të funksioneve që kanë përgjegjësi, rrezikshmëri dhe kompleksitet të ngjashëm.
“Opinioni synon të kontribuojë në promovimin e një qasjeje më të balancuar dhe koherente në trajtimin financiar të funksioneve që bartin përgjegjësi, rrezikshmëri dhe kompleksitet të krahasueshëm”, thuhet në komunikatë.
Avokati i Popullit i referohet edhe parimit “punë me vlerë të njëjtë, pagë e barabartë”, duke theksuar se funksionet me përgjegjësi dhe vlerë të krahasueshme duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë në aspektin financiar.
“Parimi i ‘punës me vlerë të njëjtë, pagë e barabartë’ [...] kërkon që funksionet që bartin përgjegjësi dhe vlerë të krahasueshme shoqërore e profesionale të trajtohen në mënyrë të barabartë në aspektin financiar”, thekson institucioni.
Sipas Opinionit, edhe pse gjyqtarët dhe prokurorët kanë funksione dhe pozita të ndryshme institucionale, ekzistojnë elemente që mundësojnë krahasimin e tyre sa i përket trajtimit financiar.
Avokati i Popullit vëren se prokurorët e Prokurorisë Speciale merren me hetimin dhe ndjekjen penale, ndërsa gjyqtarët e Departamentit Special kanë përgjegjësi për vendimmarrjen gjyqësore dhe marrin vendime përfundimtare e detyruese.
Në këtë kuadër, institucioni vlerëson se dallimi i vazhdueshëm në kompensim mund të ngrejë çështje në raport me pavarësinë e gjyqësorit.
“Dallimi i vazhdueshëm në kompensim ndërmjet gjyqtarëve të Departamentit Special dhe prokurorëve të Prokurorisë Speciale, në mungesë të një arsyetimi objektiv dhe proporcional mjaftueshëm të qartë, mund të duket jo plotësisht në harmoni me standardin e pavarësisë së gjyqësorit”, thuhet në Opinion.
Avokati i Popullit thekson se kjo situatë mund të ndikojë edhe në perceptimin për sigurinë financiare dhe pozitën institucionale të gjyqtarëve të Departamentit Special.
Në përfundim, institucioni sqaron se qëllimi i Opinionit nuk është cenimi i të drejtave financiare të asnjë kategorie, por shqyrtimi i mundësisë për harmonizimin e shtesës së gjyqtarëve të Departamentit Special me funksionet e krahasueshme.
“Qëllimi i këtij Opinioni nuk është cenimi apo zvogëlimi i të drejtave financiare të asnjë kategorie funksionale, por shqyrtimi i trajtimit të shtesës së gjyqtarëve të Departamentit Special dhe i mundësisë për një qasje më të harmonizuar në përcaktimin e saj”, thuhet në komunikatë.
Avokati i Popullit vlerëson se një harmonizim i tillë, duke marrë parasysh dallimet institucionale dhe përgjegjësinë vendimmarrëse të gjyqtarëve, do të mund të ndihmonte në adresimin e dallimeve ekzistuese dhe në forcimin e funksionalitetit të sistemit të drejtësisë. /Telegrafi/


