Austria, pro statusit për Shqipërinë
Kryeministri Rama vlerësoi këtë mbështetje dhe falënderoi ministrin Kurz, për nismën e këtij të fundit për t’ju drejtuar me një letër homologëve të tij në BE, për të mbështetur statusin kandidat për Shqipërinë.
Gjatë takimit, u ndanë mendime rreth qasjes evropiane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Rama rikonfirmoi pikëpamjen se është pikërisht aspirata evropiane e të gjitha vendeve të rajonit, që bëri që ky të jetë viti i parë në paqe.
Rama deklaroi se rajoni e kuptoi se Evropa është më e rëndësishme se konfliktet, dhe që kjo arritje të jetë e qëndrueshme, kërkon shtyrjen përpara të bashkëpunimit rajonal dhe gjetjen e hapësirave të reja për të mbështetur edhe financiarisht, bashkëpunimin me rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë drejtim, Rama u shpreh i bindur se Austria, si mbështetëse e rajonit, mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.
Në takim u fol edhe për rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe për reformën në sistemin e drejtësisë. Kryeministri, nënvizoi se qeveria, është e vendosur në këtë sfidë jetike për shoqërinë shqiptare. Ndërkohë ministri i Drejtësisë Brandstetter, ofroi mbështetjen e Austrisë, në të gjitha përpjekjet e qeverisë për reformimin e sistemit të drejtësisë. /Telegrafi/


