Atletico Madrid favorit për transferimin e yllit të madh të Chelseat
Marc Cucurella mund të jetë një nga emrat më të nxehtë të afatit kalimtar së verës, pasi Atletico Madrid e ka vendosur mbrojtësin spanjoll në krye të listës së prioriteteve për përforcimin e krahut të majtë të mbrojtjes.
Sipas raportimeve nga media spanjolle, klubi madrilen është i gatshëm të bëjë një investim të madh për të siguruar shërbimet e lojtarit të Chelseat.
Mbrojtësi katalanas, i cili do të mbushë 28 vjeç në korrik, po konsideron seriozisht rikthimin në Spanjë pas një periudhe të suksesshme në futbollin anglez.
Një nga arsyet kryesore që e tundon Cucurellan është mundësia për të luajtur në Ligën e Kampionëve nën drejtimin e trajnerit Diego Simeone.
Megjithatë, negociatat me klubin londinez pritet të jenë shumë të vështira. Chelsea raportohet se kërkon rreth 50 milionë euro për kartonin e mbrojtësit, një shumë që Atletico duket i gatshëm ta paguajë.
Situata bëhet edhe më interesante pasi në garë për lojtarin është futur edhe Barcelona.
Një tjetër pengesë e madhe për Atletico Madridin është qëndrimi i trajnerit të ri të Chelseat, Xabi Alonso, i cili e konsideron Cucurellan pjesë kyçe të projektit të tij dhe nuk dëshiron ta humbasë gjatë verës.
Mediat britanike raportojnë se tekniku bask planifikon të zhvillojë bisedime direkte me lojtarin për ta bindur të vazhdojë karrierën në Stamford Bridge.
Drejtuesit e Atletico Madridit po punojnë intensivisht për të ndërtuar një plan financiar që do t’i lejojë të përballojnë transferimin, ndërsa synojnë të mbyllin marrëveshjen para se klubet tjera evropiane të hyjnë fuqishëm në garë dhe të rrisin çmimin e lojtarit.
Klubi madrilen e vlerëson shumë eksperiencën, intensitetin fizik dhe fleksibilitetin taktik të Cucurellas, i cili mund të luajë si mbrojtës krahu apo edhe më i avancuar në mesfushë.
Në Atletico besojnë se dëshira e lojtarit për t’u rikthyer në Spanjë mund të jetë faktori vendimtar për finalizimin e transferimit.
Javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e mbrojtësit spanjoll, ndërsa Atletico Madrid po shtyn fort për të realizuar një nga transferimet më të rëndësishme të verës. /Telegrafi/


