As Serbia, as Kosova në BE!
- Barometri diplomatik -
Pa njohjen reciproke, sipas procedurës juridike të së Drejtës Ndërkombëtare, si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën, hyrja e tyre në BE, do të jetë vetëm një utopi e shkretë. Asgjë më shumë!
1.
Shtetarët (politikanët dhe diplomatët) e Serbisë dhe të Kosovës po ushqejnë iluzione të kota, sa për ta mashtruar opinion publik se, gjoja BE-ja u ka premtuar se, së shpejti, këto dy vende të ndryshme ballkanike, do të jenë anëtare të saj.
Pavarësisht nga lojërat e ndryshme simuluese politike dhe diplomatike se, Kosova dhe Serbia brenda një kohe të shkurtër, do të integrohen në kuadrin e BE-së, ligjërisht, sipas standardeve të procedurës së pranimit, asnjëra prej këtyre dy vendeve ballkanike nuk do të ketë rast, që të jenë anëtare të BE-së, për shkak se Serbia dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën si shtete sovrane dhe të pavarura.
Pra, si Beogradi, ashtu edhe Prishtina, duhet ta mbajnë parasysh faktin e rëndësishëm se, pa njohjen e ndërsjellë të tyre, nuk kanë asnjë shans real, që të integrohen në BE. Me gjithë premtimet e politikës dhe të diplomacisë së improvizuar të qarqeve me kompetencë për zgjerimin e BE-së.
Ndryshe, vetëm politikanët, diplomatët dhe shtetarët naivë dhe të gjorë si të Beogrdit, ashtu edhe të Prishtinës po e gënjejnë dhe, po e mashtrojnë opinionin e tyre publik se, edhe pa njohjen reciproke të dy vendeve të tyre, do të mund të hyjnë në BE. Kjo është vetëm një utopi e shkretë, që është në favor të propagandës politike dhe të diplomacisë ditore të Beogradit dhe të Prishtinës.
2.
Gjithashtu, problemi i Kosovës Veriore nuk mund të zgjidhet derisa qeveria e Kosovës së bashku me EULEX-in (veç mjeteve politike dhe diplomatike paqësore) nuk marrin edhe masat urgjente juridike për spastrimin e strukturave paralele politike shtetërore të Serbisë në mbarë Kosovën, e në veçanti në Veri të Kosovës.
Ligjërisht, sipas së Drejtës Ndërkombëtare, kur dy vende të ndryshme nuk e njohin njëra-tjetrën, praktikisht nuk mund të kenë kurrfarë marrëdhëniesh bashkëpunimi ndërmjet tyre (politike, ekonomike, tregtare, diplomatike etj.).
Prandaj, në këtë kuptim duhet shikuar dhe trajtuar edhe marrëdhëniet ndërshtetërore të Serbisë me Kosovën.
Derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, është krejtësisht e qartë se, nuk mund të ketë kurrfarë marrëdhëniesh qoftë ekonomike, politike, tregtare, kulturore, qoftë diplomatike etj.
Në këtë kontekst, duhet shikuar edhe lëvizjen e qytetarëve të këtyre dy shteteve, të cilët nuk e gëzojnë të drejtën e hyrje-daljes së tyre as në Serbi, e as në Kosovë, para se Beogradi dhe Prishtina zyrtare t’i kenë shkëmbyer aktet dhe instrumentet e tyre juridike ndërkombëtare të njohjes së ndërsjellë të Kosovës dhe të Serbisë.
Pra, sipas rregullave dhe normave të së Drejtës Ndërkombëtare si lidhjet ekzistuese të Kosovës me Serbi (ekonomi dhe tregti etj.), ashtu edhe hyrja e qytetarëve të Serbisë në Kosovë (e personave privatë, edhe e atyre shtetërorë, siç ishte rasti i fundmë i hyrjes së Boris Tadiqit në Kosovë, me rastin e vizitës së tij Manastirit të Deçanit), është krejtësisht ilegale dhe e palejueshme, sepse bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Gjithashtu, ky reciprocitet vlen edhe për shtetarët dhe për individët privatë të Kosovës, të cilët nuk kanë asnjë të drejtë, të hyjnë në Serbi, qoftë për qëllime të bashkëpunimit zyrtar, qoftë për qëllime tregtare, ekonomike, kulturore etj.
Pra, në kuptimin juridik të së drejtës ndërkombëtare, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën, nuk mund të ketë kurrfarë bashkëpunimi të ndërsjellë midis Beogradit dhe Prishtinës.
Sikur këto rregulla, norma dhe parime të së drejtës ndërkombëtare, të ishin zbatuar me konsekuencë nga qeveritë e deritashme të Kosovës dhe të UNMIK-ut (1999-2010), sigurisht se, sot, nuk do të ishin ballafaquar me problemin dhjetëvjeçar të Kosovës Veriore, si shkak dhe pasojë e ndërhyrjes direkte të Serbisë. Mirëpo, do të ndodhte e kundërta. Serbia, patjetër, do të kishte qenë e detyruar, që ta njihte Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ndryshe, nuk do të kishte pasur kurrfarë gjase, që të interesohej dhe, të vendoste kontakte me minoritetin e saj kolon në Kosovë.
Mirëpo, duke qenë se politika, ligji, kushtetuta dhe diplomacia e kuvendeve dhe e qeverive të derisotme të Kosovës kanë dështuar në këtë plan, duke e injoruar të drejtën ndërkombëtare, këtë gabim fatal, gjithashtu, ilegalisht, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me Kartën e Kombeve të Bashkuara etj., Beogradi e ka shfrytëzuar duke ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës, me ç’rast qe 10 vjet ia ka shkëputur Kosovën Veriore!
Së fundi, duhet të nënvizojmë se, si Beogradi, ashtu edhe Prishtina i kanë shkelur rregullat dhe standardet e së drejtës ndërkombëtare ngase kanë lejuar dhe kanë pranuar organizimin e zgjedhjeve vendore, parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë!
Ky akt ilegal i ndërmarrë nga Serbia dhe, i lejuar nga Kosova, është në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare, me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe me Aktin Përfundimtar të Helsinkit (Kreu VIII), sepse asnjë shtet në botë nuk ka të drejtë të organizojë kurrfarë zgjedhjesh të tij, në një shtet tjetër të huaj.
Për të gjitha ndërhyrjet dhe shantazhet e derisotme të Serbisë në Kosovë, të kryera gjatë dekadës së fundit të këtij shekulli (1990-2010), fajin dhe përgjegjësinë kryesore e mbajnë qeveritë dhe parlamentet e derisotme të Kosovës së bashku me kryetitullarët e tyre, sepse de fakto dhe de jure kanë shkelur jo vetëm drejtën ndërkombëtare, por edhe atë historike të shqiptarëve, që është favor të realizimit të plotë të vetëvendosjes së Kosovës.
Si pasojë e një politike të tillë të gabuar të elitave të ndryshme politike të Kosovës(1990-2010), tash kemi problemin e Qipros në Veri të Kosovës. Sipas të të gjithë parametrave politikë dhe diplomatikë ndërkombëtarë, problemi i Kosovës Veriore, nuk ka gjasa reale, që të zgjidhet në mënyrë paqësore, por vetëm me mjete juridike, sepse, ndryshe, Serbia nuk do të tërhiqet nga pozicionet e saj paraprake në Kosovën Veriore, dhe më gjerë në tërë Kosovën.


