Argumenti për sulmin e Trump ndaj Iranit
Anëtarë të armatosur të forcave speciale të policisë iraniane monitorojnë një tubim proqeveritar në Teheran
(Foto: Morteza Nikoubazl/NurPhoto via Getty Images)
Regjimi është sponsori më i madh i terrorizmit në botë. “E drejta ndërkombëtare” është justifikim i plogësht për të mos vepruar.
Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Ishte një kohë kur Britania ka qenë në gjendje të identifikonte armikun dhe ta mposhtte atë. Shumë prej neve u mungojnë ato ditë; mbi të gjitha, ka një arsye pse Winston Churchilli mbetet kaq i nderuar. Sot, siguria jonë e dikurshme është gërryer aq shumë saqë udhëheqësit tanë bëjnë justifikime për ata që do të na shkatërronin, në vend që të ndërmarrin veprime për t’i ndalur.
Merrni si shembull Iranin. Protestues të panumërt janë verbuar prej fishekëve në fytyrë ose janë bërë të paaftë për të pasur fëmijë prej plumbave në organet gjenitale. Banditët e regjimit kanë patrulluar spitalet, duke ekzekutuar aktivistë të rinj në shtretërit e tyre. 48 orët e masakrës së Ajatollahut në janar, që besohet se kanë marrë më shumë se 30 mijë jetë, gjetën një precedent vetëm në vitin 1941, kur 34 mijë hebrenj u vranë në përroin e Babin Jarit pranë Kyiv.
Ky s’është thjesht një problem i huaj. Regjimi është sponsori më i madh i terrorizmit në botë dhe ka planifikuar rrëmbime dhe atentate në territorin tonë. Nëse ky nuk është armik, atëherë çfarë është? Megjithatë, në momentin e cenimit më të madh ndaj Iranit, Britania ka bllokuar aeroplanët luftarakë amerikanë që të përdorin bazën ajrore në Diego Garsia për të goditur vrasësit.
Arsyeja? “E drejta ndërkombëtare”, ky term kaq i degraduar që është bërë aq i dashur për elitat tona të paguximshme. Dikush mund të dyshojë se i njëjti justifikim do të ishte përdorur për të shmangur bombardimin e hekurudhës drejt Aushvicit.
Ed Davey, lideri palaço i liberaldemokratëve, ankohej se Donald Trumpi po “përpiqej të detyronte Qeverinë” drejt “veprimit të njëanshëm ushtarak”. Keir Starmeri duhet “të qëndrojë i fortë”, shtoi ai, dhe ta çojë çështjen përpara Parlamentit. Ku e kemi dëgjuar këtë më parë?
Në vitin 2013, Ed Milibandi e pengoi përpjekjen e David Cameronit për të mbështetur vijat e kuqe të Obamas në Siri. Si rezultat, përdorimi i armëve kimike nga Bashar al-Assadi mbeti i pandëshkuar dhe Vladimir Putini mbushi kallashnikovin dhe marshoi drejt Krimesë. Nëse kjo quhet “të qëndrosh i fortë”, dikush le të më tregojë se si duket dobësia.
Ky liberalizëm i mjegullt mund të duket i padëmshëm, por po thur një batanije rehatie britanike për regjimin e neveritshëm iranian. Për ironi, nëse Ajatollahu bie nga forca amerikane, Garda e tij Revolucionare ende nuk do të ndalohet në Londër dhe ambasadori i tij nuk do të dëbohet.
Nuk është vetëm Britania kështu. Më herët këtë muaj, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, i dërgoi Teheranit një mesazh urimi me rastin e 47-vjetorit të revolucionit islamik, i cili e zhyti rajonin në dekada të vrasjeve që po i afrohen kulmimit sot.
Të enjten, një diplomat iranian u zgjodh nënkryetar i Komitetit Special për Kartën e Kombeve të Bashkuara, përgjegjës për mbrojtjen e “rregullave të së drejtës ndërkombëtare”. Në vitin 2024, OKB-ja uli në gjysmështizë flamurin për të vajtuar ish-presidentin iranian, Ebrahim Raisi, i njohur si “Kasapi i Teheranit”. Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit ende nuk i ka dënuar në mënyrë të qartë sulmet e 7 tetorit. Do të qeshje po të mos të të vinte për të vjellë.
Sa i vogël është hapi nga standardet universale te relativizmi moral, dhe nga relativizmi moral te armatosja! Nga dëbimi i penguar i kriminelëve të huaj nga Britania e deri te sulmet ndaj Ajatollahut, jo vetëm që ekziston një hendek midis “së drejtës ndërkombëtare” dhe ligjit natyror moral, por e para tashmë po e shkatërron të dytin.
Kjo nuk do të thotë se Donald Trumpi udhëhiqet nga etika. Ndërsa gjakderdhja iraniane po vazhdonte, ai i dha botës retorikë të çrregullt dhe negociata të zgjatura me regjimin, duke përdorur protestuesit si levë për t’i siguruar Amerikës dhe aleatëve të saj në Lindjen e Mesme një marrëveshje më të mirë.
Shumë iranianë nuk mund ta falin premtimin e Trumpit se “ndihma është rrugës” - i dhënë pas masakrës dyditore të të pafajshmëve në janar - që çoi mijëra të tjerë në rrugë për të vdekur.
A është kjo një përsëritje e vitit 1956, kur amerikanët mirëpritën kryengritjen hungareze kundër regjimit sovjetik që përfundoi me dislokimin e përgjakshëm të tankeve? Apo ajo e vitit 1991, kur George H. W. Bush inkurajoi kurdët dhe arabët e kënetave të rebeloheshin kundër Saddam Husseinit, por nuk i mbështeti, duke rezultuar në një gjakderdhje?
Ndoshta jo. Më shumë gjasa, presidenti thjesht po merr kohë për të mbushur revolverin. Në fund të fundit, ky është përqendrimi më i madh i forcës amerikane në Lindjen e Mesme që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003, dhe kërcënimet e tij kanë qenë rrëqethëse. Të enjten, Trumpi sugjeroi se vonesa lidhej me çështje logjistike.
“Me luftën, nuk e di kurrë çfarë është e lehtë dhe çfarë nuk është aq e lehtë”, tha ai. Kjo është e vërtetë; kur Amerika hapi zjarr në mënyrë të pamend - Vietnam, Irak - rezultatet ishin shkatërrimtare. Pos kësaj, sa më shumë kohë kalon, aq më i madh bëhet presioni mbi Teheranin. Kjo është logjika “Kazablanka”: Ndoshta jo sot, ndoshta jo nesër, por së shpejti.
Është e qartë se Trumpi po ndjek interesat amerikane, jo duke mbrojtur iranianët në rrugë. Kur bombarduesit B2 të kenë kryer punën e tyre, presidenti mund të mjaftohet me një zbutje të regjimit në stilin e Venezuelës, në vend të ndryshimit të regjimit aq të dëshiruar nga populli.
Sigurisht, aleatët e Amerikës në Gjirin Persik e favorizojnë atë rezultat. Një Iran i qëndrueshëm dhe demokratik do të sillte konkurrencë të padëshiruar në tregjet e naftës dhe madje mund të frymëzonte një Pranverë tjetër Arabe. Ajatollahu mbase duhet të largohet, por për ta do të ishte shumë më mirë një grup i tiranëve të dobësuar dhe të nënshtruar.
A do të përbëjë kjo një tradhti ndaj popullit iranian? Ndoshta. Por, të paktën Trumpi nuk po e merr pozën e epërsisë morale. Udhëheqësit tanë vetëkënaqur, përkundrazi, janë aq të dashuruar me virtytin e tyre saqë nuk arrijnë as ta emërtojnë armikun, qoftë brenda apo jashtë vendit. Çfarë do të bënte Churchilli? Këto ditë, Qeveria duket se ia shtron vetes këtë pyetje dhe bën të kundërtën. /Telegrafi/


