Albin Kurti uron Dua Lipën për nisjen e Sunny Hill Festivalit: Shijoni muzikën dhe gjithçka që ofrojnë Prishtina e Kosova
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka kushtuar një postim në rrjetin social X (ish-Twitter) artistes me famë botërore, Dua Lipa, me rastin e nisjes së edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival.
Përmes postimit të tij, Kurti vlerësoi rëndësinë që festivali ka fituar ndër vite për skenën kulturore të Kosovës, duke theksuar se ai tashmë është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.
“Sunny Hill Festival, i organizuar nga Dua Lipa, është shndërruar në një nga ngjarjet kryesore kulturore të Kosovës, duke tërhequr më shumë se 100 mijë vizitorë vetëm gjatë vitit të kaluar. Me nisjen e festivalit sot, u urojmë të gjithëve një përvojë të mrekullueshme dhe të paharrueshme. Shijoni muzikën, atmosferën dhe gjithçka që kanë për të ofruar Prishtina dhe Kosova”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij zyrtare në X.
Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill Festival nis sot dhe do të zgjasë deri të dielën, duke sjellë në Prishtinë mijëra vizitorë nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës.
Në skenën kryesore të festivalit do të ngjiten disa prej emrave më të njohur të muzikës ndërkombëtare. Katy Perry do të performojë në natën e parë, Lewis Capaldi do të jetë ylli kryesor i natës së dytë, ndërsa festivali do të mbyllet me performancën e superyllit të muzikës elektronike, Martin Garrix.
Përveç artistëve ndërkombëtarë, Sunny Hill Festival do të sjellë edhe dhjetëra emra të njohur të skenës shqiptare dhe asaj botërore, duke e kthyer edhe një herë Prishtinën në qendrën e muzikës dhe argëtimit gjatë këtij fundjave. /Telegrafi/


