Please enter at least 3 characters.

Ademi, fati më i madh i Hysit

2016/01/ademi-fati-m-euml-i-madh-i-hysit_hd.jpg

Mirëpo, sot tabela tregon se Hysi është ndër befasitë më të këndshme, skuadër që të gjithë ia kanë frikën “Është e vërtetë se kishim telashe dhe ishim pothuajse pa përforcime. Mirëpo, kjo përbërje e kishte kaluar një edicion të suksesshëm dhe kishte fituar mjaft përvojë. Megjithatë, mendoj se fati më i madh i skuadrës ishte trajneri Fadil Ademi, i cili krijoi atmosferë të mirë. Nuk ishte i ngarkuar me rezultate, ne vetëm kërkonim lojë të pëlqyer, të hapur dhe korrektësi, e këto i mjaftuan Ademit”, tha drejtori sportiv i KF Hysi, Afrim Macula. “Natyrisht se të gjithë jemi befasuar.

Nuk është se nuk kemi pritur rezultate, por të arriturat i kanë tejkaluar parashikimet tona. Të mos harrojmë se ne kemi disa individ shumë të mirë, kemi një lider të skuadrës siç është Mentor Zhdrella, i cili vjen i pari në stërvitje dhe i fundit largohet, lider të cilin e respektojnë të gjithë. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se nuk kemi telashe me kryerjen e obligimeve, atëherë del se të gjithë duhet të jenë të kënaqur”, shprehet Macula. Pas rezultateve të vjeshtës natyrisht se edhe oreksi shtohet dhe mendohet titulli.

“Nuk jemi të ngarkuar, por nëse na jepet rasti pse të mos e shfrytëzojmë. Nuk ka dallim të madh në cilësi, por kuptohet se për një gjë të tillë na duhen edhe përforcime”, thotë Macula duke përjashtuar mundësinë e kalimit të Zhdrellës në Llamkos Kosova.

“Kjo ishte vetëm një shaka që e kemi bërë me Ismet Munishin e asgjë më tepër”, tha duke qeshur Macula, sipas të cilit vjeshta ka sjell diçka të mirë në futbollin tonë, pasi si kurrë më parë skuadrat udhëtuese kanë mundur të shënojnë fitore e mos t’u mungojë fija e flokut, ndërkohë që sipas tij edhe ndarja e drejtësisë ka qenë në nivel dukshëm më të lartë, veçmas nga ardhja e Përparim Hasanit në krye të Komisionit të Gjyqtarëve të Futbollit. Kur është fjala tek titulli, kryetrajneri Fadil Ademi nuk është aq i preokupuar.

“Ne i kemi arritur objektivat tona dhe tani jemi të qetë. Mirëpo, nuk mendoj se me këtë përbërje mund ta ndjekim titullin. Ende kemi oscilime në lojë e kjo më së miri u pa kundër Trepçës’89. Mungesa e një futbollisti cilësor ndikon shumë në lojën tonë siç ishte rasti me mungesën e Ahmet Halitit të lënduar”, thotë Ademi.

Në pyetjen se në cilin repart i duhen më së shumti përforcime, nëse futen në garë për titull, Ademi tha:”Në çdo repart na duhet të paktën nga një futbollist. Megjithatë, mendoj se më së shumti kemi nevojë për një futbollistë shkatërrues para mbrojtjes dhe një ndërtues i lojës”. Pas 16 ndeshjeve të zhvilluara në Superligë, Hysi e ndan pozitën 2-3 me Ferizajn, me 28 pikë të tubuara, pas 8 fitoreve, 4 barazimeve dhe 4 disfatave. /Zëri/Telegrafi/