Please enter at least 3 characters.

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Hap i mirë që po flasim para vendimeve të njëanshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se në takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, është diskutuar për stabilitetin institucional dhe nevojën për të shmangur zgjedhjet e reja.

Pas takimit, Abdixhiku tha se palët janë pajtuar që dialogu të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

“Folëm për stabilitetin institucional dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve. Në këtë fazë u dakorduam që t’i vazhdojmë bisedimet”, deklaroi ai.

Sipas kreut të LDK-së, diskutimet janë përqendruar te parimet dhe jo te emrat konkretë.

“Ne biseduam për parime dhe, për LDK-në, këto parime kërkojnë balancën demokratike në vend. Në këtë balancë duhet të kontribuojnë të gjitha palët. Nuk kemi arritur të flasim për emra të përveçëm”, tha Abdixhiku.

Ai e cilësoi takimin si një hap pozitiv, duke theksuar se nuk ishte e mundur të trajtoheshin të gjitha temat në një takim të vetëm.

“Në këtë takim ishte e pamundur të flasim për të gjitha temat, por ishte hap i mirë për të vazhduar tutje në bisedime. I kemi 30 ditë kohë për konstituimin e Kuvendit dhe 60 ditë për zgjedhjen e presidentit. E rëndësishme është që po flasim para se të merren hapa të njëanshëm. Kjo jep shpresë”, u shpreh ai.

Abdixhiku shtoi se, megjithëse ende nuk është arritur një konsensus për parimet, bisedimet mes palëve do të vazhdojnë.

“Ende nuk kemi arritur konsensus rreth parimeve, por po bisedojmë”, deklaroi kryetari i LDK-së./Telegrafi/