A ka mbetur diç nga patriotizmi shqiptar?
Sipas opinioneve më të reja, sidomos nga goja e intelektualëve shqiptarë (rasti më i freskët ishte debati i analistëve në emisionin e Blendi Fevziut ditë më pare në emisionin më të shikuar debatik, Opinion) patriotizmit shqiptarë si duket po i bie ora! Me gjithë respektin ndaj zotëri Fatos Lubonja, i cili ka thënë se nuk është patriot, as nacionalist dhe nuk ndjen asgjë kur e dëgjon Himnin Kombëtar të shqiptarëve, kjo të bënë të mendosh nga këndi intelektual. Ai më me përbuzje ka shfaqur edhe ndaj Heroit të shqiptarëve, Skënderbeu duke thënë se nuk i bën përshtypje një përmendore e njeriut mbi kalë…!!! Se sa do të jetë i keqkuptuar në opinionin, zotëri Lubonja, do të presim reagimet e qytetarëve shqiptarë.
Ndërkaq, po përjetojmë një çast kur janë pleksur me njëra-tjetrën, në një masë mjaft elasticiteti, tema të sovranitetit kombëtar dhe të ruajtjes së kufijve, bashkimit të trojeve shqiptare në projekte etnikë apo të ekzistencës së dy kombeve, edhe atij kosovar. Në debate të shumta që po prodhon koha nuk mungojnë edhe ata që duan të ç’mitizojnë kultet e ngritura nga e kaluara, mes tyre nuk kursejnë edhe atë të Skënderbeut dhe Nënë Terezës.
Pikërisht këto kohë çmitizuesit kanë ndezur edhe pasionin për të zbrazur nga fryma e romantizmit dhe e idolatrisë vet patriotizmin. Ky i fundit, thonë jo pa të drejtë, duhet të jetë modern, sepse arkaik apo edhe me pamje foklorike ai nuk u nevojitet gjeneratave të reja. A thua zhvillimet në botë, anëtarësimi në NATO dhe hyrja së shpejti në BE i shtetit shqiptarë kanë “shlyer” gjithë atë patriotizëm tonë të kultivuar me shekuj?
Sipas Lubonjës, patriotizmi shihet si një anakronizëm që duhet lënë pas në emër të një integrimi shpeshherë thjesht demagogjik dhe duke harruar që ajo pjesë e botës në të cilën dëshirojmë të hyjmë është edhe një botë vlerash dhe normash, të cilat popujt e tjerë i kanë. Patriotizmi përbën ende një tërësi vlerash të pamohueshme dhe gjithëpërfshirëse që jo vetëm duhen ruajtur, por duhen vënë në zhvillim të konsolidimit të ndërgjegjes shoqërore dhe kombëtare, në funksion të zhvillimit.
Për fat të keq, roli që duhet të luajnë institucionet shtetërore dhe klasa politike në përgjithësi, në këtë drejtim, është jo vetëm poshtë niveleve minimale të pranueshme, por shpeshherë përbëhet thuajse ekskluzivisht nga shembuj negativë. Në institucionet tona shpeshherë mungon flamuri kombëtar. Edhe në ato raste që duket nga jashtë, është në gjendje të mjerueshme. Sot duhet bërë më shumë që shqiptarëve t’u kthehet krenaria e të qenët shqiptar dhe që brezat e rinj të identifikohen së pari me të qenët pjesë e një kombi dhe pavarësisht së çfarë do t’ju duhet të sakrifikojnë: emrin, fenë, kombësinë, nderin apo moralin.
Shpesh herë më mbërthen entuziazmi për shqiptarët nga e gjithë bota që tregojnë patriotizëm. Që tregojnë që kombi shqiptar ende ruan vlera atdhetare, vlera për të cilat ka me se të krenohet kombi ynë. Ai popull që harron gabon sërish; dhe ne, shqiptarët, e kemi provuar më së miri këtë. Krijimi i ndërgjegjes kombëtare, konsolidimi i saj dhe përdorimi në kah pozitiv mund të bëhen përparësi e inteligjencies shqiptare, e pjesës më të shëndoshë të politikës dhe të mbarë atyre që ende krenohen me emrin shqiptar.
Së pari është e nevojshme që të bëhen disa sqarime për ata persona (sidomos përkrahësve të Lubonjës) që kujtojnë se patriotizmi është fjalë e keqe. Sot në mbarë globin vazhdon supremacia e shteti-kombi si aktori kryesor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pra kalimi tek koncepti i kombit ishte një hap i rëndësishëm dhe thelbësor në historinë e njerëzimit duke lënë mënjanë dimensionin provincial apo bashkimet me bazë tek identitetet e sipërpërmendura.
Formimi i kombit solli edhe konceptin e patriotizmit i cili dallon shumë nga këto forma bashkimi apo besnikëritë dhe identitetet që lidhen më grupimet primitive në fjalë. Dallimi qëndron në faktin që patriotizmi është i lidhur ngushtë me shtetin sepse ky koncept nuk bazohet në lidhjen e gjakut, fisit, por në lidhjen me idenë e kombit dhe për rrjedhojë në lidhjen me institucionin thelbësor të kombit, shtetin. Kjo do të thotë që një ndër burimet e mosvajtjes mirë të punëve në shtetin tonë është pikërisht mungesa e patriotizmit.
Patriotizmi modern bazohet në ato simbole apo karakteristika që i përkasin të gjithë individëve të një kombit, duke përjashtuar ato elementë që ndërtojnë mure përçarëse brenda kombit. Kombi ynë në fakt ka vuajtur vazhdimisht nga sfida që i ka ardhur prej krahinorizmit, klanizmit apo dallimit fetar.
Bashkimi Evropian ku ne po përpiqemi të anëtarësohemi është një eksperiment i ri ne proces e sipër ndërkombëtar dhe sipërkombëtar dhe mund të konsiderohet si një sfidë e ardhshme ndaj konceptit klasik të shtet-kombit. Por duhet patur parasysh që kjo sfidë vjen nëpërmjet përqafimit të vlerave dhe identiteteve gjithëpërfshirëse pa braktisur plotësisht identitetet kombëtare. Dimensioni i kombit dhe koncepti i patriotizmit sfidohet nga një koncept aspirant akoma më në pararojë dhe që mund të konsiderohet një stad më i lartë zhvillimi e që është kozmopolitanizmi. Ky i fundit merr trajta universale mbarënjerëzore.
Përqasja kozmopolitane më josh edhe mua që po shkruaj këtë shkrim me tone patriotike dhe me sinqeritetin më të madh më duhet ta pranoj që argumentet kozmopolitane që mund të vijnë kundër konceptit të patriotizmit shqiptar deri diku më vënë edhe mua në dyshim, duke qenë se shpesh e ndjej veten në trysni të brendshme midis të konsideruarit të vetes më shumë ekskluzivisht shqiptar apo qytetar të botës. Mirëpo sulmet që po i vijnë identitetit tonë kombëtar dhe patriotizmit shqiptar s’po i vijnë nga kozmopolitanët apo alternativa e bashkimit në Bruksel. Kjo gjë do ishte e mirëpritur sepse do dëshmonte evoluim.
Po ashtu qesharake e provinciale është edhe orvatja për të krijuar identitetin e ri kombëtar kosovar, duke nëpërkëmbur atë shqiptar. Edhe sot po shihet që interesat më të larta të shtetit dhe kombit po kërcënohen nga interesat e ngushta të disa individëve të përveçëm si dhe të klaneve që i rrethojnë. Mirëpo fatmirësisht gjendemi në zemër të Evropës e sado të zgjasë ky regres, me hir e pahir ai do të marr fund një ditë sepse edhe neve do bëhemi pjesë e debateve bashkëkohore, prandaj përshëndes dhe inkurajojë debatet të llojit që moderon Blendi Fevziu në Opinion, por jo vetë të tij.


