Please enter at least 3 characters.

A ishte e njëanshme vizita e Osmanit në Mitrovicë? Përplasje mes Muharremit dhe Kupinës

Vizita e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Mitrovicë për ta uruar kryetarin e ri të komunës ka nxitur reagime dhe përplasje publike.

Analisti Shenoll Muharremi e ka kritikuar ashpër këtë vizitë, duke e cilësuar si të njëanshme dhe në kundërshtim me rolin kushtetues të presidentes.

“Sot na paska turpnu Presidentja. Vjosa Osmani shkoi sot në Mitrovicë në një ceremoni të veçantë me uru një kryetar, po nuk ka shku me uru askënd tjetër. Kjo është diçka e pazakontë dhe turp i madh”, ka shkruar Muharremi.

Sipas tij, kjo vizitë dëshmon mungesë paanshmërie.

“Ajo po tregon që nuk paska qenë asnjëherë e paanshme siç e kërkon Kushtetuta. Pse nuk shkoi me uru në Prizren, Prishtinë apo Ferizaj?”, ka shtuar ai, duke ngritur edhe pretendime për përfshirje politike dhe rol në zhvillimet e brendshme partiake.



Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili i ka cilësuar pretendimet si të pavërteta dhe tendencioze.

“Të thuash se Presidentja ‘nuk ka shkuar ta uroj askënd tjetër’ është tërësisht e pavërtetë. Faktet janë kokëforta dhe i rrëzojnë lehtë këto pretendime”, ka shkruar Kupina.

Ai ka theksuar se Osmani ka vizituar edhe komuna të tjera të udhëhequra nga parti të ndryshme politike.

“Presidentja ka qenë në Dragash, të udhëhequr nga LDK-ja, në Ferizaj, të udhëhequr nga PDK-ja, dhe në Gjilan, të udhëhequr nga Vetëvendosje”, ka deklaruar Kupina.

Kupina ka mohuar se këto vizita përbëjnë shkelje të paanshmërisë kushtetuese.

“Presidentja e Republikës nuk e humb paanshmërinë duke kryer detyrën e saj përfaqësuese dhe institucionale. Përpjekja për ta paraqitur këtë si shkelje kushtetuese është abuzim me terminologjinë kushtetuese”, ka theksuar ai.

Në fund, Kupina ka shtuar se sulmet ndaj Osmanit janë të motivuara politikisht.

“Problemi nuk është Presidentja. Problemi është frika nga një figurë që vepron mbi parti, mbi interesa të ngushta dhe mbi pazare politike”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/