Please enter at least 3 characters.

12 “ekspertët” e Superligës

2016/01/12-ldquo-ekspert-euml-t-rdquo-e-superlig-euml-s_hd.jpg

Shkruan: Kushtrim Krasniqi.

E di se shumë trajnerë, e shumë futbollistë mund të ma marrin inati me këtë shkrim. E di se shumëkujt mund të mos i pëlqejë as titulli “ekspertë”, por kjo është puna ime. Duke parë e menduar mirë zgjedhjen që bënë trajnerët, ishte e vështirë të mbyllësh sytë. 12 trajnerë të Raiffeisen Superligës, na dhanë të mërkurën 10 futbollistët më të mirë për vitin që lamë pas. Këta ekspertë, na njoftuan edhe ne gazetarëve se cilët i kemi lojtarët më të mirë. Faleminderit prej tyre, sepse na ndihmuam të dimë në realitet cilësitë e tyre, na treguan se çfarë trajnerë ‘profi’ kemi në Kosovë.

Nuk jam kundër atyre që u gjenden në top 10-she, sepse ata më së paku kanë faj. Nuk ka faj Mentor Zhdrella që votohet nga trajnerët. Dorën në zemër të gjithë i dimë cilësitë e Zhdrellës, tashmë të gjithë e dimë se çfarë lojtari është, por assesi nuk pajtohem se tri herë futbollisti më i mirë në Kosovë, e meritoi edhe çmimin e katërt. Zhdrella mund të fitojë edhe 10 çmime, por në 2013-n nuk ishte më i miri. Nuk ishte për numrin një. Sigurisht se edhe vetë Mentori, nëse do të bëhej i sinqertë, do ta pranonte se nuk ka qenë në formën e tij më të mirë, sidomos në stinorin pranveror, kur Hysi mezi i shpëtoi mbijetesës.

Në top 10-she i pamë tre futbollistë të Llamkos Kosovës: Semir Zeneli, Labinot Osmani e Arbër Prekazi. Madje, të tretë u gjenden në gjashtë më të mirët. Sikur të vlerësohej vetëm gjashtë-mujori i fundit, do të ishte krejt në rregull. Madje, do ta meritonte edhe Alban Dragusha. Por, bazuar në rezultatet e pranverës, ku Llamkosi i shpëtoi mbijetesës vetëm përmes barazhit, tre lojtarë në top 10 është jo pak, por shumë e tepruar.

Në 10 futbollistët më të mirë u gjend befasisht edhe Fidan Hasani. Mbrojtësi i Dritës pati një stinor të mirë në vjeshtë (në pranverë ishte te Hysi), por jo edhe një supervit. Nuk e meritoi të jetë në 10 më të mirët. Ai befasoi shumë kë, mbase edhe veten.

Trajnerët e Superligës na treguan se titulli i kampionit dhe kupa nuk paskan fare vlera. Më shumë po u vlerësojka mbijetesa se sa trofetë. Ky është shembull edhe për trajnerët ndërkombëtar, të cilët në vend të Ronaldos, Messit apo Riberys, do t’i votonin shokët e tyre, djemtë e miqve, apo lojtarët të cilët ëndërrojnë t’i kenë në skuadër.

Çudia nuk patë kufi. Trajnerët e Superligës, që veten e quajnë profesionist, nuk i dhanë asnjë 10-she lojtarëve të Prishtinës. Nuk iu dhanë as më pak pikë. Nuk e panë të arsyeshme t’i votojnë Kushtrim Mushicën, heroin e portës dhe çelësin e sukseseve, sidomos në finalen e Kupës, kur priti tri penallti. U desh FFK të reagojë dhe t’ia japë një çmim Mushicës - ‘portieri i vitit’.

Hajde, Mushica nuk ua mbushi syrin, por Liridon Kukaj e Driton Krasniqi, a thua nuk ishin për të marrë pikë nga ekspertët tanë!!! Faji është se ndoshta trajnerët kanë pritur se prishtinasit do t’i thërrasin në telefon apo dikush tjetër do të lobojë për ta!!!

Nëse nuk gaboj, Afrim Jashari i Drenicës, kishte menduar për Azem Ahmetin t’i japë 10-she. Të paktën ai i ka menduar trofetë. Trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani, nuk pati të drejtë t’i votojë lojtarët e vetë, por ai ka mundur të votojë me 10-she një ish të vetin. Astrit Fazliun, që edhe po ta fitonte ‘Topin e Artë’ nuk do të ishte befasi. Titull, Kupë, nënkampion vjeshtor, shënuesi më i mirë momental dhe Këpuca e Artë 2013. Trajneri i bardhekaltërve më shumë u mor me Ismet Munishin në ceremoni, se sa të reagojë për ‘ushtarët’ që e sollën në podium.

Nëse FFK nuk ndryshon “jurinë profesionale” vaj halli për futbollistët tanë. Një ditë mund ta shohim futbollistin e vitit ndonjë që ka nxehur bankinën, sepse ata nuk kanë idenë kë duhet votuar. Për ta sukseset janë dështim, e dështimet suksese. /Arena/Telegrafi/