Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur sot më 26.11.2025 në Gjykatën e Prishtinës të akuzuarit për korrupsion Ardita Balaj, Edilah Qupeva, Florije Selimi, Sabit Muzaqi dhe Vjollcë Vishaj nuk e kanë pranuar fajësinë.

Ardita Balaj në cilësinë e instruktores po akuzohet për marrje ryshfeti, ndërsa Edilah Qupeva, Florije Selimi, Sabit Muzaqi dhe Vjollcë Vishaj në cilësi të zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.


Të akuzuarit u deklaruan rreth fajësisë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arianit Salihu.

Pas deklarimit të të akuzuarve, gjyqtari Agim Kuqi, njoftoi të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditësh kanë drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.

DOSJA E PROKURORISË

Prokurororia e Prishtinës me datë 03.10.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Ardita Balaj, Edilah Qupeva, Florije Selimi, Sabit Muzaqi dhe Vjollcë Vishaj për veprën penale të korrupsionit.

Sipas kësaj aktakuze, Ardita Balaj po akuzohet se në cilësinë e instruktores në auto shkollën “AFA BC1” me datë 19.05.2025 në Prishtinë në ambientet e oborrit të Stacionit të Autobusëve pas marrëveshjes paraprake kinse me ekzaminerin e caktuar nga MMPHI për zhvillimin e testit praktik ata ditë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka vepruar në kundërshtim me detyrat zyrtare të saj, ashtu që nga e dëmtuara E. V., (kandidate për pajisje me patentë shoferë), ka marrë dobinë pasurore në shumë prej 200 euro me qëllim që të njëjtës t’i mundësohet kalimi i testit praktik të vozitjes.

Në aktakuzë thuhet se pasi e dëmtuara ia kishte dhënë paratë të pandehurës dhe kishte kaluar testin, e pandehura është larguar nga vendi i ngjarjes, me ç’rast duke qenë nën masa të veçanta hetimore të pandehurës nga ana e Policisë së Kosovës i janë konfiskuar shuma prej 100 euro.

Me çka me këto veprime e pandehura Ardita Balaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Më tej në aktakuzë thuhet se nga data 01.04.2025 deri me datë 29.04.2025 në Prishtinë dhe Obiliq, të pandehurit Edilah Qupeva, Florije Selimi, Sabit Muzaqi dhe Vjollcë Vishaj, në cilësinë e personave zyrtar dhe kompentent të MMPHI-së, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për autoshkollën “AFA-BC1”.

Sipas aktakuzës e pandehura Florije Selimi më datë 01.04.2025 duke qenë në cilësi të inspektores në Departamentin e autoshkollave, me qëllim të mundësimit të licensimit të autoshkollës “AFA BC1”, pa plotësuar kushtet ligjore duke vepruar me dashje dhe me dijeni, në tejkalim të detyrave dhe kompentencave të saja ligjore, me qëllim të përfitimit të dobisë materiale për vete dhe për autoshkollën e sipërpërmendur ka zhvilluar komunik fizik dhe përmes telefonit me nën-kryetaren e Komisionit për licencim, Edilah Qupeva ka komunikuar përmes telefonit dhe është takuar në zyrën e autoshkollës, pas orarit të rregullt të punës, me palën aplikuese, Ardita Balaj si përfaqësuese e autoshkollës së lartcekur me qëllim të plotësimit dhe përgatitjes së dokumentacionit për licencim, veprime këto të cilat i kanë paraprirë procedurës së licensimit pa plotësuar kushtet ligjore nga ana e Komisionit.

Më tej në aktakuzë thuhet se e pandehura Florije Selimi me dashje dhe dijeni ka vepruar në kundërshtim me detyrat e saja zyrtare, ashtu që më datë 07.04.2025 sërish pas orarit të punës takohet me palën aplikuese Ardita Balaj në zyre të autoshkollës me ç’rast përpilon procesverbal duke konstatuar në mënyrë fiktive mbylljen e veprimtarisë, lidhur me kërkesën e autoshkollës për mbyllje të veprimtarisë, mbi arsyetimin e shpërnguljes jashtë vendit, derisa në realitet personat e njëjtë, në vendin e njëjtë dhe lokalin e njëjtë regjistrohen dhe licencohen për të operuar me veprimtarinë e njëjtë, vetëm se autoshkolla merr emër të ri, pra “AFA-BC1”, duke mos pasur asnjë lidhje me arsyetimin për shpërngulje jashtë vendi.

Në aktakuzë thuhet se ky veprim i të pandehurës i ndërmarrë është me qëllim të mundësimit që auto shkolla “AFA BC1”, të realizojë veprimtarinë e saj për gjenerim të dobisë materiale.

Më tej në aktakuzë thuhet se të pandehurit Edilah Qupeva, Sabit Muzaqi dhe Vjollcë Vishaj më 04.042025, duke qenë në cilësi të Komisionit për shqyrtim dhe vendosje lidhur me kërkesat për licencim dhe ndërrim të kushteve hapësinore të autoshkollave, përkatësisht Edilah Qupeva në pozitën e kryetares, Sabit Muzaqi dhe Vjollcë Vishaj në pozitë të anëtarëve të komisionit, në bashkëkryerje, me dashje dhe dijeni kanë tejkaluar kompetencat dhe detyrimet e tyre ligjore, me qëllim të përfitimit të dobisë materiale për vete dhe për autoshkollën “AFA-BC1”.

Sipas aktakuzës, fillimisht Edilah Qupeva në mënyrë të vazhdueshme para dhe gjatë procedurës së aplikimit, komunikon me palën aplikuese- tani të pandehurën Ardita Balaj dhe inspektoren e Departamentit të autoshkollave- tani të pandehurën Florije Selimi, ndërsa pas aplikimit zyrtar, Edilah Qupeva, Vjollcë Vishaj dhe Sabit Muzaqi duke vepruar në bashkëkryerje, marrin në shqyrtim aplikacionin e pakompletuar për licencim të palës aplikuese autoshkolla “AFA-BC1”, në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe me qëllim për t’i mundësuar dobi materiale pasurore vetes dhe autoshkollës në fjalë, konstatojnë pa të drejtë dhe në mënyrë fiktive në procesverbalin për shqyrtim dhe verifikim të dokumentacionit dhe kushteve hapësinore, se autoshkolla në fjalë plotëson të githa kushtet dhe kriteriumet ligjore për licencim në kategorinë “B” dhe “C1”.

Në aktakuzës thuhet se ky procesverbal, nënshkruhet gjatë kohës së drekimit me palën aplikuese Ardita Balaj, në një restaurant në Obiliq së bashku edhe me Florije Selimin, i cili procesverbal i paraprin marrjes vendimit të datës 04.04.2025 për aprovim të licencimit, me ç’rast të pandehurit në kundërshtim me dispozitat ligjore, me të njejtën datë, numrat e licencave të licencës të panënshkruar zyrtarisht nga personi kompetent, pra Sekretari i Pergjithshëm i Ministrisë, ia japin autoshkollës në fjalë, me qëllim që autoshkolla “AFA-BC1”, të gjenerojë dobi materiale, pa plotësuar kushtet dhe kriteriumet ligjore për licencim dhe me licencë ende të panënshkruar zyrtarisht siç parashihet në dispozitat e ligjore, e cila licencë nga autoshkolla zyrtarisht është pranuar meë datë 29.04.2025.

Me çka me këto veprime të pandehurit Florije Selimi, Edilah Qupeva, Sabit Muzaqi dhe Vjollcë Vishaj po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.