Aktakuzë ndaj dy personave për ndërtim pa leje dhe rrëshqitje të dheut në Skenderaj

Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega Skenderaj, ndaj dy të pandehurve A.A., dhe A.A., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Ndërtimi pa leje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Në njoftimin e bërë nga Prokuroria thuhet se, dy të pandehurit, akuzohen se nga data nga data 20.07.2023 deri më datë 11.08.2023, në Skenderaj , në bashkëkryerje me dashje dhe vetëdije të plotë, të pandehurit ne vend punishte janë hasur duke kryer punë pa leje të ndërtimit e cila kërkohet sipas ligjit.
"Po ashtu, të pandehurit A.A., dhe A.A., akuzohen se në bashkëkryerje dhe me dashje, në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara me ligj nuk i vendosin pajisjet për mbrojtje ashtu që gjatë mihjes së dheut dhjetë metra nën nivelin e asfaltit ka ardhur deri te rrëshqitja masive e dheut, ku si pasojë e kësaj përpos dëmeve të shkaktuara në pronën publike përgjatë dy rrugëve si dhe murit e rrethojës së çerdhes së fëmijëve në ndërtim e sipër, po ashtu janë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në pronat private të të dëmtuarve F.S., dhe D. Xh", thuhet në njoftim.
Prokuroria ka propozuar që dy të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat e kryera penale dhe të u shqiptohet sanksion penal të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/












































