LAJMI I FUNDIT:

AKP-ja e dorëzon ndërmarrjen AgroKosova te ish-blerësi

AKP-ja e dorëzon ndërmarrjen AgroKosova te ish-blerësi

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) njofton se ka dorëzuar përkohësisht ndërmarrjen AgroKosova Holding te ish-blerësi Gruppo Vinicolo Fantinel dhe QMI.

Sipas njoftimit, kjo është bërë duke e respektuar vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për masë të përkohshme ndaj vendimit të Bordit të Drejtorëve të AKP-së deri në vendimin përfundimtar të shqyrtimit të padisë së ish-blerësit të kësaj ndërmarrje.

“Nga Aktvendim i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për ndërmarrjen’AgroKosova Holding’, Suharekë vendoset masa e sigurisë, ku Agjencia Kosovare e Privatizimit obligohet që Ndërmarrjen ta kthej te blerësi në gjendjen e mëparshme. Edhe pse AKP më parë e ka bërë regjistrimin e të gjitha aseteve me komision pesë anëtarësh, me kërkesë të palës, për tri ditë me radhë u bë regjistrim i sërishëm i të gjitha aseteve që kanë qenë te ‘AgroKosova Holding’ dhe pas përfundimit të këtij procesi u bë pranim-dorëzimit i ndërmarrjes te blerësi”, thuhet në njoftimin e AKP-së.


Si pjesë e pranim dorëzimit, AKP thotë se ka dorëzuar Aktvendimin e Kolegjit të Apelit për vendosjen e masës së sigurisë, Raportin e verifikimit dhe regjistrimit të aseteve, Raportin e Doganës për regjistrim të mallit, dokumentet e ndërmarrjes, vulën dhe certifikatën e regjistrimit të biznesit me dokumentet dhe informatat tjera përcjellëse.

Në fund, AKP thotë se shpreson që gjykata në afat sa më të shpejtë do ta trajtoj padinë e palës ndaj AKP-së dhe do të merr vendim meritor në interes të publikut dhe pronës shoqërore.

Në fillim të muajit shkurt, AKP nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kishin shkuar në zyrat e AgroKosova Holding, ku kanë marr nën administrim këtë ndërmarrje. Sipas AKP-së, ky veprim është bërë pas tërheqjes së aksioneve nga kjo ndërmarrje.

Historiku i privatizimit të ndërmarrjes AgroKosova Holding që kaloi nën administrim të AKP-së
Lexo po ashtu Historiku i privatizimit të ndërmarrjes AgroKosova Holding që kaloi nën administrim të AKP-së

Çfarë kishte ndodhur me privatizimin?

AgroKosova Holding apo ish-NBI Suhareka është privatizuar më datën 27 gusht 2007 nga blerësit Gruppo Vinicolo Fantinel dhe QMI përmes metodës së Spin Off-it Special në valën e XIX-të të shitjes në vlerë prej 4,175,999 euro.

Njëri nga zotimet e kontraktuara ishte që bleri të bëjë investime në vlerë prej 8.6 milionë eurove brenda periudhës dy vjeçare.

Te pjesa e punësimit, blerësi zotohej se do të punësonte minimum 172 punëtorë për 6 muajt e parë, ndërsa gjatë vitit të dytë të punësonte minimum 345 punëtorë.

AKP thotë se si rezultat i mos përmbushjes së Marrëveshjes së Zotimeve, nga viti 2011 deri në vitin 2013 i ka lëshuar blerësit ndëshkimet financiare në vlerë prej 3,579,997.53 euro, për të cilat ndëshkime blerësi ka bërë ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, për të cilat ende nuk ka vendim përfundimtar, shkruan Telegrafi.

Që nga fillimi i periudhës së zotimeve e deri në shtator 2019, në ndërmarrjen AgroKosova Holding janë realizuar pesë auditime të jashtme.

Po ashtu, AKP thotë se blerësi dhe ndërmarrja kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, sepse sipas tyre janë përmbushur vetëm 24.67 për qind e zotimeve për punësim, deri më 15 prill 2017.

Në anën tjetër, AKP thotë se shkelje e kontratës është edhe fakti se edhe zotimin për investime e kanë përmbushur vetëm në 85.79 për qind. Investimet e verifikuara nga auditorët e jashtëm kanë qenë 7,378,005.82 nga vlera prej 8.6 milionë e paraparë në kontratë.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve, AKP thekson se në përputhje me kompetencat dhe mandatin ligjor si dhe në përputhje me Marrëveshjen e Zotimit, Bordi i Drejtorëve ka miratuar tërheqjen e aksioneve të AgroKosova Holding nga Suhareka dhe kthimin e tyre në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Veç kësaj, AKP thotë se ka marr vendim që të kërkohet nga blerësi që të kthej mjetet e shpronësimit të cilat i janë paguar nga Qeveria e Kosovës për shpronësimin e disa pronave të ndërmarrjes për nevoja të autostradës. /Telegrafi/