Xhudistët tanë, Akil Gjakova dhe Dardan Cena ishin pafat duke u eliminuar në faza të ndryshme në garat deri në 73 kilogramë, në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi.

Akil Gjakova i nisi garat mirë duke fituar në fazën e 1/16-tës francezin Maxime Gobert, ndërsa u kualifikua në çerekfinale pasi në 1/8-tën mposhti me një “ippon” xhudistin nga Moldavia, Victor Serpu.


Megjithatë, në çerekfinale ishte i pafat pas një luftë të madhe me gjeorgjianin Lasha Shavdatiashvili, ku u mposht, për t’i vazhduar garat me anë të repesazhit.

Në ndeshjen e parë të repezazhit, Gjakova u ndal nga hungarezi Daniel Szegedi, i cili e mposhti me ‘ippon’ duke ia mohuar medaljen e bronztë.

I pafat gjatë ditës së sotme ishte edhe xhudisti tjetër Dardan Cena, i cili u eliminua në luftën e tretë nga rusi Danile Lavrentev.

Në raundin e parë, Cena mposhti izraelitin Baruch Shmailov, ndërsa në raundin e dytë triumfoi ndaj Said-Magomed Khalidov.

Vlen të theksohet se dje (e mërkurë) Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë të Kampionatit Evropian në kategorinë deri në 52 kilogramë. /Telegrafi/

telegrafi sport app