Ajax kishte planifikuar të përmbushte dëshirën e fundit të një tifozi të sëmurë, por sjellja e disa huliganëve e pengoi këtë moment të veçantë.

Tifozi, i quajtur Peter, jetonte në një qendër paliative dhe shprehu dëshirën për të ndjekur një ndeshje të Ajaxit për herë të fundit. Ai ishte planifikuar të merrte pjesë në ndeshjen kundër Groningenit të dielën, por ndeshja u ndërpre vetëm pesë minuta pas fillimit për shkak të një shfaqjeje të madhe fishekzjarrësh nga mijëra tifozë.


Pas rifillimit të ndeshjes 40 minuta më vonë, pjesa tjetër e ndeshjes u shty për të martën (sot), dhe Ajaxi kishte planifikuar që Peter të ndiqte ndeshjen nga tribunat në mënyrë private.

Megjithatë, të martën u bë e qartë se gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar, duke e bërë të pamundur përmbushjen e dëshirës së tij të fundit.

“Kur vullnetarët mbërritën në spital për të përmbushur dëshirën e Peterit, për fat të keq gjendja e tij ishte përkeqësuar aq shumë sa kjo nuk mund të realizohej,” deklaroi për RTL News WensenAmbulance Noord-Holland, organizata bamirëse që ndihmon njerëzit në fazë terminale.

André, një nga stafi i organizatës, tregoi se Peter kishte luajtur futboll gjithë jetën, ishte edhe gjyqtar dhe ndjek nga afër Ajaxin.

“Futbolli është e gjithë jeta e tij. Kujdesi paliativ donte ta bënte të mundur që ai të shkonte në një ndeshje të fundit,” tha Andre.

Ai shtoi se Peteri ishte shumë i zhgënjyer kur ndeshja u ndërpre, pavarësisht vendit të shkëlqyer që mori në stadium.


Në mediat sociale u bë thirrje që Peterit t’i lejohej të merrte pjesë në ndeshjen e shtyrë, dhe Ajaxi kishte konfirmuar këtë mundësi. Por, për fat të keq, ai nuk mundi të marrë pjesë në fitoren 2-0 të skuadrës në ndeshjen që rifilloi nga minuta e gjashtë. /Telegrafi/

telegrafi sport app