E ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se gjatë fundjavës Banka e Postës e Serbisë ka ngritur “katër degë” në afërsi të vendkalimeve kufitare me Kosovën: Jarinje, Bërnjak, Konçul dhe Merdare.

Kjo gjë, siç raportojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, është bërë, siç thuhet “për të ofruar vazhdimësi në pagesat me para të gatshme për klientët e saj nga Kosova, por gjithashtu ofroi qasje sa më të afërt në arkë, bankomat dhe shërbime të tjera bankare”.


418598085 286161721168105 1253537392759360463 n

Siç pretendohet më tej, kjo është bërë për shkak se serbët, për shkak të lëvizjeve të Albin Kurtit, i cili nga 1 shkurti i këtij viti ndaloi përdorimin e dinarëve dhe transaksionet e pagesave të Republikës së Serbisë në Kosovë, nuk kanë mundur të marrin pagat e tyre në degët e tyre brenda territorit të Kosovës, përfshirë edhe pensionet, përfitimet sociale dhe të gjitha përfitimet e tjera që u jepen nga shteti i Serbisë.

Sipas tyre, këto degë të improvizuara u vendosën në lokacionet sa më të afërta me vendkalimet, duke qenë se një zgjidhje e tillë teknike ishte e vetmja e realizueshme në këto rrethana.

Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e futi në fuqi një rregullore më 1 shkurt, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme për transaksionet e pagesave në Kosovë.

Në bazë të saj, Dogana e Kosovës, dy herë gjatë muajit të kaluar, ndaloi hyrjen e dinarëve nga Serbia në Kosovë, me arsyetimin se nuk e ka miratimin e BQK-së. /Telegrafi/