Barcelona ka bërë një hap të madh drejt transferimit të Nico Williams, yllit të Athletic Bilbaos dhe kampionit të ri evropian me Spanjën në Euro 2024.

Sipas raporteve të fundit, klubi katalanas ka arritur një marrëveshje personale me futbollistin 21-vjeçar, i cili pritet të nënshkruajë një kontratë gjashtëvjeçare, me një pagë vjetore mes 7 dhe 8 milionë euro.


Tani, mbetet vetëm të zgjidhet aspekti formal: aktivizimi i klauzolës së lirimit prej 58 milionë eurosh, që e mban të lidhur me Athletic Bilbaon deri në vitin 2027.

Në një kthesë të papritur dhe me tone humori, Zenit St. Petersburg i "doli në ndihmë" Barcelonës përmes një veprimi simbolik në TikTok, duke dhuruar para për të ndihmuar klubin katalanas në pagimin e klauzolës.

Në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale, Zenit shkruante: “Na dhatë Malcomin, tani është radha jonë t’ju ndihmojmë!”.

Ky gjest ishte një referencë ndaj transferimit të Malcom nga Barça te Zenit në verën e vitit 2019, ku braziliani kaloi katër sezone të suksesshme, duke shënuar 42 gola në 109 paraqitje.

Transferimi i Nico Williams shihet si një përforcim kyç për Barcelonën e Joan Laportës, që kërkon të ndërtojë një skuadër të fortë për trajnerin Hansi Flick.

Me shpërthimin e tij në Euro 2024 dhe fleksibilitetin për të luajtur në disa pozicione ofensive, Williams është cilësuar si një nga talentet më premtues në Evropë.

Tashmë pritet që negociatat me Athletic të finalizohen në ditët në vijim, klauzola e lirimit mbetet mënyra më e shpejtë për të zyrtarizuar transferimin. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app