Abdixhiku: Le të flasim më pak e të punojmë më shumë, ky është fillimi ynë i ri

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për bashkim dhe angazhim më të madh politik, duke theksuar nevojën për më pak fjalë dhe më shumë punë.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve dhe strukturave partiake, Abdixhiku u shpreh se ka ardhur koha për një fillim të ri dhe për rreshtim pas zërit qytetar, i cili, sipas tij, pret shumë nga LDK-ja.
“Le të ecim bashkë tani. Ky është fillimi ynë i ri. Ka kohë kur më e rëndësishme se fjalët që thuhen, janë fjalët që ruhen. Sot është pikërisht ajo kohë. Le të flasim më pak, le të punojmë më shumë. Le të rreshtohemi pas zërit qytetar që nga ne pret shumë,” ka deklaruar Abdixhiku.
Ai shtoi se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e hapur për qytetarët dhe për angazhimin e përbashkët drejt forcimit të alternativës politike që përfaqëson.
“Lidhja ju pret dhe ju thërret,” përfundoi kreu i LDK-së.
Mesazhi i Abdixhikut vjen në një kohë kur LDK-ja po synon konsolidimin e brendshëm dhe rifitimin e besimit qytetar në prag të zhvillimeve të ardhshme politike në vend./Telegrafi.
















































