A ka filluar lindja? Ja si t’i dalloni shenjat e para nga kontraktimet e rreme

Çdo shtatzënë i ndien, por jo të gjitha kontraktimet nënkuptojnë lindje – dallimi është më i lehtë se mendoni
Në fund të shtatzënisë, trupi fillon të “ngrohet” për lindje, ndaj kontraktimet e mitrës bëhen më të shpeshta dhe shpesh konfuze. Disa prej tyre tregojnë se lindja po afrohet, ndërsa të tjerat se ajo tashmë ka filluar. Edhe pse mund të duken të ngjashme, ekzistojnë dallime të qarta mes kontraktimeve të rreme (Braxton-Hicks) dhe atij të vërtetave.
Sipas udhëzimeve të institucioneve kryesore të obstetrikës dhe gjinekologjisë, përfshirë Mayo Clinic, Cleveland Clinic dhe ACOG (American College of Obstetricians and Gynecologists), kontraktimet dallohen sipas ritmit, kohëzgjatjes, intensitetit dhe reagimit të trupit ndaj pushimit.
Çfarë janë kontraktimet e rreme (Braxton-Hicks)?
Kontraktimet Braxton-Hicks janë shtrëngime të parregullta dhe të përkohshme të mitrës, që mund të shfaqen që në gjysmën e dytë të shtatzënisë, më shpesh në tremujorin e tretë. Ja si mund t’i njihni:
• Zakonisht janë të shkurtra dhe jo shumë të dhimbshme.
• Dhimbja nuk shtohet dhe intervalet mes kontraktimeve nuk shkurtohen.
• Zhduken me pushim, hidratim ose ndërrim pozicioni.
• Nuk shkaktojnë hapjen e qafës së mitrës.
Me fjalë të tjera, ato janë përgatitje e trupit për lindje, por jo fillimi i saj i vërtetë, transmeton Telegrafi.
Çfarë janë kontraktimet e vërteta?
Kontraktimet e vërteta ndodhin në intervale të rregullta, me kalimin e kohës bëhen më të forta dhe më të shpeshta, dhe zgjasin rreth 30 deri në 70 sekonda secila. Dhimbja shpesh fillon në pjesën e përparme të barkut dhe përhapet drejt pjesës së poshtme të shpinës; pushimi ose ndryshimi i pozicionit nuk ndihmojnë.
Në ndryshim nga kontraktimet Braxton-Hicks, kontraktimet e vërteta shkaktojnë shkurtimin dhe hapjen e qafës së mitrës, që do të thotë se lindja po përparon. Shenjat shoqëruese mund të përfshijnë:
- Rritje të sekrecioneve ose dalje të “tapit mukoz” me gjurmë gjaku.
- Çarje e qeses së ujit (përplasja e ujërave).
- Ndjesinë që foshnja po “zbret” në legen.

Si t’i dalloni më lehtë?
Ritmi dhe forca: Tek kontraktimet e vërteta, intervalet shkurtohen dhe bëhen më të qëndrueshme e më të forta. Tek ato të rreme, mbeten të parregullta dhe pa rritje të intensitetit.
Reagimi ndaj pushimit dhe lëvizjes: Kontraktimet Braxton-Hicks zakonisht zhduken pas ndërrimit të pozicionit, një shëtitjeje, dushi të ngrohtë ose pas pirjes së ujit. Të vërtetat nuk zbuten – madje mund të përforcohen edhe me pushim.
Kohëzgjatja dhe vendndodhja e dhimbjes: Kontraktimet e vërteta zgjasin 30–70 sekonda dhe janë aq intensive sa vështirësojnë të folurin apo ecjen. Të rremet janë më të shkurtra, më të buta dhe ndihen vetëm përpara, ndërsa të vërtetat përfshijnë edhe shpinën.
Shenjat shtesë të lindjes: Dalja e tapit mukoz, çarja e ujërave dhe zbritja e foshnjës tregojnë se lindja është shumë afër dhe pothuajse gjithmonë shoqërohen me kontraktime të vërteta.
Çfarë të bëni kur ndieni kontraktime?
Nëse nuk jeni të sigurt nëse bëhet fjalë për kontraktime të vërteta, pushoni 30–60 minuta, ndryshoni pozicionin ose bëni një shëtitje të shkurtër. Ekspertët gjithashtu këshillojnë të pini ujë dhe të ndiqni ritmin e kontraktimeve për 60–90 minuta.
Nëse kontraktimet bëhen të rregullta, më të forta dhe intervalet shkurtohen (p.sh. nga dhjetë në pesë minuta), me shumë gjasë lindja ka filluar. Nëse jeni në dilemë, gjithmonë konsultohuni me gjinekologun ose kërkoni ndihmë mjekësore.
Kur duhet kërkuar menjëherë ndihma?
Duhet të drejtoheni menjëherë te mjeku në rastet e mëposhtme:
- Çarje e ujërave ose rrjedhje e vazhdueshme e lëngut amniotik.
- Gjakderdhje e madhe ose dhimbje të forta në rritje.
- Lëvizje të dobëta ose mungesë totale të lëvizjeve të foshnjës.
- Temperaturë e lartë, dhimbje koke ose turbullim i shikimit.
- Kontraktime para javës së 37-të që nuk ndalen as pas pushimit.
Në këto situata, nuk ka rëndësi nëse kontraktimet janë “të vërteta” apo “të rreme” – më e rëndësishme është të ekzaminoheni menjëherë nga një specialist. /Telegrafi/







































