LAJMI I FUNDIT:

“LDK do ta arrijë rreth 20 për qind”, Abdixhiku: ​Do të qëndrojmë në opozitë

“LDK do ta arrijë rreth 20 për qind”, Abdixhiku: ​Do të qëndrojmë në opozitë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati për kryeministër ka reaguar pas publikimit të rezultateve të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Në një deklaratë për media, ai theksoi se kishte dashur të priste përfundimin e numërimit të të gjitha votave para se të komentonte mbi rezultatet, por sipas tij, klima aktuale politike e ka bërë të vështirë një proces të tillë normal.

Ai kritikoi KQZ-në për mënyrën e numërimit, duke kërkuar kthimin në metodat klasike, ndërsa shprehu optimizëm për rezultatin e LDK-së.


“LDK do të arrijë rreth 180 mijë vota dhe një përqindje prej afërsisht 20%, një rritje e ndjeshme nga rënia historike. Ky është një rikthim në bazë dhe në numrat tanë historikë,” u shpreh ai.

Sipas tij, edhe pse LDK nuk ka fituar zgjedhjet, rritja e votave për këtë parti, nga 12% në rreth 20%, është një arritje e rëndësishme dhe dëshmi e mbështetjes qytetare.

Duke folur për situatën e përgjithshme paszgjedhore, ai tha se ky rezultat nuk përbën një ndryshim të madh për Kosovën, pasi qytetarët kanë bërë zgjedhjet e tyre dhe ato duhen respektuar.

“LDK mbetet një shtëpi e demokracisë dhe ne do të vazhdojmë rrugën tonë me qetësi dhe vendosmëri,” përfundoi ai, duke bërë thirrje për durim deri në përfundimin e numërimit të plotë të votave.