LAJMI I FUNDIT:

Kurti merr pjesë në Forumin Ekonomik në Davos, do të nënshkruajë marrëveshjen e tregtisë së lirë me EFTA-n

Kurti merr pjesë në Forumin Ekonomik në Davos, do të nënshkruajë marrëveshjen e tregtisë së lirë me EFTA-n

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos.

Gjatë qëndrimit të tij në këtë forum prestigjioz, sipas njoftimit për media Kurti do të nënshkruajë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-s (Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë), që përfshin Norvegjinë, Zvicrën, Lihtenshtajnin dhe Islandën.

Kurti ka theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për zhvillimin ekonomik të Kosovës.


“Kosova është i vetmi vend në rajon që përveç negocimit për tregtinë e mallrave, ka arritur të negociojë edhe për tregti të shërbimeve me EFTA-n. Kjo marrëveshje do të krijojë mundësi të reja për prodhuesit dhe kompanitë tona vendore, dhe do të forcojë partneritetin ekonomik dhe tregtar ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri po ashtu thuhet se do të zhvillojë takime me përfaqësues të shteteve mike dhe partnerëve ndërkombëtarë, si dhe me investitorë potencialë.

Gjatë qëndrimit të tij në Davos, ai do të marrë pjesë në dy panele diskutimi, të cilat do të mbahen në “Shtëpinë e Kosovës” (House of Kosova), e hapur për herë të parë në këtë forum.

Kurti do të marrë pjesë në panelin “Demokracitë e qëndrueshme në një epokë të ndryshimit” dhe në panelin “Inteligjenca Artificiale për Njerëzimin: inovacioni etik në epokën e Inteligjencës”.

Përveç Kurtit, në Forumin Ekonomik në Davos po marrin pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. /Telegrafi/