LAJMI I FUNDIT:

Nga QKUK tregojnë për gjendjen e policëve që u aksidentuan të premten

Nga QKUK tregojnë për gjendjen e policëve që u aksidentuan të premten

Dy nga policët e lënduar mbrëmë nga aksidenti me automjetin zyrtar të blinduar në Zveçan po trajtohen në Kirurgjinë Torakale dhe atë të Klinikës së Ortopedisë me Traumatologji, pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas mjekëve kujdestar, pacientët kanë lëndime trupore, porse gjendja e tyre është stabile.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në këtë aksident janë përfshirë vetë drejtuesi i automjetit zyrtar dhe shtatë pjesëtarë të PK-së, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës.


Dyshohet se drejtuesi i automjetit zyrtar të blinduar ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka dalë jashtë rruge.

Mjeku kujdestar në Kirurgjinë Torakale, Frederik Çuperja tha se pacienti ka thyerje të shumëfishtë të brinjëve dhe ndrydhje të kraharorit, porse gjendja e tij aktualisht është stabile.

Ai potencoi se polici rreth të tridhjetave do të vazhdojë të marrë trajtim në Kirurgjinë Torakale edhe më tutje.

“Gjendja e pacientit është stabile, mirëpo lëndimet mjaftë të rënda. Kemi të bëjmë me ndrydhje të kraharorit dhe thyerje shumëfish të brinjëve. Për fat të mirë nuk po shihen për momentin lëndime të tjera. Por, është ajo procedura e nevojshme që të përcjellët pacienti që të shohim që në të ardhmen a do të paraqitët ndonjë problem apo jo. Aktualisht çdo gjë po shkon në rregull. Besoj që shumë shpejtë do ta lëshojmë edhe në shtëpi. Për momentin po, por është e nevojshme që tek çdo lëndim të kalojnë së paku dy ditë që të themi me një siguri pak më të madhe se a di të ndodhë diçka apo jo. Ky është një djalë i ri, i fuqishëm, thyerja e brinjëve lidhet me paaftësi të përkohshme sa i duhet për rehabilitim, mirëpo besoj që nuk do të ketë probleme dhe pasoja. Pacienti është në të tridhjetat nëse nuk gabohem”, tha Çuperja.

Ndërkaq, shefi i ekipit kujdestar në Klinikën e Ortopedisë me Traumatologji, Ermir Shabani tha se njëri nga policë e pranuar mbrëmë i është nënshtruar një operacioni me ç’rast i është vendosur një pllakë në pjesën e kërcirit (afër gjurit).

Ai tregoi se gjendja e pacientit është jashtë rrezikut për jetë dhe se pritet të lirohet nga spitali pas rreth një jave.

“Mbrëmë rreth orës 22;00 ose 22:30 është pranuar një polic rreth moshë 27 vjeçare pas aksidentit të pësuar në Zveçan, me ç’rast polici në fjalë ka thyerje të kërcirit, frakturë e hapur, e gradës së parë ku menjëherë pas përgatitjes pro operatore është bërë intervenimi operativ. Është stabilizuar thyerja me vendosje të pllakës. Momentalisht gjendja e policit është stabile…Kërciri i bie pjesa e poshtë e këmbës, e cila ka qenë e thyer dhe është vendosur pllakë. Operacioni është kryer dje në orët e vona nga ekipi kujdestar që ka qenë në Klinikën e Ortopedisë. Pacienti është jashtë rrezikut për jetë dhe gjendja e tij është stabile. Pritet të lirohet nga spitali pas javës së ardhshme pas një jave apo dhjetë ditëve”, potencoi Shabani.

Vetaksidenti në fjalë ka ndodhur rreth orës 20:00, sipas Veton Elshanit, zëvendësdrejtor në Policinë e Kosovës në Mitrovicë të Veriut./kp/