LAJMI I FUNDIT:

“Ne më nuk ekzistojmë”: Shqiptarët në Luginë kërkojnë t’i jepet fund “pasivizimit të adresave”

“Ne më nuk ekzistojmë”: Shqiptarët në Luginë kërkojnë t’i jepet fund “pasivizimit të adresave”

Shqiptarët e Luginës së Preshevës në Serbi po protestojnë kundër mënyrës sesi autoritetet e atjeshme po ua shënjojnë adresat e tyre “joaktive” – çfarë nënkupton se më nuk mund të votojnë ose t’i ripërtërijnë dokumentet personale.

Të indinjuar prej viteve të tëra të diskriminimit prej autoriteteve të Serbisë, shqiptarët etnikë kanë protestuar më 3 nëntor në komunën e Medvegjës në Luginën e Preshevës. Protesta ishte e treta në muajt e fundit, pas protestave të mbajtura në dy komunat tjera në Luginën e Preshevës me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Protestuesit kanë marshuar deri te stacioni policor në Medvegjë, të prirë prej liderëve të tyre politikë, dhe kanë vendosur pankarta shkruar shqip: “Kthema Adresën”.


Shkaku i këtyre protestave është fenomeni i njohur si “pasivizimi i adresave”.

Mijëra shqiptarëve etnikë nga tri komunat në Serbinë jugore, Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, u janë shënjuar adresat si “joaktive” prej anës së autoriteteve serbe.

I ashtuquajturi “pasivizim i adresave” nënkupton se ata më nuk mund t’i përtërijnë dokumentet e tyre identifikuese serbe, ose të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore për të nxjerrë dokumente personale, si e drejta e votimit.

Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Serbisë, një trupë shtetërore e themeluar që ta përfaqësojë pakicën etnike shqiptare, i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta vrasë mendjen më shumë ndaj diskriminimit kundër shqiptarëve etnikë në Serbinë jugore.

“Jemi mbledhur këtu për t’ia kujtuar bashkësisë ndërkombëtare se manipulimi me listat e votuesve prej qeverisë aktuale nuk nisi në Beograd (duke iu referuar zgjedhjeve lokale) më 2023, por këtu një dekadë më parë”, ka thënë Lutfiu në fjalimin e tij.

“Jemi detyruar të protestojmë kundër fushatës së pashembullt të shpopullimit”, ka shtuar ai, duke përçuar mesazh te autoritetet: “Kthenani adresat tona, të drejtën për të votuar, të drejtën për t’u pajisur me letërnjoftime dhe pasaporta – sepse protestat tona nuk do të ndalen në komunat shqiptare të Luginës së Preshevës derisa t’i realizojmë të drejtat tona themelore, civile dhe politike”.

Shaip Kamberi, deputet shqiptar në parlamentin e Serbisë, u ka thënë gazetarëve se autoritetet kanë “dështuar t’i jetësonin të drejtat e shqiptarëve”.

“Medvegja është simbol i metodave perfide të spastrimit etnik të një komuniteti prej komuniteteve tjera. Prandaj ka ardhur puna që të ketë reagim qytetar, ndaj kësaj forme të organizimit; ne do të mundohemi të gjejmë rrugë për të shprehur pakënaqësinë tonë, por nuk do të dorëzohemi”, ka thënë ai.

Kamberi ka spikatur se shqiptarët në Serbinë jugore “nuk kërkojnë asgjë më shumë pos çfarë kanë kërkuar gjithashtu pakicat tjera në Ballkanin Perëndimor”.

Arben Ferati, përfaqësues i zyrës për Medvegjë i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Serbisë, i ka thënë BIRN-it se pasivizimi i adresave ka nisur kaherë.

“Kjo praktikë, që qartazi po shënjestron dhe diskriminon anëtarët e komunitetit tonë, ka nisur pasi Serbia aprovoi ligjin e banimit më 2011”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se fakti se regjistrimi i fundit i popullsisë në Serbi tregoi se në Medvegjë u regjistruan vetëm 6.360 banorë, ndodhi për shkak të “pasivizimit” të madh.

Flora Ferati-Sachsenmaier, ligjëruese mbi shoqërinë, politikën dhe kulturën në Universitetin e Gottingenit, ka kalkuluar se ndërmjet viteve 2012 dhe 2019, numri i votuesve të regjistruar në Medvegjë ka rënë nga 10.102 në 6.602 syresh.

Shqiptarët etnikë të Luginës së Preshevës bojkotuan regjistrimit e popullsisë në Serbi më 2011, gjë që nuk mundëson krahasime të tjera.

Ferati ngulmonte në të tijën se gjatë më shumë se dekade, rreth 90 për qind e shqiptarëve në Medvegjë kanë humbur të drejtën për të ushtruar të drejtat e tyre, duke treguar listën e votuesve nga zgjedhjet e vitit 2015, kur shumë shqiptarë etnikë nuk ishin në gjendje të votonin për shkak se adresat u ishin shënjuar si joaktive.

Ai ka thënë se presioni nga bashkësia ndërkombëtare është i domosdoshëm për të pasur “një simetri në të drejtat e pakicës etnike në Ballkanin Perëndimor”.

“Kam jetuar në këtë fshat gjatë gjithë jetës”

Shumë qytetarëve u janë shënjuar adresat si joaktive për shkak se kanë migruar, ose sherri i reperkusioneve të luftës së Kosovës më 1999.

Të tjerëve u janë pasivizuar adresat pavarësisht se asnjëherë nuk janë larguar nga rrethina.

Ramadan Jakupi, një 74-vjeçar nga fshati Dediq në komunën e Medvegjës, ka treguar se kur aplikoi për ta vazhduar afatin e letërnjoftimit të tij serb më 2015, iu tha se adresa e tij ishte “pasivizuar – dhe se nuk dihet se kur kishte ngjarë kjo”.

“U habita fort! Gjatë gjithë jetës time, kam jetuar në këtë fshat”, ka thënë ai për BIRN-in, duke rrufitur kafe në shtëpinë e tij.

Ai do ta merrte vesh se adresa i ishte pasivizuar gjatë dy muajve derisa ai dhe gruaja kishin qëndruar për vizitë dy muaj te vajzat në Francë.

Jakupi madje do të befasohej edhe më fort kur e kujtonte se kishte punuar në ndërtesën e komunës. Ka thënë se “gjithnjë kishte punuar në komunën e Medvegjës, së pari në arsim, pastaj në administratën komunale. Gjatë viteve sa kam punuar për autoritetet e mbrojtjes, kam pasur bashkëpunim të shpeshtë me policinë”, ka thënë ai.

Ndryshe prej shumicës së njerëzve në situata të ngjashme me të tijën, Jakupi mund t’i përdorte lidhjet e tij për ta riaktivizuar adresën.

Ai i “njihte shumicën prej tyre (zyrtarëve komunalë) si miq dhe bashkëkombës”, gjë që i ndihmoi për përmbytur vendimin e pasivizimit të adresës së tij. “Pas ndërhyrjes me krerët e stacionit (policor), ishte lëshuar një urdhër për policinë që ta kryente përsëri procesin për ta verifikuar adresën”, ka shpjeguar ai.

Megjithëse e pranuan gabimin e tyre, “në procedurën e përsëritur, dy patrulla policie erdhën tri herë me radhë për ta bërë verifikimin e shtëpisë”, ka treguar ai. 24 ditë më vonë, iu vazhdua afati i letërnjoftimit.

Jakupit ia mori mendja se “loja” kish marrë fund me kaq. Ama, dy muaj më vonë, një zyrtar policie do ta ndalte derisa po e ngiste makinën me një mik shtëpie. Pasi do t’ia kontrollonte dokumentet personale, polici do t’i drejtohej Jakupit: “Kërkoheni në stacionin policor në Medvegjë. Shiko çfarë ka ngjarë, ose do t’ju pasivizohet adresa”.

Me të arritur në stacionin policor, Jakupi do të informohej se kish një vendim që “më listonte si ‘të kërkuar’ qe pesë vjet, prej vitit 2019”. Meqë e njihte fare mirë, zyrtari do ta anulonte vendimin në të njëjtën ditë.

“Është e kundërta e një procesi të rregullt”

Ligji i Serbisë për banimin më 2011 shkruan se nëse autoritetet përcaktojnë se dikush nuk po jeton në adresat e tyre të banimit, ato adresë mund të klasifikohet si joaktive. Personi është i detyruar të regjistrojë adresën e tij korrekte brenda tetë ditëve pas pranimit të konfirmimit të vendimit.

Por shumica e shqiptarëve, adresat e të cilëve janë pasivizuar, ishin informuar vetëm pasi kishin provuar t’ua vazhdonte afatin e vlefshmërisë dokumenteve, kur regjistronin makinën, shkonin në spital ose kur donin të votonin.

Ferati i ka thënë BIRN-it: “Shumica e qytetarëve nuk ia dolën të merrnin ndonjë dokument në formën e shkruar me kohë pse ishin shlyer, me qëllim që të mund të ndiqnin rrugët ligjore”.

Flora Ferati Sachsenmaier, nga Universiteti i Gottingenit, ka thënë se pasivizimi i adresave të shqiptarëve etnikë në Serbi është ndryshim artificial i përbërjes etnike në rajon.

“Folur politikisht, një prej pasojave të para të pasivizimit të statusin të banorit së fundmi në Serbi është se prek të drejtat e njerëzve për të votuar në zgjedhje lokale”, ka shkruar ajo në një raport të publikuar në shtatorin e 2023-s në Institutin për Studimin e Diversitetit Etnik dhe Fetar, “Max Planck”.

Ajo ka shpjeguar se me ligj, sipas një procesi të rregullt, një qytet “duhet të jetë plotësisht i njoftuar për drejtat e tij apo të saj individuale, reperkusionet legale që dalin prej zhvendosjes prej njërës pjesë të vendit në tjetrën, ose nëse jetojnë jashtë vendit”. Megjithatë, shton ajo, “çfarë ka ndodhur në Serbinë jugore që nga viti 2011 është e kundërta e një procesi të rregullt pasivizimi”.

Ferati-Sachsenmaier ka anketuar një mijë shqiptarë etnikë prej 16 deri në 75 vjeç për studimin e saj dhe ka zhvilluar 100 intervista nga nëntori i 2019-s deri në korrik të 2021-s.

“Më shumë se 90 për qind e respondentëve (902 individë) kanë treguar se kanë humbur të drejtën e tyre të votimit në zgjedhjet lokale në qytetet e tyre për shkak të pasivizimit të adresave të tyre të banimit.

Ministria serbe e Drejtave të Njeriut mohon se pasivizimi i adresave synon humbjen automatike të të drejtave të njeriut.

I ka thënë BIRN-it se “qytetarët… adresa e banimit e të cilëve është çaktivizuar nuk janë shlyer prej regjistrave të qytetarëve të Republikës së Serbisë”, çka nënkupton se atyre “nuk u është mohuar qasja në të drejtat themelore, rrjedhimisht dokumentet personale dhe të gjitha të drejtat e tjera, të drejtën e sigurimit shëndetësor, sigurimit social, të drejtat e shkollimit dhe të tjera”.

Megjithatë, Ferati-Sachcenmaier ka nxjerrë përfundimin se prej grupit të objektit të studimit të saj, “rreth 50 për qind (510 respondentë) kanë theksuar se aktualisht nuk as kanë letërnjoftime e as pasaporta të vlefshme, për shkak se Ministria e Brendshme serbe ua kishte refuzuar kërkesën për vazhdimin e vlefshmërisë së letërnjoftimeve dhe dokumenteve të udhëtimit, me pretendimin se ‘më nuk jetojnë në Serbi’”.

Që nga viti 2020, BIRN-i ka raportuar për shumë raste të shqiptarëve etnikë, adresat e të cilëve janë pasivizuar në Serbi, pavarësisht se kanë prona atje, paguajnë taksa dhe nuk duan të heqin dorë prej shtetësisë serbe.

Arben Ferati i ka thënë BIRN-it: “Këta qytetarë, adresat e të cilëve janë shlyer, më nuk ekzistojnë, kështu që në fakt ata bëhen qytetarë pa shtet në kuptimin e asaj se nuk mund t’i vazhdojnë afatet e letërnjoftimeve, pasaportave, humbin pensionet e sigurimit social, nuk mund t’i përditësojnë xhirollogaritë bankare”.

Autoritetet mohojnë se cak i kanë shqiptarët

Llogaritet se më shumë se gjashtë mijë shqiptarëve etnikë në Serbinë jugore u janë pasivizuar adresat viteve të fundit, megjithëse autoritetet serbe nuk kanë ofruar të dhëna të sakta për këtë çështje, ose publikisht e kanë hedhur poshtë.

Serbia i ka hedhur poshtë pretendimet se adresat e shqiptarëve etnikë po çaktivizohen në mënyrë selektive.

Ministria serbe e të Drejtave të Njeriut i ka thënë BIRN-it se ligji mbi banimin i vitit 2011 zbatohet barabarësisht për të gjithë qytetarët, pavarësisht sfondit të tyre etnik, duke mohuar kastile e diskriminueshën po i shënjestron shqiptarët etnikë.

Sipas studimit të Ferati-Sachsenmaierit, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve etnikë kanë pranuar shifra të ndryshme zyrtare.

Bazuar në dokumentet që iu referohet, të analizuar edhe nga BIRN-i, më 9 dhjetor 2020, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, në një letër dërguar deputetit shqiptar Kamberi, pretendonte se 1.752 personave u ishin pasivizuar adresat nga janari 2017 deri në 26 nëntor 2020 në vendbanimet me shumicë shqiptare në Medvegjë. Në një letër të dytë, ai hidhte poshtë çfarëdo pasivizimi ndërmjet viteve 2011-2017.

Megjithatë, Ferati-Sachcenmaier thekson se drejtoria rajonale e Ministrisë së Brendshme në Leskovc, që mbulon Medvegjën, i ka thënë ish-kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, se nga zbatimi i ligjit të ri mbi banimin më 29 nëntor 2011 deri më 12 mars 2020, 4.214 qytetarëve i ishin pasivizuar adresat në Medvegjë.

Letra, të cilën e ka parë BIRN-i, shpjegon se qeveritë lokale e bënë këtë pas përditësimit të të dhënave të rrugëve dhe numrave të shtëpive dhe pas përcaktimit se “ka një numër të madh objektesh në adresa ku më nuk ekzistojnë qytetarët që kanë një rezidencë të regjistruar”.

Letra thotë se shumë letra njoftuese do të mund të dërgoheshin, me pretendimin se kjo provon se vendimet ishin korrekte. Pretendon njashtu se numri i vogël i ankesave të dorëzuara tregon se të justifikueshme ishin vendimet e pasivizimit.

Ngjashëm, Ministria serbe e të Drejtave të Njeriut i ka thënë BIRN-it se “sipas të dhënave  … një numër skajshmërisht i vogël qytetarësh janë ankuar për vendimet e pasivizimit, që mund të jetë një prej treguesve se ata nuk jetojnë në adresat që i kishin regjistruar si objekte të tyre banimi”.

Në korrikun e vitit 2020, presidenti Aleksandar Vuçiq pretendonte se vetëm 300 shqiptarë jetonin aktualisht në Medvegjë.

Më 2020, BIRN-i raportonte për Ilaz Rushitin nga Medvegja, i cili ka një shtëpi më shumë se njëqind vjet të vjetër në një fshat atje dhe i cili kishte investuar 15 mijë euro për renovimin e saj, para se ta merrte vesh më 2019, kur nuk do të mund ta gjente emrin në listën e votimit, se adresa i ishte pasivizuar. Rastet e ngjashme janë të shpeshta.

Afati legal për ankesë është tetë ditë, por shumica e shqiptarëve etnikë nuk marrin kurrfarë njoftimi për pasivizim, ose fare pak. Vetëm 20 prej 500 shqiptarëve etnikë, që i kishte intervistuar Ferati-Sachsenmaier, kishin marrë vendime zyrtare.

Përderisa përfaqësuesit politikë të shqiptarëve etnikë i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë presion, presioni pothuajse fare nuk ekziston.

Raporti i progresit i BE-së për Serbinë u ka bërë thirrje autoriteteve të vendit “që t’ia qartësojnë më mirë publikut sesi kryhen këto kontrolle”, por nuk është lëshuar më tej.

Ferati, nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, pretendon se qytetarë shqiptarë etnikë, u desh të qëndronin një vit pa u larguar fare nga vendbanimet e tyre, në pritje të verifikimit të adresave të tyre – dhe “ditën kur e kaluan kufirin, autoritetet i shënjuan si ‘nuk janë në shtëpi’”.

“Kjo krijon paqartësi totale për shkak se ne nuk e dimë se çfarë do të na sjellë e nesërmja ‘lojëra’ si këto”, ka thënë 74-vjeçari Jakupi. “Gjithnjë duhet të jetojmë me një barrë mbi shpatulla”. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Lajme
Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Siguri
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë

Dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori