Nga: Enuma Okoro / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Këto ditë, në një mëngjes të bukur vjeshte, rrija ulur në verandën time, duke parë erën që frynte nëpër pemën përballë apartamentit. Gjethet dridheshin në degë dhe herë pas here ndonjëra dorëzohej, duke rënë ngadalë në tokë. U preka nga lëvizja e hijshme me të cilën ato binin dhe nga ndjenja e paqes që i shoqëronte.
Vjeshta është një stinë kaq e lavdishme, por gjithashtu një periudhë e ngarkuar me simbolikën e vdekjes. Sa më gjatë që rrija aty, aq më shumë mendoja se si shpesh i shmangemi bisedës apo reflektimit mbi vdekjen si një fazë e pashmangshme e jetës. Nuk është një temë e lehtë për t’u përballur, veçanërisht kur kemi njerëz në jetën tonë që janë të sëmurë rëndë ose që po përballen me humbje. Por, nëse do të kishim më shumë guxim për ta hapur këtë temë tabu, pyes veten nëse kjo do të na ofronte një mundësi për të shqyrtuar atë që mund të fitojmë duke njohur ndërthurjen e jetës dhe vdekjes.
Në pikturën e shekullit XVIII të Joseph Wrightit nga Derbi, Një eksperiment me zogun në pompën e vakumit, ndodhin shumë gjëra interesante. Dhjetë njerëz janë të mbledhur në një dhomë të ndriçuar vetëm nga një qiri dhe nga shkëlqimi i hënës së plotë. Grupi është mbledhur rreth një tavoline, duke vëzhguar se çfarë do të ndodhë kur një zog, i bllokuar në një kavanoz qelqi, privohet nga ajri.
Reagimet e shikuesve duket se japin një pasqyrë të mënyrave se si ne i qasemi vdekjes kur ajo është pranë nesh. Çifti në të majtë, i zhytur në pasionin e dashurisë së re, përqendrohet vetëm te vetja, thuajse duke e konsideruar vdekjen diçka morbide apo joreale. Djali i ulur pranë çiftit e ngul shikimin me kureshtje, duke pyetur veten, si çdo fëmijë, se çfarë ndodh kur diçka e gjallë vdes. Dy zotërinjtë ulur në tavolinë nuk e kanë vështrimin te zogu, si të ngurrojnë të mendojnë për çështjen e vdekshmërisë. Djali i ri prapa hedh një vështrim drejt zogut me një grimasë trishtimi, ndërsa një vajzë e vogël, me kureshtje dhe frikë i kapet motrës së saj më të madhe, e cila ia mbulon fytyrën me duar. Babai i tyre, nga ana tjetër, me qetësi i tregon pompën e vakumit, sikur përpiqet t’ua tërheqë vëmendjen ndaj asaj që po ndodh.
Vuajtja e zogut është diçka nga e cila, siç paramendoj unë, shumë prej nesh do të largonin shikimin. Megjithatë, ka diçka në pranimin e vdekjes dhe të procesit që çon drejt saj, që na detyron të kuptojmë se sa i hollë është pragu që ndan jetën dhe vdekjen. Nuk do ta harroj kurrë përvojën kur u detyrova të ndahesha nga qenushja ime e dashur. Kishim kaluar 11 vjet bashkë, që nga koha kur ajo ishte tetëjavëshe. E mbajta kokën e saj në prehër dhe ia përkëdhela fytyrën derisa lotët rridhnin nga unë. Por, në të njëjtën kohë, ndjeva një lehtësim të qartë dhe të papërshkrueshëm nga ajo. Dhe, sado e dhimbshme, ishte një nder të ndaja bashkërisht me të orët e saj të fundit, duke e kujtuar atë si të vogël dhe si qenushen e vrullshme, plot gjallëri, që vraponte nëpër oborr përpara se të shfaqej në derën e kuzhinës, duke gulçuar plot energji.
Nuk kam fjalë të mençura si Buda për vdekjen. Por, nëse do të ndanim një minutë për të imagjinuar se ku do të futeshim ne në pikturën e Wrightit, kjo mund të na çojë në shtigje befasuese të mendimit ose të na ofrojë ndjenja për të hulumtuar se ku e gjejmë veten në jetën tonë. Mendoj se kjo ka një vlerë të madhe.
Në pikturën Gjumi dhe gjysmë-vëllai i tij vdekja (1874) nga John William Waterhouse, artisti i referohet historisë mitologjike greke të Hipnosit, perëndisë së gjumit, dhe Tanatosit, perëndisë së vdekjes, të cilët ishin vëllezër binjakë. Një djalë dremit mbi një shtrat, me kokën mbështetur mbi supin e vëllait të tij, i cili qëndron pranë tij, i mbuluar nga errësira. Në shumë histori të lashta, gjumi dhe vdekja krahasoheshin me njëra-tjetrën. Kur jemi në gjumë, është sikur përkohësisht largohemi nga bota; nuk ka siguri që ndonjëri prej nesh do ta shohë agimin. Piktura e Waterhouseit ofron një përkujtim të thellë të kësaj: duket se është e lehtë të thuhet që jeta dhe vdekja qëndrojnë pranë njëra-tjetrës.
Megjithatë, nga përvoja ime, mund të jetë një sfidë të pranojmë sa afër jemi me vdekjen – diçka që bëhet dhimbshëm e dukshme kur përpiqemi të qëndrojmë pranë atyre që njohim, pasi ata humbasin një të dashur ose kur vetë ata përballen me vdekjen e afërt. Disa herë në jetë kam qenë në atë situatë që të thyen zemrën dhe ta ndal frymën, kur ndihesha se nuk isha e aftë të ndihmoja personin tjetër. Pyes veten nëse do të ishim më të mirë në mbështetjen e njëri-tjetrit, sikur të ishim më të mësuar me këmbimin e mendimeve, besimeve ose pyetjeve tona rreth fundit të jetës.
Së fundmi, pata një bisedë me artisten ganezo-gjermane Zohra Opoku, në kuadër të Javës së Artit në Berlin. Po flisnim për punën e saj të viteve 2020-2022, për Mitet e jetës së përjetshme, të cilën ajo e filloi gjatë trajtimit të kancerit të gjirit në të dyzetat e saj të hershme. Natyrisht, Opoku u kthye te mendimet për vdekjen e saj dhe u prek shumë pasi në një muze shikoi artefaktet e lashta egjiptiane. Ajo filloi të hulumtojë “Magjitë e kthimit kah dita” (të njohur më shumë si Libri i të vdekurve), një koleksion i lashtë magjish që synonin të mbronin dhe ndihmonin ata që kalonin nga kjo jetë në jetën e përtejme.
Shumë nga veprat në serinë e Opokut kanë si tituj pjesë nga magjitë e lashta. Vepra e saj e vitit 2023, Unë jam tmerri në stuhi që mbron të mëdhenjtë në luftë. Thika e mprehtë godet për mua. Zoti Ash më ofron freski, është një printim ku artistja shfaqet duke ecur përpara. Trupi i saj, megjithatë, nuk është i plotë: koka, busti dhe këmbët janë të shkëputura nga njëra-tjetra, ndërsa këmbët dhe duart janë shumëzuar. Duket sikur ajo është zhveshur nga sëmundja dhe trajtimi i saj, por në një farë mënyre vepra gjithashtu flet për ndërgjegjësimin e saj për pjesët e ndryshme të vetes – madje edhe për pjesët që mund të humbasë – dhe përpjekjet e saj për t’u pajtuar me këtë.
Imazhet e duarve të saj në formë lutjeje janë shpërndarë në gjysmën e sipërme të kanavacës, duke dhuruar dhe duke marrë gjërat nga jeta e saj dhe realitetet e reja. Pemët e zhveshura të dimrit, në sfond, pasqyrojnë përvojën e saj të gjetjes së ndihmës shpirtërore dhe emocionale në natyrë. Është paraqitja artistike e një gruaje që e shijon jetën që ende ka, teksa lundron në realitetin e një trupi të sëmurë mbi të cilin ka pak kontroll. Puna e Opokut na fton të shqyrtojmë se çfarë do të thotë të jetosh dhe të vdesësh në të njëjtën kohë, një fenomen që rritet nga diagnoza dhe që megjithatë mbetet i vërtetë për të gjithë ne në çdo ditë. Kur e pyeta Opokun se çfarë e kishte befasuar në lidhje me përvojën e saj të sëmundjes, ajo tha se kjo e kishte mësuar të jetonte me më shumë respekt për veten, të ishte më e qëllimshme në artin dhe marrëdhëniet e saj.
Nuk mendoj se ndonjëri prej nesh mund ta imagjinojë plotësisht se cila do të ishte përgjigja jonë kur përballemi me mundësinë reale të vdekjes sonë ose të dikujt të dashur për ne. Por, e di që në ato raste, kur përballem me perspektivën e vdekjes sime, kjo më shtyn të mendoj se si të jetoj tani, për gjendjen e marrëdhënieve të mia dhe për vlerën që i caktoj çdo gjëje apo përvoje. Nëse soditja për vdekjen tonë mund të na bëjë të ndalemi dhe të pyesim veten nëse jemi të kënaqur me mënyrën se si jetojmë, a nuk ia vlen guximi për ta parë herë pas here jetën dhe vdekjen drejt e në sy? /Telegrafi/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
Gjigantët brazilian kanë konfirmuar interesimin për Sergio Ramos – ndërsa raportimet për Real Madridin vazhdojnë