LAJMI I FUNDIT:

Vriten tre izraelitë pranë kufirit me Jordaninë

Vriten tre izraelitë pranë kufirit me Jordaninë

Një person i armatosur ka vrarë tre izraelitë në një sulm pranë kalimit kufitar të urës Allenby me Jordaninë përpara se forcat e sigurisë ta qëllonin për vdekje, kanë njoftuar autoritetet izraelite.

“Një terrorist iu afrua zonës së urës Allenby nga Jordania me një kamion, doli nga kamioni dhe hapi zjarr ndaj forcave izraelite të sigurisë që vepronin në urë”, deklaroi IDF.

“Terroristi u eliminua nga forcat e sigurisë, ndërsa tre civilë izraelitë u shpallën të vdekur si rezultat i sulmit”, shton deklarata.


Vendkalimi kufitar njihet edhe si Ura e Mbretit Husein, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Ai shtrihet rreth mesit të rrugës midis Amanit dhe Jerusalemit, në veri të Detit të Vdekur.

Ndryshe, Jordania arriti paqen me Izraelin në vitin 1994, por që atëherë ka qenë kritike e ashpër e politikave izraelite karshi palestinezëve.

Pikëkalimi Allenby përdoret kryesisht nga izraelitët, palestinezët dhe turistët ndërkombëtarë.

Në Bregun Perëndimor është rritur dhuna prej se Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja – kreu një sulm në Izrael më 7 tetor.

Izraeli kryen arrestime pothuajse të përditshme në zonat e dendura palestineze. Për më tepër, dhuna e kolonëve izraelitë dhe sulmet palestineze ndaj izraelitëve janë rritur dukshëm prej vitit të kaluar. /Telegrafi/