Nga: Adam Scovell / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Ke ndier ndonjëherë se je i vëzhguar? Sa kamera të kapën sot gjatë rrugës për në punë? Sa kompani i gjurmuan shprehitë tua të blerjes gjatë pushimit të drekës? Ku shkon gjithë ky informacion që merret për ty?
Këto mund të jenë pyetje të rëndësishme në epokën dixhitale, kur teknologjia e shekullit XXI ua jep korporatave dhe institucioneve qasjen e paparë ndaj informatave tona personale. Por, kjo temë për dekada të tëra kanë qenë subjekt i brengave të mëdha. Me siguri gjatë viteve 1970, veçanërisht në ShBA, ku çështja e mbikëqyrjes dhe privatësisë për herë të parë doli tamam në fokus. Skandalet politike të dekadës sollën rritjen e tillë të ndërgjegjësimit rreth këtyre çështjeve, saqë shpejt u filtruan drejt kulturës popullore dhe veçanërisht në kinema.
Kinemaja Amerikane e Valës së Re – lëvizja e regjisorëve të rinj rebelë që riformësuan industrinë e filmit nga mesi i viteve 1960 – ishte veçanërisht e angazhuar në këto tema. Nga filmat Klute (1971) dhe The Parallax View (1974) të Alan J Pakulasit e deri te Three Days of the Condor (1975) i Sydney Pollackut, trilerët amerikanë anuan kah paranoja. Ndoshta më i suksesshmi dhe më i qarti nga gjithë ishte The Conversation (1974) i Francis Ford Coppolas, që premierën e pati 50 vjet më parë në këtë javë.
The Conversation ndjek Harry Caulin (Gene Hackman), ekspertin e aftë të mbikëqyrjes. Ngarkohet nga një klient në hije – i njohur për të si “Drejtori” (Robert Duvall) – për punën e vështirë të regjistrimit të bisedës së një çifti që ecën në Qarkun e zhurmshëm Union në San Francisko, duke regjistruar me përpikëri atë që ai dyshonte se ishte aferë.
Cauli përballet me dilemat etike, teksa lundron në botën e errët të profesionit. Kur e monton kasetën, shqetësohet se do të përdoret për qëllime të tjera, përveç vëzhgimit të thjeshtë, duke refuzuar përfundimisht t’ia dorëzojë punën vartësit të Drejtorit, Martin Stett (Harrison Ford). Duke besuar se nga ajo që dëgjon në regjistrim mund të ketë komplot për të vrarë çiftin – gjysma e të cilit është gruaja tradhtare e Drejtorit (Cindy Williams) – bëhet paranojak se vetë ai po mbikëqyret. Intensifikohen faji dhe obsesioni i Caulit, duke çuar në shkatërrimin e jetës së tij personale dhe profesionale: ai gjithashtu është i përhumbur nga vdekja e shkaktuar nga puna që bëri në një rast të mëparshëm.
Mes asaj që ishte periudhë e jashtëzakonshme për Francis Ford Coppolan – sukseset e The Godfather (1972) dhe The Godfather: II (1974) – The Conversation ishte me të vërtetë projekt pasioni. Siç sugjeron profesoresha Lucy Bolton, specialiste e Filozofisë së Filmit në Universitetin e Londrës, ky ishte “shansi i Coppolas për të bërë një vepër personale, intime dhe intelektuale. Në fakt, nuk donte të bënte filmin The Godfather: II, por u pajtua pasi mund të bënte filmin The Conversation. Ngadalësia dhe fokusi i mprehtë, por i errët i filmit, është ndryshim i jashtëzakonshëm në ton nga emocioni dhe drama që kishte The Godfather”.
Duke xhiruar mes dy filmave më të famshëm të tij, Coppola me mjeshtëri e krijoi një triler psikologjik që ka po aq shumë për të thënë për klimën e sotme të mbikëqyrjes sa edhe për epokën e tij të realizimit – megjithëse me kontrastin interesant midis analogut të atëhershëm dhe dixhitalit të sotëm.
Në fillim të viteve 1970, Shtetet e Bashkuara kishin plagët e trazirave politike të dekadës së mëparshme që përcaktohej nga vrasjet, trazirat dhe ndërgjegjësimi në rritje për teknologjinë dhe teknikat e përdorura nga shërbimet sekrete të shtetit. Kinemaja e kishte prekur fenomenin e fundit, me filmat si The Manchurian Candidate (1962) dhe Seven Days in May (1964) të John Frankenheimerit, duke kanalizuar kështu rritjen e paranojës shoqërore.
Megjithatë, kinemaja amerikane e fillimit të viteve 1970, e zgjeroi më tej këtë paranojë të mbingarkuar, sidomos pas vrullit të skandalit Uotergejt – dështimi i një sulmi në vitin 1972, në selinë e demokratëve në ndërtesën Watergate në Uashington, si dhe përpjekja pasuese e presidentit Richard Nixon për të mbuluar përfshirjen. Me zbulimet se kishin spiunuar kundërshtarët politikë, duke përdorur ndër të tjera përgjimet telefonike – informacione që kërkonin manovra të ngjashme të trilerit, për t’u zbuluar nga gazetarët Bob Woodward dhe Carl Bernstein, e të dramatizuara përfundimisht nga Pakula në All the President’s Men (1976) – Vala e Re Amerikane u fiksua në mundësitë e kësaj ShBA-je të re të mbikëqyrur.
Filmi i Coppolas është padyshim më i fuqishmi nga lëvizjet që parashikojnë dhe reagojnë ndaj Uotergejtit, sepse vërtet e kupton atmosferën e kohës dhe se çfarë u shkakton njerëzve mundësia për t’u spiunuar. “Sfondi i filmit është paranoja për mbikëqyrjen në rritje, në përgjithësi, dhe publikimi i filmit mbërthen gjendjen shpirtërore të kohës në mes të skandalit Uotergejt”, thotë Dr Dan Lomas nga Universiteti i Notingamit, profesor në Marrëdhëniet Ndërkombëtare me sfond në studimet e inteligjencës dhe të sigurisë. Megjithatë, ishte edhe fati që filmi u shfaq në vendin dhe në kohën e duhur. “Sigurisht”, vazhdon Lomas, “lidhjet me Uotergejtin janë të rastësishme. Coppola xhironte në vjeshtën e vitit 1972 dhe deri në fillim të vitit 1973, ndërsa xhirimet mbarojnë kur skandali Uotergejt nis të tërheq vëmendjen politike. Mirëpo, filmi shfaqet në prill të vitit 1974 në kohën e skandalit kombëtar”. Disa muaj më vonë, në gusht 1974, Nixon dha dorëheqjen si president.
Boltoni gjithashtu pajtohet se The Conversation parashikoi dhe përmbledh epokën Uotergejt. “Filmi në mënyrë të pashmangshme ka fituar nga ndërlidhja me Uotergejtin, për shkak të kohës, temës së vëzhgimit të fshehtë dhe në të vërtetë pajisjeve që përdor Cauli”, thotë ajo, “por, në fakt, filmi ishte duke u zhvilluar para se të shpërthente skandali Uotergejt. Pra, është interesant të mendosh se si filmi kishte kaq shumë kontakt me frymën e kohës, ndërsa koha e publikimit e konsolidoi si vepër që është emblemë e paranojës së periudhës”.
Drama psikologjike e filmit, për të mos e përmendur realizmin, ndihmohet veçanërisht nga peizazhi zanor i ndërtuar nga Walter Murch, i cili u nominua për një çmim Oscar për miksimin më të mirë të zërit, për çfarë merr edhe një punë tjetër për filmin e radhës të Coppolas, Apocalypse Now (1979). Teknologjia e zërit e përdorur gjatë gjithë filmit, ishte shumë e ngjashme me atë që lidhet me skandalet e vërteta të periudhës. “Coppola u habit kur disa nga pajisjet e përdorura në film, e pasqyronin skandalin e Uotergejtit dhe praktikat moderne të mbikëqyrjes në ShBA [në përgjithësi]”, shpjegon Lomas.
Në një vështrim në shekullin XXI, disi ndihet ironike paranoja në The Conversation. Në fund të fundit, nuk kemi qenë kurrë më të lumtur që ta dorëzojmë atë lloj informacioni – të cilin dikush si Harry Caul përpiqej të merrte. Përveçse e ofrojmë vullnetarisht informacionin e tillë, teknologjia dixhitale ka ofruar gjithashtu mjetet më të lehta për mbikëqyrje – në krahasim me konfigurimin e komplikuar analog të Caulit. Në vitin 2019, dokumentet e publikuara nga Wikileaks të cilat dukej se ishin nga Qendra e CIA-s për Inteligjencën Kibernetike, detajuan projektin në të cilin organizata potencialisht mund të hakonte televizorin inteligjent Samsung F8000, duke lejuar që mikrofonët të përgjonin derisa televizori ishte i fikur. Shpërtheu projekti i koduar Weeping Angel, por duket se më pas u harrua. Të shikohesh dhe të dëgjohesh, tani është kaq normale.
Ideja e vëzhgimit në shtëpi, në rrethana të tilla të përditshme, ta kujton skenën e fundit në filmin e Coppolas. Cauli merr një telefonatë kërcënuese në të cilën zbulohet se banesa e tij është përgjuar. Skenat e fundit e paraqesin duke e demoluar banesën në kërkim të pajisjes së mundshme, por kot – rri i ulur mes gjërave të hedhura në dhomë, duke interpretuar me pikëllim në saksofon. Teksa ka njëfarë paqartësie nëse mikrofoni është në saksofon, apo e gjithë skena është në fakt mashtrim, efekti te personazhi është i njëjtë – shkakton thyerje shpirtërore. Nuk është mbikëqyrje e mundshme për marrje informacioni; është mbikëqyrja si kërcënim. Megjithatë, a do shqetësohej Caul nga i njëjti kërcënim në vitin 2024?
“Është interesante të shihet mekanika analoge e teknologjisë [në film] dhe se sa e suksesshme është sot”, sugjeron Bolton, “por krahasuar me nivelin e mbikëqyrjes në të cilën jemi të gjithë sot, duket primitive dhe e dobët. Kur mendojmë për sistemet e njohjes së fytyrës në qendrat tregtare dhe gjurmimin me GPS të mundësuar nga telefonat tanë, jemi të mbikëqyrur në shkallën e cila do të ishte e paimagjinueshme për Caulin. The Conversation shërben për të nxjerr në pah përmasat e invadimit – vëzhgimi dhe mundësitë e keqinterpretimit, si dhe përfitimet e akterëve të këqij. Këto tema janë shumë të rëndësishme për situatën tonë aktuale”.
Ndoshta kjo është arsyeja se pse filmi ka marrë formë: paranoja e tij nxjerr në pah pranimin tonë befasues të niveleve shumë më të larta të mbikëqyrjes moderne. Lomasi beson gjithashtu se, në një farë mënyre, filmi është bërë më i rëndësishëm sesa ishte në vitin 1974, sepse sektori privat i teknologjisë, të cilin Harry Caul e përfaqëson disi në film, është bërë kaq i fuqishëm dhe dominues në epokën dixhitale. “Mendoj se filmi sigurisht jeton për shkak të frikës më të gjerë të të ashtuquajturit ‘kapitalizëm mbikëqyrës’, si dhe rritjes dhe ndikimit të sektorit privat të teknologjisë”, thotë ai. “Armiku i vërtetë në film nuk është CIA ose FBI: armiku është sektori privat i cili – për hir të fitimit – lë mënjanë moralin dhe nderin. Sot shohim se të gjitha aspektet e jetës sonë mund të monitorohen nga sektori privat. Të dhënat tuaja janë mall që bartet te të tjerët dhe, me gjithë shqetësimet për mbikëqyrjen e shtetit, problemi është te teknologjia private”.
Atëherë, ndoshta një dozë e vogël e cinizmit të Harry Caulit nuk do të bënte keq në epokën dixhitale, pasi sytë e padukshëm shikojnë, veshët dëgjojnë dhe detajet e jetës sonë mblidhen vazhdimisht për qëllimet që janë të panjohura. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje