LAJMI I FUNDIT:

Frymëzimi i Yoko Onos nga traumat e fëmijërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore

Frymëzimi i Yoko Onos nga traumat e fëmijërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore
Yoko Ono

Nga: Precious Adesina / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 1945, për të shpëtuar nga sulmet në qytetet kryesore të Japonisë – gjatë Luftës së Dytë Botërore – prindërit e dërguan Yoko Onon dhe vëllain e saj më të vogël në një fshat japonez. Shtetet e Bashkuara e kishin bombarduar Tokion, vendin ku Ono jetonte në atë kohë, duke vrarë deri në 100 mijë njerëz. Artistja (sot 90-vjeçare) ishte 12 vjeçe atëherë dhe rridhte nga një familje e pasur, por mungesa e ushqimit – gjatë luftës – bëri që Ono, vëllai i saj Keisuke dhe motra Setsuko të ishin shpeshherë të uritur.

Historia e panjohur e këngës “Imagine”: Imagjino ta bësh një këngë të bukur, për një botë më të bukur
Lexo po ashtu Historia e panjohur e këngës “Imagine”: Imagjino ta bësh një këngë të bukur, për një botë më të bukur

Sipas djalit të Onos, muzikantit dhe producentit 48-vjeçar amerikano-britanik, Sean Ono Lennon, nëna e tij – e cila jeton në Nju-Jork – me vëllain dhe me motrën luante “lojërat imagjinare të vakteve”, ku ata pretendonin se po hanë ushqim. “Mund të thuash se origjina konceptuale e punës së saj nisi atje, në Luftën e Dytë Botërore – të qenit e uritur dhe duke e kuptuar fuqinë e imagjinatës”, thotë Ono Lennon i cili udhëheq punët e saj të përditshme, meqë artistja tashmë është e pensionuar. “Madje, mund të thuhet se kjo drejtpërdrejt çoi në këngën Imagine që u bë himn botëror”, tha ai për BBC Culture. Kënga Imagine e vitit 1971 u shkrua nga Ono dhe nga bashkëshorti i saj John Lennon, megjithëse në kohën e publikimit të këngës vetëm Lennoni përmendej.


Sean Ono Lennon, me nënën e vet Yoko Ono, më 1983.

Teksa shumëkush e identifikon Onon thjesht si gruan e John Lennonit, përpara se çifti të takohej në vitin 1966, Ono – e cila në fillim të viteve 1950 bashkë me familjen u transferua në Nju-Jork – ishte artiste multimediale dhe muzikante me ndikim. Në Nju-Jork kishte punuar me artistët e njohur – si kompozitorin amerikan John Cage dhe me muzikantin dhe artistin e performancës La Monte Young.

Gjithashtu, u ftua të jetë pjesë e Fluxus-it – e kolektivit ndërkombëtar të artit avangard, në vitet 1960-’70, të njohur për performanceat eksperimentale – megjithëse Ono e refuzoi këtë ofertë. “Në rastin e nënës sime, ajo kurrë nuk ndjeu se Fluxus-i domosdo e përfaqësonte atë”, thotë Ono Lennon, duke shpjeguar se preferonte të punonte si e vetme. “Edhe kur babai im John Lennon ishte në kërkim të partnerit të ri për krijimtari [pas ndarjes së grupit Beatles në vitin 1970] – sepse gjithmonë e kishte Paul McCartneyn për të realizuar këngët – nëna ime në fillim nuk pranoi”.

Fotografia më e mirë e Allan Tannenbaumit: John Lennoni dhe Yoko Ono, kinse duke bërë dashuri
Lexo po ashtu Fotografia më e mirë e Allan Tannenbaumit: John Lennoni dhe Yoko Ono, kinse duke bërë dashuri

Më herët në karrierën e saj, Ono ishte sidomos e njohur për “pikturat” ose për “pjesët udhëzuese” të cilat fillimisht nisën si ftesë për shikuesit për të bashkëvepruar me pikturat e saj, por ato u bënë vepra arti duke i udhëzuar shikuesit të angazhoheshin ose të paramendonin përfshirjen nëpër aktivitete të ndryshme. Ono u kërkonte njerëzve të kryenin veprimet e tilla si p.sh. “të lidhin cilëndo pjesë të trupit” ose “të ndiznin një shkrepëse dhe ta shikonin derisa të fiket”, ku të dy këto gjenden në librin e saj Grejpfrut [Grapefruit] të vitit 1964 në të cilin në mënyrë të famshme përmblodhi koleksionin e këtyre udhëzimeve të shkurtra.

TV Qielli 1966/2014 i Onos.

Kjo krijimtari e prezantoi punën e saj në disa nga muzetë më të famshme në botë, duke përfshirë një retrospektivë të vitit 2015 në MoMA – të titulluar Yoko Ono: One Woman Show, 1960-1971 – dhe tani një ekspozitë madhore në Tate Modern të Londrës, Yoko Ono: Music Of The Mind.

Ekspozita në Tate ndjek artin e Onos nga mesi i viteve 1950 e deri në ditët e sotme. Siç shprehet kuratorja Juliet Bingham në katalogun e ekspozitës: “Jemi të ftuar të shkelim një pikturë, të ujitim një kanavacë, të performojmë brenda një çante, të përshëndesim vizitorët duke shtrënguar duart në mënyrë anonime, të bashkojmë hijet tona, të ngulim një gozhdë ose të luajmë një lojë shahu, të nderojmë nënat tona, të ndajmë shpresat, ëndrrat dhe dëshirat tona, dhe më e rëndësishmja – të imagjinojmë”.

Letër dashurie për Yoko Onon
Lexo po ashtu Letër dashurie për Yoko Onon

Siç thotë Ono Lennon, vepra artistike e nënës së tij mund të shihet si mënyrë për të përpunuar përvojat e saj të vuajtjeve dhe si mjet për të hulumtuar se si mund ta arrijmë paqen botërore. Në projektet si Grapefruit, shikuesit ftohen të shohin botën me sytë e Onos. “Ka njerëz që ulen dhe kalojnë nëpër të dhe përpiqen të bëjnë ndonjë udhëzim”, thotë Sean. “Pra, nëse është për ta ‘bërë një pikturë për ta parë qiellin’, e cila në thelb është një vrimë në kanavacë që shikon kah qielli, ata do ta bëjnë këtë sepse ideja e thyen barrierën midis artistit dhe audiencës”. Bingham gjithashtu vuri në dukje se “si fëmijë që iki nga bombardimet e Tokios gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ono e gjeti ngushëllimin në praninë e vazhdueshme të qiellit”.

Yoko Ono me Çekanin e qelqtë nga ekspozita e vitit 1967 në Galerinë “Lisson” në Londër.

Por, për Onon, arti nuk ka qenë kurrë një mënyrë e veçantë shprehjeje, prandaj vepra e saj mund të gjendet në forma të shumta. “Ajo që është unike për punën e nënës sime është se nuk mendonte për artin si medium specifik”, thotë Sean. “Ndjeu se arti dhe krijimtaria ishin konceptuale, dhe kështu pothuajse nuk kishte rëndësi se në cilin medium do të shfaqej”. Në vitin 1955 e performoi konceptin Lighting Piece për miqtë dhe për familjen e saj, përpara se ta performonte publikisht në vitin 1961 e më pas ta inkorporojë atë si pjesë të një shfaqjeje muzikore në Japoni (më 1962). Më në fund i përfshiu udhëzimet në Grapefruit dhe më pas e bëri një film pa zë – në vitin 1966, me titullin Nr.1 (Match).

Disa nga veprat më të shquara të Onos janë gjithashtu performanca. Në vitin 1964, në Sallën e Koncerteve “Yamaichi” në Kjoto e bëri performancën Cut Piece ku vendosi gërshërët para dhe i ftoi shikuesit të prisnin pjesë të rrobave të saj. “Cut Piece është kuptuar gjithnjë e më shumë si vepër e hershme kryesore e historisë së artit feminist, megjithëse është e hapur për interpretime të shumta, përfshirë ato të paraqitura nga vetë Ono”, shkruan Bingham. “Gjatë performancave të saj të hershme në Kjoto dhe në Tokio më 1964, si dhe në DIAS të Londrës më 1966, performanca e Onos u shoqërua me një tabelë të madhe të shkruar me dorë, ku thuhej: ‘Trupi im është mbresë e mendjes sime’ dhe citati i vetë Onos se ‘ishte formë e dhënies, dhënies dhe marrjes’”.

Cut Piece më vonë u performua nga Ono në Paris, më 2003 kur ajo ishte 70 vjeçe – 39 vjet pas performancës fillestare – e ku merrte pjesë edhe djali i saj. “Ta shikosh atë është si të shohësh një nga performancat më të frikshme dhe më tërheqëse që kam parë ndonjëherë”, thotë ai. “Ekziston rreziku i gërshërëve dhe brishtësia e gruas që rri ulur atje”.

Secret Piece ishte pjesë e Grapefruit-it (1964), një vepër interaktive e artit e ekspozuar në retrospektivën Tate’s Yoko Ono: Music of the Mind.

Sean gjithashtu vuri në dukje mënyrat e ndryshme që prerësit zgjodhën për t’iu afruar Ono. “Një person preu turpshëm një pjesë shumë të vogël të pjesës së poshtme të fustanit dhe iku e, më pas, një person tjetër me vetëbesim dhe arrogancë preu një rreth te gjoksi i saj”, shpjegon ai. “Është e mahnitshme se sa shumë e shihni botën e brendshme të anëtarëve të audiencës, vetëm nga ky akt i vetëm i prerjes së një pjese të veshjes”.

Shumëkush mund të supozojë se, si muzikant, Sean ka qenë i ndikuar nga babai i tij me famë botërore, por ai përmend se Ono është në të vërtetë ajo që e ka frymëzuar muzikën e tij që në moshë të re, pasi babai i vdiq kur ai ishte pesë vjeç. Lennon u vra jashtë shtëpisë së tij familjare në Nju-Jork, në vitin 1980. “Nga nëna ime mësova si të incizoj, pashë diskun e saj dhe më pas përfundova duke e bërë një disk me të – që quhej Rising – kur isha 19 vjeç”, thotë ai. “Ishte mentorja ime muzikore, ndërsa muzikën e babait duhej ta mësoja nga disqet, gjë që në një mënyrë ishte edukator, por sigurisht që nuk ishte aq ndikues sa nëna ime që ishte aty dhe me të cilën bëja muzikë”. Për nder të ditëlindjes së nënës së tij (18 shkurt) dhe për nder të artit të saj, ai e ka krijuar një “pemë të dëshirave” virtuale, ku përdoruesit mund të varin shpresat dhe ëndrrat dhe të mbjellin një pemë të jetës reale – për ripyllëzimin [One Tree Planted].

Ono në performancën Cut Piece (1964)

Ono gjithashtu bashkëpunoi me Lennonin si në muzikë (siç e dimë) ashtu edhe në art. Dyshja shpeshherë përdori të dy platformat për të mbrojtur paqen në botën – më shumë në mënyrën se si Ono iu afrua artit më parë. Në vitin 1969, dyshja u dërgoi fidanë liderëve botërorë dhe u kërkoi atyre t’i mbillnin në mbështetje të paqes botërore dhe për performancën e titulluar Acorn Peace. Dyshja mbajti gjithashtu dy Bed-In-ët e njohur, ku qëndruan në shtrat në një suitë hoteli – për një javë (hera e parë në Amsterdam në mars 1969 dhe më pas në maj 1969 në Montreal) – si formë paqësore e protestës kundër Luftës së Vietnamit, gjë e cila tërhoqi vëmendjen botërore. Një film i titulluar Bed Peace (1969) i dokumentoi ngjarjet e Bed-In-it të parë, ku ata folën me shtypin.

Ono bashkëpunoi shumë me Lennonin, përfshirë projektin e “shtratit për paqe” më 1969.

Ono Lennon vëren se derisa njerëzve u pëlqen të mendojnë se si babai i tij mund të ketë ndikuar tek Ono, “është pothuajse më i qartë ndikimi që ajo kishte te babai im”. Ai beson se Imagine nuk do të ishte shkruar kurrë pa këtë marrëdhënie. “Qëndrimi im është se mund të jetë bërë vetëm nga ata dy njerëz, në atë moment të jetës së tyre”, thotë ai. Ai shton se historia e këngës fillon me nënën e tij “të uritur në Luftën e Dytë Botërore dhe e cila duhej të imagjinonte ushqimet për vëllain e saj të vogël që qante, gjë që e shtyu të bëhet artiste konceptuale”, dhe kjo pastaj ndikoi që Lennoni “të bëjë një këngë që rrodhi nga imagjino këtë dhe imagjino atë. Por, si çdo vepër e madhe arti – kur bëhet pjesë e botës – ajo shkon përtej njerëzve që atë e krijuan”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori