LAJMI I FUNDIT:

Shkollimi i shqiptarëve në Beograd

Shkollimi i shqiptarëve në Beograd
Momenti i themelimit të shoqatës “Përpjekja”, më 17 nëntor 1957: Kryetar i Shoqatës ishte Latif Berisha, sekretar ishte Zekirija Cana, ndërsa Kryetar i Këshillit Artistik ishte Muhamed Kërveshi. Anëtarë të “Përpjekjes” ishin: Idriz Ajeti, Anton Çetta, Sytki Imami (babai i Petrit Imamit), Kadri Kusari, Avni Lama, Yll Zaimi, Ali Aliu, Zekije Budima, Agim Gjakova, Skender Skenderi, Ejup Haliti, Nehat Belqishta, Hysni Hoxha etj.

Nga: Petrit Imami (1945-2019) / Javni Servis 
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

… Nga fundi i viteve ‘60 të shekullit XX, numri më i madh i tyre u diplomuan në fakultete të ndryshme. Rëndësi të veçantë për këtë kishte Seminari për Albanologji që përtëriu punën në vitin shkollor 1948/49 – në Fakultetin Filozofik në Beograd. Ligjërues i gjuhës shqipe u zgjodh romancieri Vojisllav Dançetoviq.

Një nga albanologët më të njohur në botë dhe eksperti i gjuhëve indo-evropiane, profesori Henrik Bariq, nuk u punësua sepse Gjykata e Nderit e Universitetit të Beogradit e largoi nga mësimdhënia më 3 prill 1945 – për shkak të bashkëpunimit të tij me gjermanët gjatë okupimit.


U emërua drejtor i Institutit Ballkanologjik në Sarajevë dhe u mor intensivisht me temat indoevropiane dhe shqiptare.

Punimet dhe artikujt e tij tërhoqën shumë vëmendje nga shkencëtarët vendorë dhe ndërkombëtarë. Në fakt, gjatë pushtimit, Henrik Bariqi ishte i dyshimtë ndaj autoriteteve kuislinge në Beograd, sepse nuk pranoi të nënshkruante “Apelin drejtuar popullit serb” dërguar elitës serbe për të bashkëpunuar me okupatorin gjerman.

Ministri i Arsimit, Velibor Joniqi i qeverisë kuislinge, në mbledhjet e Këshillit të Universitetit të Beogradit përsëriti vazhdimisht se “ai më parë do të tërhiqet nga posti i ministrit të Arsimit sesa të pranojë që dr. Bariqi të emërohet profesor”. Ai gjithashtu ishte nën vëzhgimin e shërbimit sekret gjerman. Meqë ra fjala, në ditën e parë kur Gjermania sulmoi Jugosllavinë më 6 prill 1941, banesa e tij në Beograd – me një bibliotekë shumë të pasur shkencore – u shkatërrua nga bombat e aeroplanëve. Megjithatë, kur Hermann Neubacher – i dërguari i plotfuqishëm i Gjermanisë naziste për Serbinë, Malin e Zi dhe Greqinë, dhe pas kapitullimit të Italisë edhe për Shqipërinë – arriti në Beograd në fund të gushtit 1943, Henrik Bariqi u bë i rëndësishëm për gjermanët. Neubacheri e vlerësoi shumë mendimin e tij – si “enciklopedinë e fundit të gjallë” – dhe u konsultua me të për kufijtë e mundshëm shtetërorë në Ballkan. Në Raportin e Departamentit të Propagandës së Gestapos në Beograd – Grupi i Propagandës Aktive, Komanda Juglindore që përfshin gjysmën e dytë të vitit 1943 – thuhet saktësisht se sa para i janë paguar për kryerjen e detyrave të caktuara – nga 1 shtatori 1943 deri më 8 dhjetor 1943. “Kryente këto detyra: përkthime nga shqipja dhe italishtja, krijoi planprograme për librat shkollorë, shkruante dhe censuroi broshurat dhe bënte lekturë. Për këtë punë ka marrë vetëm 17 mijë dinarë në katër këste. Përveç kësaj, i ka marrë tre mijë dinarë për një raport konfidencial”. Gjatë vitit 1943, Henrik Bariqi mbajti një sërë leksionesh në Universitetin e Vjenës.

Gjatë acarimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë në vitin 1949, seminari u anulua për dy muaj. Pas kësaj e vazhdoi punën normale. Anëtarët e parë të Këshillit të Seminarit ishin dr. Aleksandar Beliqi dhe Tatomir Vukanoviqi, pastaj dr. Millan Budimiri dhe dr. Mihailo Stevanoviqi. Në vitin 1950, si asistentë u zgjodhën Idriz Ajeti dhe Anton Çetta, shqiptarë nga Kosova, të porsadiplomuar në Universitetin e Beogradit për studime romanistike. Më vonë, që të dy u bënë shkencëtarë të dalluar. Në vjeshtën e vitit 1953, pedagogu Vojislav Dançetoviq i kërkoi një studenti të gjuhëve sllave në të njëjtin fakultet, Martin Camajt – emigrant nga Shqipëria – të krijonte korrespondencë me dr. Krist Maloki, albanolog nga Austria, i cili ishte me origjinë nga Prizreni. E ftuan të vinte të jepte mësim në gjuhën shqipe në Beograd. Edhe pse Krist Maloki ishte i gatshëm, për arsye ideologjike autoritetet në Jugosllavi nuk e pranuan përfshirjen e tij.

Meqë ra fjala, ai seminar në Fakultetin Filozofik u bë burim i shkrimtarëve dhe profesorëve të shquar të ardhshëm universitar në Kosovë, mes tyre Mehdi Bardhi, Hilmi Agani, Gani Luboteni, Latif Mulaku, Ramiz Kelmendi, Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Murat Isaku, Enver Gjerqeku e të tjerë.

Në degët e tjera kanë studiuar edhe shqiptarët nga Kosova.

Adem Demaçi ishte i vetmi shqiptar që studioi në gjeneratën e parë të Departamentit të sapoformuar të Letërsisë Botërore. Në romanin e tij autobiografik Dashuria kuantike e filanit (Prishtinë, 2007), ai shprehet se kolegët e tij shmangeshin të shoqëronin me të, me përjashtim të një studenti të zellshëm, një kokë më i gjatë se ai, i cili iu afrua. Ishte Danilo Kishi që i tha se e dinte se ishte shqiptar dhe iu prezantua me emër. Ia ofroi një cigare, por Ademi i tha të mos pinte duhan. E ftoi për raki, por Ademi i tha të mos pinte. Më pas Danilo vuri re se nuk e shihte të angazhuar rreth vajzave. Ademi i tha: “Assesi”! Pastaj Danilo ia përmendi një fjalë që nuk e kishte dëgjuar më parë: “Epo, ti shqiptar, çka k… jeton”? Ademi fillimisht u skuq dhe më pas që të dy qeshën. Filluan të shoqëroheshin. Danilo i tha se nëna e tij është malazeze nga fisi Kuç dhe se babai i tij është hungarez. Ai tha se nëna e tij i do shqiptarët. Ia ka treguar bisedën që ka pasur me profesorin Rashko Dimitrijeviqin, në të cilën përmendet se profesori i ka thënë se i pëlqen puna e Ademit dhe se ka shtuar se serbët kanë mëkate të mëdha ndaj shqiptarëve. Ademit iu desh të ndërpriste studimet në Beograd për shkak të sëmundjes së nënës. Tregimet e para që botoi në revistën letrare në gjuhën shqipe Jeta e Re, tërhoqën menjëherë vëmendjen te talenti i tij, si dhe te romani Gjarpinjtë e gjakut. Për shkak të bindjeve kombëtare, u dënua tri herë që nga viti 1958 dhe 28 vjet i kaloi në burgjet e Jugosllavisë.

Disa shqiptarë me sukses e filluan karrierën e tyre shkencore në Beograd. Kadri Halimi, i cili u diplomua në vitin 1950 me rezultate të shkëlqyera në degën e etnografisë, që në vitin 1947 filloi të botojë vepra shkencore. Ishte i përfshirë në ekipe të ndryshme shkencore të Akademisë së Shkencave të Serbisë, që studionin jetën dhe zakonet popullore në Kosovë. Si student, që në vitin 1950 u vlerësua me çmimin e parë për punimin Për të drejtën zakonore të Lekë Dukagjinit. Tërhoqi vëmendjen e publikut shkencor kur bashkë me Hasan Kaleshin e udhëhoqi një polemikë në revistën Univerzitetski vjesnik (1951) kundër akademikut serb Glisha Elezoviq, duke kundërshtuar vlerën shkencore të veprës së tij Veçoritë zanore të të folmes arbanase të Dibrës dhe rrethinave të saj – botuar në Koleksionin Dialektologjik [Dijalektološki zbornik] të Akademisë serbe të Shkencave. Departamenti i Etnologjisë e punësoi si asistent me kohë të pjesshme, meqë ishte student jashtëzakonisht i talentuar. Dy vjet e kreu atë punë punoi dhe kur aplikoi për t’u punësuar si asistent, shefi i Departamentit, profesori i njohur Borivoje Drobnjakoviq, i tha se për shkak se ishte shqiptar, disa ishin kundër zgjedhjes së tij për asistent. Pas kësaj, për shkak të dyshimit se ishte përkrahës i Kominformit, pra i Stalinit, arrestohet në maj 1952 dhe dënohet me burg.

Instituti Etnografik pranë Akademisë së Shkencave të Serbisë, si bashkëpunëtor e punësoi Mark Krasniqin i cili në revistat shkencore botoi disa artikuj të rëndësishëm në fushën e etnologjisë. Në Beograd nisi të zhvillohej si shkencëtar edhe Martin Camaj, poeti lirik i diplomuar për gjuhët sllave në Fakultetin Filozofik. Meqenëse ishte ideologjikisht i papërshtatshëm, në vitin 1957 duhej të largohej nga Jugosllavia. Bashkë me të nga vendi u largua edhe gruaja e tij beogradase. Doktoroi në vitin 1959 në Itali me tezën për gjuhën e Mesharit të Gjon Buzukut, për të cilën – në Vjetarin e Instituti Ballkanologjik në Beograd – në vitin 1957 botoi artikullin Kontribut në njohjen e shkrimit të Gjon Buzukut“. (Për shumë vite ka qenë profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Munihut.) Doktorantët e parë mes shqiptarëve të Kosovë kanë dalë nga Universiteti i Beogradit. Në vitin 1958, Idriz Ajeti mbrojti disertacionin në Fakultetin Filozofik në fushën e shkencave filologjike (Zhvillimi historik i të folmes gege të arbëreshëve të Zarës). Në vitin 1959, Dervish Rozhaja (lindi më 1934), atëherë doktori më i ri i shkencave në Jugosllavi, në vitin 1959 mbrojti shkëlqyeshëm tezën e doktoratës në fushën e shkencave biologjike (Aspekti bioenergjetik i përshtatjes termike të disa aurave) në Fakultetin e Shkencave dhe të Matematikës. Në të njëjtin vit, Esad Mekuli doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare (Kontribut në njohjen e piroplazminës së kafshëve shtëpiake në Kosovë dhe Metohi). Në Fakultetin e porsathemeluar Filologjik, i cili u nda nga Fakulteti Filozofik në vitin 1960, si doktorant i parë Hasan Kaleshi mbrojti tezën e doktoratës (Dokumentet më të vjetra në gjuhën arabe të vakëfeve në Maqedoni).

Mehdi Bardhi dhe Hilmi Agani në vitin 1958 u bënë magjistrat e parë në fushën e albanologjisë në Fakultetin Filozofik, në vitin 1960 Ali Hadri në fushën e shkencave historike, e më pas në albanologji magjistron poeti Enver Gjerqeku (1961). Më vonë, të gjithë ata ishin profesorë të dalluar në Universitetin e Prishtinës. (Deri në vitin 1989, 38 shqiptarë nga Kosova doktoruan në Universitetin e Beogradit, 82 në Universitetin e Zagrebit – veçanërisht në periudhën e viteve ‘70-‘80 të shekullit XX, kur ishin të tensionuara marrëdhëniet ndërmjet politikanëve serbë dhe shqiptarë për nivelin e autonomisë të Kosovës.)

Në mesin e nëntorit 1957, u themelua shoqëria letrare e studentëve shqiptarë në Beograd – Përpjekja. Me themelimin e kësaj shoqërie ata u përqendruan në Beograd. Ishte koha kur Shërbimi i Sigurimit të Shtetit (UDBA) donte mbikëqyrje sa më efikase – si në ushtri, ku ushtarët shqiptarë përqendroheshin në kazerma individuale. Përpjekja shumë shpejt u shndërrua në shoqëri letrare dhe muzikore dhe gjatë ekzistencës së saj zhvilloi veprimtari mjaft të pasur, ndërsa në vitet 1979 dhe 1980 botoi dy numra të gazetës Përpjekja – nën udhëheqjen e Fetah Mehmetit, student i regjisë së filmit në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd. Shoqata u shfuqizua në vitin 1984 me vendim të Unionit Studentor të Universitetit të Beogradit, me arsyetimin se është njëkombëshe dhe se mes studentëve po shkakton ndarje kombëtare.

Paraprakisht ishte propozuar që shoqëria të shkrinte aktivitetet në shoqërinë studentore kulturore-artistike Shpanac, gjë që nuk u pranua nga studentët shqiptarë në Beograd, sepse do të humbiste identitetin kombëtar. Tahir Hasanoviqi, në atë kohë zyrtari i ri i rinisë së Serbisë, ishte veçanërisht i përfshirë në ndalimin e punës së kësaj shoqërie. Anëtarët e shoqërisë u dëbuan shpejt nga ambientet e veta në Qytetin Studenti në Beograd. Vitrina e dekoruar e drurit të cilën shoqërisë ia dhuroi zyrtari i lartë shqiptar Fadil Hoxha, nga zyra e tij në Beograd, u përvetësua nga një zyrtar i ri aspirues i rinisë serbe në atë kohë.

Deri në vitin 1989, një numër i madh i artistëve shqiptarë nga Kosova kanë studiuar në Beograd.

Në Akademinë e Muzikës: Kristë Lekaj, Selim Balata, Mark dhe Gjergj Kaçinari, Bajar Berisha, Fahri Beqiri, Bahri Çela, Selim Kabashi, Qazim Oruçi, Pasionare Gjinali, Qazim Bobaj, Isak Muçolli, etnomuzikologët Rexhep Munishi dhe Bahtir Sheholli dhe të tjerët që dukshëm kontribuuan në zhvillimin e artit muzikor në Kosovë. Mjaft të rëndësishme ishin paraqitjet e ndërsjella të koreve, si dhe koncertet e kitaristit Ehat Musa në Beograd.

Akademia e Arteve të Bukura: Muslim Mulliqi, Gjelosh Gjokaj, Engjëll Berisha, Bedri Emra, Tahir Emra, Rexhep Ferri, Nimon Lokaj, Hysni Krasniqi, Sulejman Cara, Isak Asllani, Tafil Mushoviqi dhe të tjerë. Shumica prej tyre janë ekspozuar kolektivisht ose në mënyrë të pavarur në Beograd dhe në qytetet e tjera Serbi.

Artet aplikative: Matej Rodiqi jeton në Beograd dhe për disa vite ka punuar si dizajner në Institutin e Shtypjes së Parave në Topçider, si dhe Shyqri Nimani të cilit në vitet ’70 iu pranua – nga redaksia – dizajni për kopertinën prestigjioze të revistës së skenës të teatrit jugosllav, Scena.

Në Fakultetin e Arteve Dramatike, ish-Akademia e Teatrit, Filmit, Radios dhe TV-së, përveç një numri që kanë dhënë provimet e rregullta pranuese – në marrëveshjet vetëqeverisëse ndërmjet Fakultetit të Arteve Dramatike dhe TV Prishtinës – në provimet e pranimit të jashtëzakonshëm në vitin akademik 1978/ 79 kanë kaluar edhe 24 studentë – kryesisht me kombësi shqiptare, të cilët kanë studiuar në regji filmi, kamerë, montazh, organizim filmi dhe dramaturgji. Një numër prej tyre arritën suksese shumë të dukshme në punën e tyre profesionale. Në aktrim ishin Bekim Fehmiu (1936-2010), Faruk Begolli (1944-2007), Enver Petrovci dhe Xhevat Çorraj, në dramaturgji Ekrem Kryeziu dhe Petrit Imami (“Arena e Artë” në Festivalin e Pulës 1979 për skenarin e filmit Era dhe lisi) , në regji Selami Taraku i cili në vitin 1981 e fitoi çmimin “Grand Prix” në Festivalin e Oberhauzenit për filmin me metrazh të shkurtër, Rasti i Bogolub Savkoviqit (“Inex film” – Beograd), i cili ishte filmi i tij për provimet e vitit të tretë të studimeve, si dhe Isa Qosja i cili fitoi një çmim në Festivalin e Rinisë në Kanë për filmin artistik Prroka (1985) (“Kosovafilm” – Prishtinë), në montazh të filmit ishte Mustafë Presheva (i cili që nga viti 1991 jeton dhe punon në Turqi), në organizimi të filmit Qemajl Sokoli i cili në vitin 1983 ka magjistruar në atë fakultet me temën Zhvillimi i kinematografisë në Kosovë, ndërsa ka doktoruar në vitin 2010 me temën Zhvillimi i Teatrit Krahinor në Prishtinë, 1945-1985. Në atë fakultet Petrit Imami filloi karrierën e tij pedagogjike në lëndën Skenar i Filmit dhe TV-së.

Në vitin 1975, me iniciativën e Unionit Socialist të Punëtorëve të Serbisë, mësimi fakultativ në gjuhën shqipe (gjuhë dhe letërsi) u fut në disa shkolla fillore në Beograd: në komunën e Rakovicës në shkollën “Xhura Jakshiq”, në komunën e Beogradit të Ri në “Josip Broz Tito” dhe “Zharko Zrenjanin”, në komunën e Zvezdarës në “Vukica Mitroviq” dhe në rrethinën e Surçinit në “Vuk Karaxhić”. Një numër shumë i vogël nxënësish i ndiqnin ato mësime plotësuese, kryesisht pesë-gjashtë në secilën shkollë. Aspak nuk ka ndihmuar apeli dërguar prindërve. Në organizimin e kësaj ore janë angazhuar veçanërisht dr. Halit Tërnavci si dhe mësuesit e gjuhës shqipe – si Eqrem Kryeziu, Mira Saraçi, Drita Azemi, Hasime Dalipi, Fikri Misini etj. Mësimi në këto shkolla zgjati deri më 1981-’82, ndërsa në Surçin deri në vitin 1985. Një nga arsyet e shfuqizimit të këtyre klasave plotësuese ishte sigurisht acarimi i njëpasnjëshëm i raporteve ndaj shqiptarëve nga ana e Serbisë në vitet e ‘80-ta.

Zyla Daki, që lindi në vitin 1967 në Sentë (Vojvodinë), për shkak të rrethanave librin e saj të parë me poezi, Vitet e pafajësisë (Beograd, 1992), e nënshkroi me pseudonimin Maria Vasiq. Gjegjësisht, shtëpia botuese Književna omladine Srbije (botimet: Pegaz), e këshilloi që të mos e vendoste emrin e saj të vërtetë, sepse libri mund të refuzohej nga lexuesit. Meqenëse ka lindur në një martesë të përzier, nga babai shqiptar dhe nëna serbe, vendosi që si pseudonim ta merrte emrin dhe mbiemrin e gjyshes nga ana e nënës. Me po këtë emër më pas i nënshkroi esetë dhe poezitë të cilat i botoi në revistat letrare serbe, si dhe tezën e magjistraturës në fushën e letërsisë së përgjithshme dhe të teorisë së letërsisë në Fakultetin Filologjik në Beograd, Sfinksi poetik i Ketë Hamburgerit (botuar më 1997). Për disa vjet dha mësim në serbisht dhe në kroatisht në Senta dhe në Suboticë, dhe më pas vazhdoi studimet e doktoratës në Universitetin e Zigenit në Gjermani. Disertacionin e doktoratës, Teoria e zhanreve letrare e Ketë Hamburgerit: Bazat teorike të “logjikës letrare” – të cilën e mbrojti në vitin 200 – e nënshkroi me emër dhe mbiemër të dyfishtë: Maria Zyla Vasiq Daki. Sot jeton dhe punon në Zigen … /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori