LAJMI I FUNDIT:

PDK nuk përkrah projektbuxhetin për vitin 2024, Lushtaku: Nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve

PDK nuk përkrah projektbuxhetin për vitin 2024, Lushtaku: Nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të përkrah Projekt-buxhetin e vitit 2024 pasi nuk sjellë asnjë alternativë zhvillimore dhe nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve.

Kështu tha deputeti Mërgim Lushtaku në emër të Grupit parlamentar të PDK-së, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet buxheti për vitin e ardhshëm.


“Projektligji për buxhetin e vitit 2024 nuk paraqet kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve, të bizneseve dhe organizatave buxhetore…. Si grup parlamentar nuk do të përkrahim projektbuxhetin e vitit 2024, jemi kundër këtij buxheti që nuk sjell asnjë alternativë zhvillimore dhe nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve”, tha Lushtaku, raporton Telegrafi.

Deputeti i PDK-së tha më tej se “në fushatat zgjedhore kryeministri i vendit duke u munduar me trash e çjerr zërin ka premtuar se do ta forcojë ekonominë e vendit…. të gjitha manipulimet është vështirë me ia mbajt mend…”.

“Besimin e qytetarëve e kanë marr si privilegj…vetëbesimin e lartë e dijen e implementimin e ultë…”, tha ai.

Sipas tij, buxheti shtetëror nuk është shaka dhe nëse nuk hartohet si duhet mund ta përkeqësojë gjendjen.

“Nuk ka kurrfarë sensi të shpenzohet buxheti i shtetit për ndihma ndërkohë që ka nevojë për punësim dhe nuk ka as rroga për të përballur inflacionin”, tha ndër të tjera Lushtaku.

Ai më tej kritikoi Qeverinë e Kosovës se buxhetin shtetëror e kanë shpërndarë në ato komuna ku e kanë pushtetin. /Telegrafi/