Nga: Klejd Këlliçi
Përpjekja për marrjen e eshtrave të Naim Frashërit nga Turqia, në vitet ndërmjet 1927-’35-së vinte drejtpërdrejt nga Oborri Mbretëror. Motivacioni me të cilin kërkohen thotë: “Qeveria mbretnore, tyke marrun një vendim në favoret e këtij propozimi, duke plotësue detyrën kundrejt kujtimit të Atdhetarit të Madh, dhe do të fitojë simpathinë e kolonive që gjenden jashta Shqipërisë. Ashtu dhe varri në atdhe, do jetë shembulli i mirëpunimit për gjenerasionet e ardhshme”.
Eshtrat e atdhetarit të madh nxjerrin në pah jo vetëm përpjekjen e shtetit për të kontrolluar eshtrat dhe rivarrimet, si akt përkujtimi e kujdesi për trupin, por dhe ndërtimin e një regjimi të caktuar diskursiv e hegjemonik mbi kujtesën kolektive kombëtare. Ato shërbejnë si lidhëz mes formës së qeverisjes, monarkisë dhe kujtesës kolektive shqiptare, ku Monarkia e mbi të gjitha monarku, Ahmet Zogu, luan rolin e ndërmjetësit mes të kaluarës dhe së tashmes së shqiptarëve.
Komuniteti shqiptar në këtë rast nuk është vetëm ai që jeton në vend, por edhe ai që jeton jashtë vendit, kundrejt të cilëve Monarkia kërkon të propozohet si formë regjimi fundor, që realizon ëndrrën kolektive të pavarësisë, të vazhdimësisë së shtetit e mbi të gjitha të stabilitetit të vendit. Në të njëjtën kohë, përmes eshtrave të Naimit ajo u qaset gjeneratave të ardhshme të cilat duhet të kuptojnë, përmes provës së riatdhesimit të trupit, rolin tashmë hegjemonik që ajo ka në bërjen dhe mbajtjen e kujtesës kolektive.
Ky rol hegjemonik, gjithsesi nuk luhet nga shteti, por nga vetë Mbreti Zog, pasi përpjekjet për marrjen e eshtrave të Frashërllinjve përshkruhen si sipërmarrje personale e Monarkut, i cili kërkon të monopolizojë apo t’i atribuojë trupit të tij të gjallë, çfarëdo elementi që e lidh atë me të kaluarën dhe e projekton në të ardhmen, tashmë monarkike. Vetë përkujdesja për eshtrat e Naimit, është tregues i fuqisë e pushtetit të vetë regjimit tashmë të konsoliduar monarkik dhe shërbejnë si katalizator, për të kërkuar edhe trupat e dy vëllezërve të tjerë, Abdylit e Samiut, ndonëse pa sukses.
Pengesat për marrjen e tyre vijnë nga familjarët të cilët nuk dëshirojnë të ndahen nga të parët e tyre dhe, për më tepër, shprehen se tashmë kanë lidhur jetën me vendin ku ndodhen eshtrat e të parëve të tyre. Vajza e Sami Frashërit nuk pranon në asnjë mënyrë bartjen e eshtrave të të atit dhe po ashtu, ajo pengon zhvarrimin e Abdylit, ndonëse djali i tij, Mit’hat Frashëri, jeton në Shqipëri. Pengimi i tërheqjes së eshtrave të Sami Frashërit lidhet tepër me aktivitetin polivalent intelektual, që nuk është mjaftuar vetëm me mbrojtjen e kauzës shqiptare, por është bërë i rëndësishëm dhe për gjuhën moderne turke. Mund të hamendësohet që justifikimi mbi bartjen e eshtrave të Samiut u kufizua në rrafshin familjar, për të mos nxjerrë në pah pikërisht këtë fakt të rëndësishëm në një kohë që shteti i ri turk kërkonte të vendoste premisat identitare e t’i kufizonte ato me territorin tashmë të mirëpërcaktuar etno-politik të Anadollit. Në anën tjetër, letra e Mit’hat Frashërit, që ngarkon të afërmen e tij pikërisht me pengimin e zhvarrimit të Abdylit, mund të lidhet me idenë e ndalimit të përdorimit për qëllime propagandistike të trupit të të atit.
Kërkimet shqiptare mbi eshtrat e famshme, përfundojnë me marrjen vetëm të Naimit dhe nuk shtyhen më tej dhe për faktin se tërheqja e tyre duhet të përkojë me përvjetorin e 25-të të pavarësisë (28 nëntor 1937). Lidhja e sovranit me eshtrat e Naimit bëhet dhe më personale, pasi Monarku shpreh zyrtarisht dëshirën për të mbuluar shpenzimet e sjelljes së tyre në vend. Ky raport personal që Monarku kërkon të vendosë me trupin e vdekur të Naimit, nuk është i rastësishëm pasi mëton të kërkojë dhe të përcaktojë në mënyrë të dukshme lidhjen e zbulimin e rrënjëve kombëtare, si rezultat i stabilitetit politik dhe shpëtimin e vendit, gjë për të cilën Zogu pretendon tërë meritat e mundshme. Zyra e shtypit të qeverisë përkujdeset që ky raport të shfaqet në mënyrë sa më të plotë. Eshtrat e Naimit, vendosen në Teqenë e Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë. Vendvarrimi përkon me traditën fetare bektashiane, të cilës Naimi i përkiste. Ky urdhër fetar e ka lidhur ekzistencën e vet me përpjekjet për t’i dhënë pavarësi shqiptarëve dhe kjo gjë hasej dhe një krijimtarinë letrare të Frashërit. Eshtrat e Naimit, mendohet të preheshin përkohësisht pranë Kryegjyshatës, deri në realizimin e një panteoni kombëtar për patriotët trupa të jashtëzakonshëm të cilët Monarku është zotuar t’i gjejë.
Në ceremoninë e rivarrimit, ministri i Arsimit, Faik Shatku, e përkujton veprën e Naimit përmes asaj të Zogut dhe anasjelltas. Është vetë Zogu që bën të mundur realizimin e veprës së Naimit, ose më saktë – atë që Naimi ka bërë për gjuhën, Monarku e ka bërë për shtetin. Naim Frashëri, sipas Shatkut, ishte i pari që provoi ndjenjën e atdhetarizmit, ama ishte Ahmet Zogu ai që konsolidoi shtetin e kësisoj materializoi dhe veprën e rilindasit. Zogu konsiderohet si plotësuesi i veprës së Naimit, “Skënderbeu i ri”, garant i dyfishtë i shqiptarëve i cili themelon e garanton kultin laik të Naim Frashërit e bëhet ndërmjetës mes tij dhe trupit të shqiptarëve.
Prehja eshtrave të tij në atdhe nuk është vetëm një rit që shënjon paqetimin e duhur të trupit, por një provë suplementare militantizmi në përpjekjet për forcimin e shtetit shqiptar, përpjekje këto që nuk mund të kalojnë veçse nga Monarku, i cili nëpërmjet garancisë mbi eshtrat e Naimit, siguron për së gjalli shqiptarët. Ky raport projektohet kështu edhe tek eshtrat e patriotëve të tjerë, që do mund të bëjnë pjesë në idenë e ngritjes së një Panteoni Kombëtar. Ky monument nuk do mund të realizohej për shkak se dy vjet nga përkujtimi i Pavarësisë, Mbreti do të duhej të largohej nga vendi për shkak të pushtimit italian. Pushtuesit italianë kërkuan t’i jepnin një formë më të butë e gati bashkëpunuese qëndrimit të tyre në Shqipëri. Nominalisht, vendi ishte i pavarur, ndonëse menjëherë pas pushtimit, Shqipëria dhe Italia u bashkuan përmes ofrimit të Kurorës së Mbretërisë, Viktor Emanuelit III. Justifikimi politik i pushtimit u ndërtua përmes dy narrativave, asaj të çlirimit nga obskurantizmi e prapambetja dhe bashkimit të fateve të Shqipërisë me Italinë, si mënyrë për të projektuar në realitet irredentizmin shqiptar e mëtimet mbi Kosovën e Çamërinë.
Pavarësisht pushtimit, elementëve të ndryshëm të identitetit kombëtar apo projektimit të Shqipërisë së madhe, kjo betejë u luajt në rrafshin e simbologjisë kombëtare. Kësaj vëmendjeje, nuk mundën t’i shpëtonin as eshtrat e Naimit, të cilat duhej t’i nënshtroheshin tashmë një narrative të ndryshme nga ajo zogolliane. Për të legjitimuar rendin e ri politik, autoritetet italiane dhe kryesisht regjenti Françesko Jakomoni, e kthyen vështrimin dhe drejt eshtrave të Naim Frashërit. Kjo u bë dhe si përpjekje për të siguruar hegjemoninë diskursive dhe atë praktike mbi të cilën do imagjinohej kombi në bashkimin me Italinë. Më 9 prill të vitit 1940, një vit pas pushtimit italian, autoritetet publike lajmëruan kryerjen e një ceremonie në ambientet e Kryegjyshatës Bektashiane, objekti i së cilës ishte vendosja e eshtrave të Naim Frashërit, në një varr monumental.
Ceremoniali hynte në kuadrin e festimeve të 12 prillit, të pranimit të Kurorës Mbretërore të Shqipërisë nga Mbreti Viktor Emanuel III. Ceremonia e rivarrimit do të zhvillohej nën kujdesin e drejtpërdrejtë të regjentit Jakomoni e që imitonte pak a shumë formën e përkujdesjes personale, sikurse dhe Zogu, për eshtrat e Naimit. Ribërja e varrit dhe rikonfigurimi i eshtrave të Naim Frashërit ndiqte të njëjtën logjikë civilizuese mbi të cilën justifikohej bashkimi i Italisë dhe Shqipërisë. Për këtë arsye, çështja kryesore që diskutohej mbi eshtrat e rilindasit ishte ajo e dinjitetit. Autoritetet synonin të ndërtonin një monument funerar, më madhështor se i Zogut. Në këtë mënyrë, regjimi i ri kërkonte të rielaboronte figurën e Naimit në një kontekst të ri politik, i cili do të simbolizohej nga monumentalizimi i një varri të ri. Nëse Zogu, kishte ndërtuar një varr për Naimin, autoritetet italiane bënë një mauzole i cili respektonte dhe parafytyrimin e regjimit të ri për madhështinë e veprave e simboleve, si dhe atë të traditës fetare të bektashinjve.
Ky rast shënoi edhe përpjekjen e regjimit për ta futur figurën e Naimit dhe eshtrat e tij, në kuadrin e praktikave përkujtimore fashiste. Më tepër sesa legjitimiteti i kërkuar nëpërmjet përvetësimit të eshtrave, kërkonte ta fuste figurën e Naimit në një narrativë të përbashkët e të pashmangshme të fatit italo-shqiptar. Sipas gazetës “Tomori”, ceremoniali zyrtar i nxjerrjes dhe vendosjes së eshtrave në mauzole, përveç autoriteteve fetare dhe ato civile, shoqërohej edhe nga manifestimet tipike fashiste, ku merrnin pjesë fëmijë të inkuadruar në organizatën e balilave. Pjesëmarrësit ishin autoritetet më të larta të vendit, duke filluar që nga mëkëmbësi Jakomoni e deri te drejtuesi i Partisë Fashiste Shqiptare, Tefik Mborja, e ministri i Arsimit, Ernest Koliqi. Ceremoniali zyrtar parashikonte pasqyrimin ideal të imagjinarit fashist mbi shoqërinë e re shqiptare. Roje nderi të monumentit janë dy fëmijë balila, më pas formacione të tjera paraushtarake dhe ushtarake, italianë e shqiptarë, si Rinia e Liktorit Shqiptar apo Avanguardistët Fashistë që i jepnin tonin solemn e ushtarak ceremonisë.
Sipas të përditshmes “Tomori”, njëherë që eshtrat ishin marrë e transferuar në Shqipëri, askush nuk ishte kujdesur më për to, duke nënkuptuar se operacioni i kthimit të tyre nuk kishte marrë as vëmendjen e, as konsideratën e merituar nga regjimi zogist! Si rrjedhojë, varri i Naimit cilësohet si i vjetër e i papërshtatshëm për kohën. Zhbërja e ribërja e varrit shënon kështu një thyerje mes dy kohëve e dy regjimeve diametralisht të kundërta. Ky reflektim do të jetë më pas lajtmotivi i zhvarrimeve të vazhdueshme të trupit të Naimit, ku dinjiteti i prehjes kërkon të minimizojë aktin e marrjes së trupit nga jashtë vendit dhe ta zhvendosë kështu vëmendjen te përkujdesja intensive dhe konstante, si element që provon në mënyrë të vazhdueshme, se vetëm ai regjim që përkujton trupin, ruan dhe monopolin e përdorimit të tij. Artikulli i gazetës “Tomori” e lidhte ribërjen e varrit të Naimit me mbarimin e vuajtjes së kombit, me ardhjen e regjimit fashist. Përpjekjet pararendëse, e gjithë historia politike shqiptare, që nga pavarësia e tutje, cilësohen si të kota e të mundimshme, e kështu rivarrimi i patriotit shërben si mënyrë për të simbolizuar plotësimin dhe bërjen e Shqipërisë, me bashkimin me Italinë.
Krijimi i shtetit shqiptar mendohet si i mangët, kurse zhvillimi i pamundur. Sipas narrativës së re fashiste, ideali që bartin eshtrat e parehatuara të patriotit, gjen plotësim pikërisht me Shqipërinë nën Italinë, pasi perspektiva e zhvillimit të vendit tashmë është “… ëndrra e të cilit (Naimit) vërtetohet plotësisht. Fill pas mbajtjes së fjalës nga Jakomoni, Kryegjyshi i Bektashinjve do të mbante dhe ceremonialin fetar të përshpirtjes, të cilin do ta mbaronte me ‘bekimin hyjnuer të M.T. (Madhnin e Tij), Mbretin Peranduer dhe mbi Duçen, Italin dhe Shqipnin”. Vëmendja ndaj aspekteve sakrale e fetare nuk kishte të bënte vetëm me rëndësinë strategjike që regjimi i ri i jepte aspekteve e ekuilibrave fetare në vend, por dhe me transmetimin e elementëve fetarë tradicionalë te shteti modern, atë që Gentile e cilëson si sakralizimi i politikës. Nëse regjimi zogist më parë kish menduar për ndërtimin e një Panteoni Kombëtar, për regjimin fashist përkujtimi i figurave kombëtare shqiptare do të mund të bëhej vetëm brenda kornizave kufizuese fetare e, në këtë rast, edhe pse Naimi, proklamohej apostull i kombit, ai në të njëjtën kohë i nënshtrohej praktikës së adhurimit fetar.
Kjo mund të pohohet dhe për faktin se; përkundër periudhës zogolliane, pushtimi italian u kujdes të kishte raporte më të mira me subjektet fetare, duke i njohur atyre më shumë autonomi, nga sa kishin patur gjatë Mbretërisë. Është e vështirë të thuhet nëse përkujtimi i rivarrimit të Naim Frashërit do të kishte shërbyer si një simbol i përkujdesjes së autoriteteve pushtuese, për të ruajtur identitetin shqiptar, kjo dhe për faktin se trajektorja politike e pushtimit italian do të hynte në krizë pak më vonë, me luftën italo-greke e më pas me kapitullimin e Italisë në vitin 1943. Pezulltia e viteve të luftës, zbehu kësisoj nevojën e përkujtimit. Shkëputja formale e Shqipërisë nga Italia, në vitin 1943, u pasua nga përpjekjet e defashistizimin dhe ripërvetësimin e elementit kombëtar. Kjo u pa sidomos me mbarimin e luftës dhe themelimin e regjimit të ri komunist. Nëse në fazat e para të konsolidimit, rikonfigurimi i memories u kufizua me luftën, nevoja e ngritjes së sakrales së shoqërisë së re socialiste nuk i shpëtoi rikuperimit dhe përvetësimit të elementëve origjinalë të ligjërimit nacionalist shqiptar, pjesë e të cilit ishin edhe patriotët.
Pas viteve dymijë, varrimet e shumëfishta të Naimit u pasqyruan në disa gazeta të përditshme. Ndër to spikat dhe ceremonia e tretë e rivarrimit e kryer në vitin 1950 nga autoritetet komuniste. Trupi i Naimit u zhvendos nga mjediset e Kryegjyshatës, në krah të ndërtesës së Kryeministrisë. Vendndodhja nuk ishte e rastësishme. Vetë emërtimi i aksit qendror në Tiranë, “Dëshmorët e Kombit”, nxori në pah një element të rëndësishëm të identitetit komunist të viteve të pasluftës – atë të imagjinimit të të qenit pjesë përbërëse dhe pse fundore e historisë së Shqipërisë. Kjo mund të dëshmohej pikërisht nga emërtimi që iu dha aksit qendror të qytetit dhe piketimi i tij me trupat e dëshmorëve më të shquar, ata që ndodheshin në krah të Komitetit Qendror. Eshtrat e Naimit nuk mund t’i shpëtonin vëmendjes së regjimit të ri komunist, i cili si hap të parë e të qenësishëm kishte ribërjen e simboleve kombëtare, e për pasojë dhe të eshtrave të patriotëve e heronjve.
Fill pas marrjes së pushtetit, pjesa më e madhe e monumenteve të ngritura në regjimet pararendëse, u shkatërruan nën peshën e vrullit të ri revolucionar. Monumenti i pavarësisë i ndërtuar në vitin 1937 në sheshin qendror të Tiranës, u prish, për t’u zëvendësuar nga statuja e Stalinit. Me shumë gjasa, edhe prishja e mauzoleut të Naimit dhe zhvendosja e eshtrave pranë Kryeministrisë i përkisnin kësaj vazhde ikonoklaste e cila do të zëvendësohej me ikonografinë e re komuniste të cilës nuk mund të mos i asocioheshin edhe simbolet e tjera kombëtare. Kështu, eshtrat e Naimit kalojnë në një fazë tjetër ribërje, atë të fabrikimit të një autenticiteti të ri komunist që kërkonte lidhje direkte me të kaluarën. Po në vitin 1950, autoritetet e kohës do të ngrenë edhe monumentin e patriotit të rilindjes, i cili do të duhej të inaugurohej në 28 nëntor 1950, në ditën e Pavarësisë. Njëfarësoj kjo shënon edhe pastrimin e trupit të patriotit nga trashëgimia fashiste e mauzoleut, e në të njëjtën kohë i hiqte monopolin mbi trupin e komunitetit bektashi, duke arritur një qëllim të dyfishtë: atë të shkëputjes së trupit nga konteksti fetar dhe i një trashëgimie, si ajo fashiste që rrallëherë përmendej, përjashtuar këtu momentin e pushtimit.
Në ceremonitë përkujtimore të vitit 1978, me rastin e riatdhesimit të trupit të Abdyl Frashërit, përmendet pritja jodinjitoze e eshtrave të Naimit nga autoritetet në periudhën e Monarkisë. Intermexoja e varrimit të dytë nuk gjen vend dhe këtu mund të hamendësohet jo vetëm padija, por ndofta edhe fshehja e faktit, pasi vetë narrativa e komunizmit përjashtonte çfarëdo implikimi të simboleve kombëtare që mund të cenonte logjikën e rezidencës popullore të cilën regjimi e niste fill me pushtimin në vitin 1939. Eshtrat e Naimit bëheshin pjesë e ritualit sakral dhe demonstrativ të së vërtetës së re të komunizmit në Shqipëri, e cila sikurse thotë studiuesi Van Ree, kur i referohet stalinizmit, ky i fundit nuk kishte për qëllim të replikonte elementin e transhendencës, tipik për regjimet fetare, por në provë besimi, për të tashmen dhe të ardhmen e ndritur. Përgjatë gjithë viteve gjashtëdhjetë, qeveria shqiptare u përpoq të negocionte me atë turke, për riatdhesimin e eshtrave të dy vëllezërve Frashëri, të Abdylit dhe të Samiut, por u pengua si nga autoritet turke ashtu dhe nga diaspora shqiptare atje.
Por, Abdyli është në të njëjtën kohë dhe babai i Mit’hat Frashërit, Kryetarit të “Ballit Kombëtar” në mërgim, gjë që vetvetiu e “kalon” pronësinë e “trupit” tek elementët e diasporës shqiptare, kundërshtare të regjimit në Turqi.
Përpjekja e parë e regjimit, për t’i marrë ato, daton që në vitin 1950, por pa rezultate të kënaqshme. Anëtarët e mërgatës antikomuniste shqiptare më Turqi, si për ta afirmuar lidhjen e “gjakut” që vjen nëpërmjet themeluesit të “Ballit Kombëtar”, Mit’hat Frashërit, janë përkujdesur për të ruajtur memorien e Abdylit. Ata janë kujdesur, gjithashtu, për restaurimin e varrit të Abdylit. Ndërkohë që Abdyl Frashëri është padyshim pjesë e memories historike shqiptare, Sami Frashëri konsiderohet, nga shteti turk, personalitet i kulturës e identitetit turk, gjë që e bën marrjen e trupit të tij thuajse të pamundur. E, nëse marrja e eshtrave të Samiut kundërshtohet me vendosmëri nga autoritetet turke, ato të Abdylit kthehen në terren të vijimësisë së luftës, mes ballistëve dhe komunistëve, në terrenin e dyfishtë të memories kombëtare dhe atë përplasjes ideologjike që imponon Lufta e Ftohtë. Pronësia mbi eshtrat, sipas logjikës së autoriteteve shqiptare, i përket vendit të origjinës, kujtesën e të cilit e posedon shteti shqiptar.
Ata që kundërshtojnë marrjen e eshtrave, nuk përcaktohen si armiq politikë, por të arratisur dhe në logjikën e komunizmit, arratia ishte e barasvlefshme me tradhtinë ndaj atdheut. Arratia imponon për anëtarët e “Ballit” jo vetëm cilësimin si armiq, por edhe statusin delikat të pezulltisë mes dorëzimit tek i huaji përmes mos pranimit të regjimit, dhe pakësimit të qytetarisë, për shkak të lëshimit të vendit të origjinës. Në këtë mënyrë, “të arratisurit” kanë humbur edhe pretendimin mbi trupin, fati i të cilit negociohet nga të dy shtetet.
Përpjekjet vënë në lojë dhe vetë marrëdhëniet shqiptaro-turke pasi udhëzimet që i jepen autoriteteve përfaqësuese shqiptare në Ankara, duhet t’i mëshojnë faktit se dorëzimi i trupit të rilindësit do të shihet si shenjë miqësie mes dy shteteve.
Përpjekjes mbi eshtrat e Frashërllinjve, i shtohet dhe një variabël tjetër që mund të cenojë përfundimisht mundësitë e shtetit shqiptar për të tërhequr trupat. Në fillim të viteve 1972, qeveria jugosllave, e cila pas protestave të fundviteve gjashtëdhjetë i njohu autonominë shqiptarëve, kërkon eshtrat, sidomos të Abdylit, për t’i vendosur pranë xhamisë së Bajraklies, atë që sot njihet si “Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Kështu, pretendimet politike rreth eshtrave të Abdylit nuk kufizohen vetëm në planin e ngushtë të konfliktit ideologjik, por shtrohen në një plan më kompleks të një narrative të dyfishtë mbi gjenealogjinë e rilindjes kombëtare, atë që duhet të prodhohet mes shqiptarëve brenda kuadrit shumë-kombëtar jugosllav dhe shtetit shqiptar.
Largimi i eshtrave në Jugosllavi, kësisoj do të konsiderohej një humbje e madhe, jo vetëm në rrafshin e kujtesës, por dhe në garën kulturore dhe kombëtar mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, mbi shqiptarët e Kosovës. Viti 1978 dhe përkujtimi i Lidhjes së Prizrenit, lidhet me suksesin e marrjes së trupave jashtë vendit dhe garën e shumëfishtë me kundërshtarët politikë e shtetërorë, për monopolin e memories mbarë shqiptare. Kur duket e pamundur marrja e eshtrave të Samiut, ky i fundit “sakrifikohet”, e kështu kërkohet vetëm Abdyli, pasi afrimi i përkujtimit të Lidhjes, e bën të domosdoshme integrimin e saj, me trupin ekselent të themeluesit të saj. Ministria e Jashtme i sugjeron përfaqësuesve shqiptarë, përdorimin e çfarëdo mjeti të mundshëm, përfshirë ryshfetin ndaj autoriteteve turke, për të rikuperuar eshtrat. Si për t’i dhënë formë kërkesës shqiptare, autoriteteve turke u rikujtohen edhe eshtrat e Hasan Riza Pashës të cilat janë gjendur në Shkodër e ruhen deri në momentin kur shteti turk t’i riatdhesojë.
Pas shumë negociatash, vetëm në vitin 1978, në zgrip të përkujtimeve të 100-vjetorit të Lidhjes, shteti turk pranon kërkesën për marrjen e eshtrave të Abdyl Frashërit. Ky pranim konsiderohet si një fitore e madhe e cila, nuk do t’i gëzonte as titistët e, as mërgatën armike në Turqi.
Në letërkëmbimin mes konsullatës në Stamboll dhe Ministrisë së Jashtme, raportohet se mërgata shqiptare në Turqi, e sidomos përfaqësuesit e “Ballit Kombëtar”, mund të bëjnë përpjekje për të rrëmbyer eshtrat e Abdyl Frashërit nga varrezat. Për ta shmangur këtë ngjarje, duhet të merren një sërë masash të cilat duhet të zgjasin deri në momentin në të cilin eshtrat do të kthehen në atdhe. Autoritetet zyrtare marrin parasysh të japin ryshfet, për të garantuar marrjen e eshtrave dhe gjithashtu mobilizojnë shqiptarë të tjerë për ruajtjen e tyre. Kështu, trupi i Abdylit kthehet jo vetëm në një terren konflikti ideologjik, por dhe në rrafshin e kompeticionit mbi diasporën shqiptare në Turqi të cilën autoritetet shqiptare e ndajnë në dy grupe – atë patriote dhe atë tradhtare. Vetë njohja e “pronësisë” të shtetit shqiptar mbi eshtrat, e përforcon akoma më shumë këtë ndarje aq sa vetë autoritetet konsullore mobilizojnë një pjesë të diasporës patriote, në mbikëqyrjen konstante të vendvarrimit të Abdylit i cili ruhet nga vullnetarë shqiptarë, gjatë gjithë kohës që kryhen formalitetet ligjore.
Ruajtja e eshtrave gjatë gjithë kohës që kryhen formalitetet e zhvarrimit, është edhe një provë force e autoriteteve shqiptare ndaj anëtarëve të “Ballit Kombëtar” në mërgim. Ajo shihet në vijimin e një liturgjie të luftës që karakterizon komunikimin mes Ministrisë së Jashtme dhe funksionarëve të konsullatës shqiptare në Stamboll. Përpos eshtrave të Abdylit, autoritetet shqiptare marrin në konsullatë edhe mbetjet e mermerit, shenjat dalluese të varrit të cilat janë trofe “lufte”. Marrja e tyre zhduk çdo lloj gjurme që lidh trupin me diasporën anti-komuniste, duke i hequr mërgatës antikomuniste dhe mundësinë ta përdorë varrin bosh, qoftë dhe simbolikisht. Kështu, marrja e eshtrave ndan përfundimisht lidhjen emocionale mes trupit të babait dhe të birit, Mit’hatit, i cili konsiderohet si tradhtar i kombit e i atdheut, e kësisoj si çnderues i figurës atërore. Eshtrat e Abdylit do të përcillen në Shqipëri, ku itinerari parashikon kalimin nga Greqia. Sikurse në Stamboll, edhe përgjatë udhëtimit në Greqi autoritetet shqiptare organizojnë ruajtjen e vazhdueshme të trupit, si për të treguar se jo vetëm prehja, por dhe siguria fundore e tij mund të bëhej vetëm brenda kufijve territorialë.
Arritja e trupit në vend i jep mundësinë regjimit të organizojë një sërë manifestimesh masive, që shënjojnë rinovimin e gjeografisë për bashkuese shqiptare e cila manifestohet përmes lëvizjes së eshtrave. Kështu, fillimisht arkëmorti me eshtrat e Abdylit pushon në Korçë, Ersekë e Përmet, për t’u vendosur më pas në fshatin e lindjes Frashër. Për thuajse tre muaj, eshtrat pushojnë në shtëpinë muze të familjes Frashëri. Programi parashikon që gjatë gjithë kësaj periudhe të zhvillohen manifestime masive dhe shtëpia të kthehet në një qendër pelegrinazhi për banorët e zonës, shkollat e qendrat e punës. Përgjatë gjithë kohës, këshillohen gjithashtu të ftohen të moshuar të veshur me kostume popullore, si për të bërë lidhjen gjenealogjike mes të tashmes dhe të shkuarës. Pavarësisht se deklinacioni përfundimtar i eshtrave të Abdyl Frashërit do të ishte Tirana, vendimi i Këshillit të Ministrave sugjeron se publikut duhet t’i komunikohet se ato janë vendosur në vendlindje, me kërkesën e nën përkujdesin e autoriteteve lokale, duke përforcuar kësisoj lidhjen mes lokales dhe kombëtares. Pezulltia përkujtuese të cilës i nënshtrohen eshtrat, i izolon ato përkohësisht te lokalja, pasi ardhja e eshtrave parashikohet të komunikohet në shtyp, vetëm një ditë përpara arritjes së tyre në Tiranë.
Kështu, ajo duket si njëfarë mrekullie e papritur, që ndërmjetësohet e mundësohet nga shteti, si për të mbajtur në tension emocional të gjithë komunitetin edhe pse, ky i fundit, është angazhuar nga autoritetet për të marrë pjesë masivisht në ceremoni. Eshtrat e Frashërllinjve, pa dashje, kthehen në simbolin unitar të çdo regjimi, përfshirë atë komunist. Zhvendosja e tyre në qendër e jo në vendlindje, nuk është e paqëllimshme. Sikurse eshtrat e Naimit, u morën nga Stambolli dhe u varrosën në Tiranë, edhe ato të Abdylit do të duhej të varroseshin po aty. Mbi të gjitha, ishte e rëndësishme që vëllezërit të vendoseshin në të njëjtin vend. Ai fillon që në vitet shtatëdhjetë, kur mendohej të ndërtohej një monument për Naim Frashërin, vendndodhja e të cilit pranë Kryeministrisë, nuk shihej e përshtatshme. Kriteret e ndjekura kërkojnë që vendi të jetë lehtësisht i arritshëm, për t’u kthyer në vend pelegrinazhi, për popullsinë.
Vendosja në Parkun e Madh të Tiranës, përmbush këto kritere: atë të pelegrinazhit dhe atë monumentalitetit. Vendvarrimi nuk duhet të jetë një monument i thjeshtë funeral. Vetë ceremoniali i sjelljes së trupit të Abdylit, futet në logjikën e ceremonialit shtetëror të regjimit. Pasi eshtrat i tij vijnë në Tiranë, e ndërkohë ai i Naimit është zhvarrosur, ata pozicionohen në sheshin “Skënderbej” përpara statujës së heroit kombëtar. Në ceremoni parashikohet pjesëmarrje masive e popullsisë e cila do të duhet të nderojë me grusht. Për të bërë të mundur lidhjen e së tashmes dhe së shkuarës, përveç himnit kombëtar, parashikohet të luhet dhe kënga “Për Mëmëdhenë” e cila zëvendëson marshin funebër. Pas ceremonisë, arkëmortët lëvizen në kortezh i cili përshkon të gjithë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kaluar përmes dy qendrave nevralgjike të pushtetit, Kryeministrisë dhe Komitetit Qendror, për t‘u zhvendosur më pas në memorialin e sapo ndërtuar në Parkun e Madh të Tiranës. /Memorie.al/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
ASHIK QERIBI
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Në ndriçim të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme