LAJMI I FUNDIT:

​Abbott: Kosova duhet t’i dëgjojë këshillat e miqve

​Abbott: Kosova duhet t’i dëgjojë këshillat e miqve

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abott, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës t’i dëgjojë këshillat që vijnë nga miqtë dhe partnerët e saj për të ndërmarrë hapa për shtensionimin e situatës në veri.

Në një deklarim për media në hollin e Kuvendit, ai ka thënë se nuk është e nevojshme që kryetarët shqiptarë të komunave veriore të punojnë nga objektet komunale, e as nuk ka nevojë që Policia e Kosovës të luajë rolin e rojeve.

“Ne mbetemi të shqetësuar si të gjithë aleatët dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës për situatën në veri. Ne po vazhdojmë të kërkojmë de-përshkallëzimin. Ne nuk besojmë se është e nevojshme që kryetarët e komunave të punojnë nga zyrat komunale dhe nuk besojmë realisht se ka nevojë që njësitë speciale të policisë të veprojnë si roje për ndërtesat”.


“Ata kanë punë shumë më të rëndësishme për të bërë diku tjetër. Kështu që, shpresoj shumë që në ditët në vijim të shohim një ndryshim. Do të shohim propozime, do të shohim shumë më tepër bashkëpunim ndërmjet agjencive të sigurisë. Natyrisht si ambasador, unë jam duke folur me shumë njerëz të ndryshëm dhe po përpiqem të gjej se cila është mënyra më e mirë për të ecur përpara”.

“Kjo është një kohë e vështirë dhe mendoj se duhet të jetë krejtësisht normale që Kosova të dëgjojë këshillat që vijnë nga miqtë dhe partnerët e saj. Shqipëria është një vend që është shumë afër Kosovës. Ne e dimë se javën e ardhshme do të ketë bisedime mes qeverive. Jam i sigurt se do të ketë shumë çështje në tryezë. Këshilla ime për qeverinë do të jetë që t’i dëgjojë të gjitha këto, të gjejë rrugën e duhur përpara, por një rrugë që tregon mirëkuptim për shqetësimet e miqve të saj”, ka deklaruar Abbott.

Për propozimin e draft-statutit për Asociacionin nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Abott ka thënë se nuk e ka parë ende, por ai e di që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë shumë të afërta e që do ta kenë një takim javën e ardhshme.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar të enjten se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët.

Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi./Telegrafi/