LAJMI I FUNDIT:

Kriza energjetike dhe menaxhimi nga Qeveria – Kuvendi nuk e miraton raportin e Komisionit hetimor parlamentar

Kriza energjetike dhe menaxhimi nga Qeveria – Kuvendi nuk e miraton raportin e Komisionit hetimor parlamentar

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar raportin e Komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ky raport u hodh në votim në seancën e sotme dhe nga 77  deputetë të pranishëm në sallë, 16 votuan për, kundër nuk pati ndërkaq abstenuan 61 deputetë.


Për miratimin e këtij raporti votuan deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kurse abstenuan deputetët e LVV-së.

Abstenim për këtë raport pati edhe nga vetë kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin votuar për themelimin e dy komisioneve hetimore për energjinë elektrike gjatë seancës së 5 majit të vitit 2022, gjatë së cilës pati debate të ashpra.

Një komision hetimor ishte iniciuar nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe i njëjti ishte vendosur te kryesohej nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

Ndërkaq, edhe partia në pushtet LVV kishte iniciuar një komisioni hetimor i cili udhëhiqej nga deputeti Hajdar Beqaj i PDK-së.

Komisioni hetimor i propozuar nga opozita synonte që të hetojë të gjitha masat e ndërmarra gjatë periudhës së gjendjes emergjente për energjinë, që Kuvendi kishte votuar për të shpallur vitin e kaluar.

Ndër masat e ndërmarra në periudhën e gjendjes emergjente ishin: vendosja e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosja e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Si pasojë e krizës energjetike, Kosova u përball me shtrenjtim të rrymës.

Ndërkaq, komisioni hetimor i Lëvizjes Vetëvendosje kishte kërkuar që të hetohen aktivitetet në sektorin e energjisë në periudhën kohore 2006-2022.

Këtu përfshihet hetimi i investimeve kapitale në Korporatën Energjetike të Kosovës pas privatizimit të distribucionit në këtë kompani. /Telegrafi/