LAJMI I FUNDIT:

Grafitet që e ndërlidhin Kosovën me Vojvodinën

Grafitet që e ndërlidhin Kosovën me Vojvodinën

“Brigada Veriu” (Brigada Sever) me grafite të  ngjashme në dy qytete dhe dy shtete, por me mesazhe të ndryshme.

Grafitet “Brigada Veriu, Vojvodina vojvodinasëve”, u shfaqën në disa lokacione në Novi Sad, qytetin më të madh në krahinën e Vojvodinës, në veri të Serbisë.

Ato u shfaqën më 13 nëntor nga organizata joformale “Mlada Vojvodina” (Vojvodina e re), e cila mbron publikisht qëndrimin se “Vojvodina duhet të jetë Republikë”.


“Brigada veriu” ishte edhe grafiti që në të njëjtën ditë me atë të Novi Sadit u shfaq në veri të Kosovës. Në ato grafite kërkohet “rezistencë” ndaj autoriteteve të Kosovës në ditët kur përfaqësuesit e serbëve u larguan nga institucionet.

“Që nga 21 nëntori është obligim i të gjithëve që të rezistojmë në çdo hap! Brigada e Veriut”, shkruan në grafitet në Mitrovicën e Veriut me ngjyrat e flamurit serb. Ky ishte një reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për gjobitjen e drejtuesve të automjeteve me targa të lëshuara nga autoritetet paralele serbe, të cilat konsiderohen të paligjshme. Vendimi hyn në fuqi më 21 nëntor.

Radio Evropa e Lirë (REL) nuk ka informacion se kush qëndron prapa grafiteve “Brigada Veriu”, në veri të Kosovës.

Grafite me mbishkrime të ngjashme janë shfaqur edhe në muajin gusht në Mitrovicën Veriore, me mesazhin “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Po presim!”, në fillim të tensioneve të shtuara mes Serbisë dhe Kosovës.

Aleksandar Popov nga Qendra joqeveritare për Rajonalizim në Novi Sad e sheh thirrjen për bojkot të institucioneve të Kosovës në të njëjtin kontekst si thirrjet për shkëputjen e Vojvodinës si “provokim”.

“Më duket se është provokim i dikujt për të komprometuar edhe këtë pjesë të mbetur të autonomisë, e cila është vetëm një kornizë boshe pa foto”, tha ai në një deklaratë për REL.

Rajoni i Vojvodinës, në të cilin, sipas të dhënave të fundit, jetojnë rreth 1.9 milion njerëz, është shtëpia e më shumë se 20 bashkësive nacionale dhe ka autonomi krahinore të garantuar me kushtetutë në Serbi.

Nga ana tjetër, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë krahinë, me emrin “Krahina autonome e Kosovës dhe Metohisë”.

Cila është “lidhja” mes Kosovës dhe Vojvodinës?

Grupi joformal “Mlada Vojvodina” nuk iu përgjigj pyetjes së REL se çfarë ideje qëndron prapa grafitit “Brigada e Veriut, Vojvodina vojvodinasëve”.

Një zyrtar i lartë i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe ish-deputeti në Kuvendin e Vojvodinës, Milenko Jovanov, tha se ekziston “vetëm një lidhje” mes Kosovës dhe Vojvodinës.

“E vetmja paralele mes Krahinës Autonome të Vojvodinës dhe Kosovës është se ato janë krahina autonome në Republikën e Serbisë. Nuk ka asnjë paralele tjetër që mund të bëhet”, tha Jovanov.

Aleksandar Popov vlerëson se krahasimi i Vojvodinës me veriun e Kosovës nuk është “as logjik, as i përshtatshëm dhe as i dobishëm për askënd në Vojvodinë”.

Veriu i Kosovës, edhe pse pjesë e shtetit të Kosovës, nuk është plotësisht i integruar në sistemin e Kosovës. Në katër komuna në veri me shumicë serbe, pushteti mbahet nga Lista Serbe, një parti që gëzon mbështetjen e autoriteteve në Beograd, shkruan REL.

Sekretari i përgjithshëm i partisë rajonale Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës, Bojan Kostresh, kritikon mesazhet e grafiteve në Vojvodinë.

“Duke pasur parasysh se bëhet fjalë, supozoj, për të rinj, një mesazh kaq i ngurtë dhe ndoshta agresiv nuk është i mirë. Acarimi i marrëdhënieve apo ndonjë konflikt mes Vojvodinës dhe Beogradit nuk është i mirë në këtë moment, as për Vojvodinën dhe as për të gjithë shtetin e Serbisë”, tha ai.

Si e shohin këtë qytetarët e Vojvodinës?

Marija nga Novi Sadi beson se “çështja e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë të bëjë kurrë me separatizmin e Vojvodinës”.

“Besoj se përqindja e atyre që angazhohen për shkëputjen e Vojvodinës ka qenë gjithmonë në nivelin e një gabimi statistikor, por politikanët dhe mediat duan t’i japin më shumë rëndësi, sesa meriton çështja,” tha ajo.

“Mendoj se pas gjithë kësaj qëndron motivi i çdo qeverie për të mohuar çështjen e decentralizimit të vërtetë, për të cilin ka nevojë çdo shoqëri, përfshirë edhe tonën”, përfundon Marija.

Për Stefanin nga Zrenjanini, edhe Kosova edhe Vojvodina janë “krahina në Serbi”.

“Unë jam kundër pavarësisë së Kosovës. Por mendoj se ka shumë mundësi që ajo tani të ndahet totalisht nga Serbia”, tha ai.

Ai mendon se “nuk mund të bëhet paralele mes çështjes së Kosovës dhe Vojvodinës”.

“Vojvodina është multietnike, të gjitha kombet janë të pranuara dhe nuk ka tensione. Është krejtësisht i ndryshëm parimi i politikës ndaj Kosovës dhe Vojvodinës. Kosova është në udhëkryq të ndarjes për 30 vjet, ndërsa unë nuk shoh diçka të ngjashme në Vojvodinë”, tha ai.

“Kur e shoh sloganin ‘Vojvodina vojvodinasëve’, nuk e kam problem”, thotë Ivana nga Zrenjanini.

Ai shton se “autonomia e Vojvodinës është çështje për qytetarët e saj, jo për qeverinë në Beograd”.

“Ashtu siç qeveria në Beograd nuk duhet të nxisë tensione në Kosovë, e cila është e pavarur”.

Kush qëndron pas sloganit “Brigada Veriu, Vojvodina vojvodinasëve”?

Duke reaguar ndaj grafitit të nënshkruar nga “Mlada Vojvodina”, Milenko Jovanov tha se ky është një “aktivitet i rrezikshëm i një grupi politik krejtësisht të padëmshëm”.

“Këtë e bëjnë të njëjtit që janë shumë të zëshëm kur shohin slogane si ‘Serbia serbëve’, pra kjo tregon së pari se janë hipokritë dhe së dyti se janë shumë të prirë për njëfarë mënyre të të menduarit fashist”, shton ai.

Ai beson se “prapa grafiteve qëndrojnë ata që duan të rifitojnë rolin e përfaqësuesve të interesave të qytetarëve serbë që jetojnë në zonën e Krahinës Autonome të Vojvodinës dhe që kanë përfituar më së shumti nga historia e Vojvodinës”.

I pyetur se për cilin grup politik e kishte fjalën, Jovanov nuk specifikoi.

Në anën tjetër, Aleksandar Popov nga Qendra joqeveritare për Rajonalizim vlerëson se “Duke i njohur të gjithë akterët që angazhohen për autonomi në Vojvodinë, ata sigurisht që nuk do ta bënin këtë, veçanërisht jo në këtë moment sepse kjo e komprometon idenë e tyre”.

Progresistët për Memorandumin për Vojvodinën: Kërkesa për një shtet brenda një shteti

Një nga çështjet kryesore që mbrojnë ato parti është miratimi i të ashtuquajturave “ligje të Vojvodinës” – Ligji për përcaktimin e kompetencave të Krahinës Autonome të Vojvodinës dhe Ligji për Kompetencat Financiare, i cili është një detyrim kushtetues i Serbisë që nga viti 2006, kur u miratua Kushtetuta e re.

Partia rajonale Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës (LSV) e mbështet identitetin e saj politik në kërkesat për zgjerimin e autonomisë së Vojvodinës.

Sekretari i përgjithshëm i asaj partie, Bojan Kostresh, vlerësoi se grafiti në Novi Sad ishte një përpjekje për të “tërhequr vëmendjen”.

“Mendoj se një mesazh i tillë praktikisht është një përpjekje për të tërhequr vëmendjen tek autoritetet në Serbi, por edhe te nacionalistët serbë, që përveç të ashtuquajturës ‘krahinë jugore serbe’, pavarësinë e së cilës e kanë njohur një numër i madh vendet perëndimore, ekziston edhe e ashtuquajtura ‘krahinë veriore serbe’ sipas nomenklaturës nacionaliste, respektivisht Vojvodina”.

Ai shton se “njerëzit që jetojnë atje duan të jenë pjesë e Serbisë, por gjithashtu duan të jetojnë më mirë dhe të pranohet e drejta e Vojvodinës për të menaxhuar burimet e saj”, tha ai. /Rel/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Drejtësi
Kalo në kategori