LAJMI I FUNDIT:

Qytetet ku pati shkarkime rrufesh e erë, nga Instituti flasin për motin që pritet të mbajë sot

Qytetet ku pati shkarkime rrufesh e erë, nga Instituti flasin për motin që pritet të mbajë sot

Prishtina, Kamenica, Prizreni e Podujeva – janë qytetet ku të martën mbrëma pati shkarkime rrufesh e erë.

Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), në një prononcim për Telegrafin tha se era ka qenë mesatare, rreth 19 km/h.


“Dje moti ka qenë i ndryshueshëm. Pasdite ka pasur shkarkime rrufesh dhe erë mesatare, diku 19 km/h, apo shprehur në metër sekondë 5.4 metër në Prishtinë, 5.8 në rrethinën e Kamenicës, në Prizren 5.2 metër për sekondë, në Pejë 4.9, ndërsa në Podujevë 5.2 metër për sekondë”, deklaroi Aliu.

Stuhi e shtrëngatë e fuqishme në disa qytete të Kosovës
Lexo po ashtu Stuhi e shtrëngatë e fuqishme në disa qytete të Kosovës

Në intervale kohore tha se kjo shpejtësi e erës ka qenë nga ora 18:45 deri në 20:45.

Aliu veçanërisht përmendi Podujevën me rrethinë, ku tha se ka pasur stuhi me reshje shiu e breshëri, të cilat kanë shkaktuar edhe dëme.

“Sasitë e reshjeve janë regjistruar 18 litër për metër katrorë, ndërsa breshër kishte rënë në këto fshatra, ku janë shkaktuar edhe dëme: Gllavnik, Lluzhan, Majac, Lupç, Bradash, Obrangj dhe Dobratin”.

Tutje, ai tha se në disa pjesë të vendit ka pasur edhe vranësira, shkarkime elektrike si dhe reshje shiu, të cilat nuk kanë qenë të intensitetit të lartë, por vetëm riga.

Ndërsa sot, Aliu theksoi se moti është i qetë dhe pritet të ketë reshje shiu.

Pamje nga stuhia e verës që kaloi mbi Prishtinë
Lexo po ashtu Pamje nga stuhia e verës që kaloi mbi Prishtinë

“Për momentin moti është i qetë. Sot dhe nesër pritet të ketë reshje shiu, ndërsa shpejtësia e erës mund të arrijë deri në 8 apo 9 metra në sekondë dhe pritet të jetë erë lokale”, shtoi ai.

Ndërkaq, sipas Aliut, në Istog erërat pritet të jenë më të fuqishme krahasuar me qytetet tjera.

“Shpejtësia e erës pritet të arrijë deri në 9 apo 11 metër për sekondë”, përfundoi ai. /Telegrafi/