LAJMI I FUNDIT:

Masat e reja kufizuese antiCOVID, komunat fajësojnë nivelin qendror për mosbashkëpunim

Masat e reja kufizuese antiCOVID, komunat fajësojnë nivelin qendror për mosbashkëpunim
Foto: Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë sot pritet të shqyrtojë mundësinë për ndryshimin e masave antiCOVID, kjo pasi ditëve të fundit në vend është rritur numri i personave të prekur nga virusi.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Telegrafin se ata janë përjashtuar në mënyrë arbitrare nga Komiteti për Vlerësim dhe Koordimin, ku bëhet vlerësimi i situatës epidemiologjike, kësisoj të gjitha vendimet që do të merren varen vetëm nga niveli qendror.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës si përfaqësues legjitim i autoriteteve lokale në Republikën e Kosovës janë të përjashtuara në mënyrë arbitrare nga Komiteti antiCOVID, edhe pse komunat kanë luajtur një rol thelbësor në parandalimin e përhapjes së COVID-19. Gjithashtu edhe Asociacioni ka qenë në përkrahje të komunave gjithnjë, dhe ka qenë shumë aktiv prej marsit të vitit 2020”, tha ai.


Sazan Ibrahimi

Ibrahimi shtoi tutje se niveli qendror nuk po dëshiron asnjë bashkëpunim me nivelin lokal sa i përket masave antiCOVID.

“Ministria e Shëndetësisë e ka parë të arsyeshme të përjashtojë në mënyrë arbitrare Asociacionin e Komunave të Kosovës, në dy takimet e fundit nuk është ftuar. Njëherë kemi qenë të përjashtuar po në këtë mënyrë nga ish ministri Arben Vitia, po pastaj pas takimit që kemi pasur me Arben Vitinë, ka theksuar se ka qenë gabim teknik dhe është rikthyer. Mirëpo tani, kjo po shihet se është e qëllimshme, dhe se niveli qendror nuk dëshiron asnjë bashkëpunim me nivelin lokal sa i përket masave antiCOVID”, deklaroi ai.

Në fund të deklaratës, Ibrahimi shtoi se për shkak se nuk ka një bashkëpunim të tillë mes nivelit qendror dhe atij lokal, po rriten edhe rastet me COVID-19.

“Vendimet po merren në nivel qendror, gjithçka në dorë ka niveli qendror, po shihet se për një mosbashkëpunim të tillë po rriten edhe rastet mbi 2 mijë, çdo bashkëpunim jo i sinqertë shkon në dëm të qytetarëve”, potencoi ai.

Ndryshe, ditën e mërkurë në Kosovë janë konfirmuar 2050 raste të reja me coronavirus. E pas rasteve të konfirmuara, Drin Podrimqaku, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë ka konfirmuar që së shpejti do të dalin me masa të reja kufizuese.

“Ministri është në vazhdimësi në takime dhe duke përcjellë situatën epidemiologjike, bazuar në rekomandimet së shpejti do të dalim me masa të reja”, ka deklaruar Podrimqaku.

MSH u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat antiCOVID, duke njoftuar se varianti Omicron i coronavirusit tanimë është bërë variant dominues në qarkullim.

Aktualisht në Kosovë vlejnë masat kufizuese të ndërmarra gjatë vitit 2021, ku pas orës 24:00 deri në ora 05:00 vlen ora policore, ndërsa, nga 3 janari në Kosovë mund të hyjnë vetëm qytetarët që kanë marrë dy dozat kundër coronavirusit. /Telegrafi/