LAJMI I FUNDIT:

Preteksti për likuidimin e intelektualëve: 70 vjet nga “Bomba në Ambasadën sovjetike” në Tiranë

Preteksti për likuidimin e intelektualëve: 70 vjet nga “Bomba në Ambasadën sovjetike” në Tiranë
Gruaja që ra viktimë e Dinjitetit dhe Bukurisë
Lexo po ashtu Gruaja që ra viktimë e Dinjitetit dhe Bukurisë

Në kuadër të kurimit të së shkuarës, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kujton 19 shkurtin e vitit 1951, të orës 18:00 – datën e vendosjes së bombës në Ambasadën sovjetike. Ngjarja që njihet si “bomba në Ambasadën sovjetike”, u përdor si pretekst për ekzekutimin e kundërshtarëve të regjimit.


Një javë më pas, mesnatën mes 25 dhe 26 shkurtit, 22 intelektualë të vendit nxirren nga qelitë e burgut të lidhur në pranga dhe vihen në një kamion që ka marrë udhën për nga Ndroqi. Banorët e zonës kanë parë gjatë atyre ditëve të hapet një gropë e madhe në Mënik, afër Urës së Beshirit. Rreth orës 12:30-01:00 të natës dëgjohen breshëri armësh dhe britma (të një gruaje që thuhet të ketë qenë Sabiha Kasimati).

Atë natë, banorët nuk e dinin se jetët që fikeshin qenë pushkatime pa gjyq. Njëri prej tyre që u ndërrua me ushtarët orët e para të 26 shkurtit, u porosit të hapte fjalën se qenë ekzekutuar kuaj të lodhur. Të nesërmen, kryetari i këshillit të fshatit kaloi për të parë ç’kishte ndodhur dhe pa të shpërndara këpucë e rroba. Duke qenë se trupat e pajetë nuk ishin mbuluar mirë dhe pranë varrit të pamatë afroheshin qentë, ai njoftoi eprorët se çfarë po ndodhte. U porosit të heshtte. Disa ditë më vonë, një ekskavator e rrafshoi vendin.

Pavarësisht porosive, banorët e zonës ishin të vetëdijshëm se breshëritë e shpeshta në errësirë, britmat dhe lëvizjet e kamionëve netëve pranë urës, nënkuptonin jetë të humbura. Pronarët e truallit e kishin lënë me amanet që ajo tokë aty të mos përdorej kurrë për gjë tjetër, veçse për të mbjellë pemë. Ata e dinin që atje kishte varre të panumërta të pushkatuarish nga diktatura.

Eshtrat e 22 intelektualëve që u ekzekutuan në shkurtin e vitit 1951, u gjetën nga ngulmimi i Hysen Shehut, djalit të njërit prej viktimave. Më 1993, ai mundi të mbledhë informacione të dëshmitarëve dhe banorëve të zonës, si familja e ish-kryetarit të këshillit të fshatit, Kadri Hysa. Me identifikimin e vendit, pas gjashtë muajsh gërmime, në 5-6 gropa, u has në një unazë që shënjoi lidhjen me të pushkatuarit për bombën në Ambasadën Sovjetike. Në qershorin e vitit 1993 u krye zhvarrimi i tyre dhe më pas rivarrimi në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Sot, në nderim të tyre, një rrugë mban emrin “26 Shkurti”. /Telegrafi/