Nga: Xhelal Zejneli
Pa kurrfarë dyshimi, Franz Kafka është një prej shkrimtarëve botërorë, më të rëndësishëm dhe më largpamës të shekullit XX. Romani “Procesi” është pjesë e pandarë e artit letrar modern. Ka studiues që thonë se për një “Proces” autentik, duhet t’u kthehemi dorëshkrimeve burimore, duke i shmangur të gjitha ndërhyrjet e mëvonshme që nuk burojnë nga dora e shkrimtarit.
“Procesi” na e ngjall atë që edhe sot, në mënyrë vendimtare, e karakterizon ekzistencën tonë private dhe publike. Kështu do të jetë kurdo që të ballafaqohemi me absurdet dhe me anën e panjerëzishme të botës sonë. Në të njëjtën kohë, thellë në veprën e Kafkës, ekziston një qeshje me shumë kuptime e cila në mënyrë enigmatike ndikon që çdo dimension i “Procesit” të jetë thelbësor, autobiografik dhe imagjinues, metafizik dhe religjioz, psikologjik dhe profetik, përfshi edhe dimensioni që ka të bëjë me kritikën e rendit opresiv apo me kufijtë e frikës sonë dhe të mendimeve tona. Romani i Kafkës është një vepër e madhe dhe pakapërcyeshme e kohës sonë. Pa të, kurrë nuk do të mund të thoshim se e njohim mjaftueshëm botën e njeriut të shekullit XX.
* * *
“Procesi” është një prej romaneve më të rëndësishme të shekullit XX. Dikush duhet të ketë shpifur për Jozef K., ngase, pa bërë kurrfarë të keqeje, një mëngjes arrestohet.
Jozef K., prokurist perspektiv i një banke të madhe, u arrestua në ditëlindjen e tij të 30-të, herët në mëngjes, sapo i kishte çelur sytë. Akuza nuk dihet. Nuk dihet as se në cilën gjykatë zhvillohet procesi dhe çfarë rrjedhe do të ketë ai. Jozef K.-së ia bëjnë me dije se gjykata nuk dëshiron t’ia çrregullojë mënyrën e rëndomtë të jetës dhe se ai, në përputhje me këtë, lirisht mund t’u kthehet veprimtarive të përditshme. Mirëpo, Jozef K., në ditët dhe në muajt e ardhshëm, gjithnjë më tepër ngatërrohet në rrjetën e padukshme të procesit të vet dhe të gjykatës së skëterrshme që e ka ngritur atë. Hap pas hapi, Jozef K. mëson se çdo gjë është në duart e gjykatës. Në prag të ditëlindjes së tij të 31-të, një vit pas arrestimit, Jozef K. i pret xhelatët me gatishmëri.
Sot e kësaj dite, Kafka është një fenomen unik i letërsisë botërore, ndërsa dekadat që kanë kaluar që nga paraqitja e veprave të tij, fare nuk e kanë pakësuar karakterin modern të tyre dhe aktualitetin e tyre. Te “Procesi” ballafaqohemi me një botë të pabesueshme, shqetësuese, përplot me individë të depersonalizuar dhe me ngjarje absurde, por që autori i paraqet si fare normale dhe të zakonshme. Proza groteske e Kafkës në kufirin e halucinacionit dhe të reales, sot e kësaj dite na tërheq në botën e vet shqetësuese, sikur reflektimi në një pasqyrë të shtrembëruar, për të cilin nuk dimë në është travesti, shtrembërim, maskim apo diagnozë profetike lucide. Apo, edhe njëra edhe tjetra.
* * *
“Procesi” është një prej veprave më të njohur gjermane të të gjitha kohëve. Kafka e shkroi në vitin 1914 dhe 1915. Romani u botua postum, në vitin 1925, i papërfunduar. Sidoqoftë, romani e ka kapitullin përfundimtar që veprimin e çon deri në fund. Romanin e përgatiti për shtyp miku i Kafkës, Max Brodi, i cili edhe e sistemoi dhe e renditi romanin sipas kapitujve. Në botimin e sotëm, vepra përmban dhjetë kapituj. Me titullin e vet, vepra sugjeron veprimin në qendër të të cilit vihet procesi gjyqësor. Por, vepra në të vërtetë është revoltë e Kafkës kundër sistemit dhe burokracisë siç e njeh ai.
“Procesi” është njëherazi proces i luftës së njeriut kundër atyre që janë më të mëdhenj se ai, i njeriut të mbetur pa ndihmën e kujt. Gjykata e cila si një instancë e padukshme, megjithëkëtë ekzistuese, shtrihet gjatë tërë veprës Ajo e përndjek dhe e dënon individin i cili nuk e di se përse akuzohet. Kësisoj, jeta e njeriut shndërrohet në formular dhe përfshihet në format e jetës robotike, ku ligjet dhe sistemi janë mbi jetën.
“Procesi” interpretohet edhe si domosdoshmëri dhe pashmangshmëri e fatit, gjë që e vërejmë në sjelljen e Jozef K.-së në fund të romanit, ku ai, pa rezistencë, i dorëzohet dënimit me vdekje. I tërë koncepti i tjetërsimit që e hasim edhe te “Metamorfoza”, është reflektim i përpjekjes së Kafkës për ta gjetur veten. Kafka, si një hebre çek që flet gjermanisht, gjithmonë dhe në çfarëdo mjedisi e ka ndjerë veten të huaj. Tjetërsimi vërehet më së miri në papërcaktueshmërinë e kohës, të vendit të veprimit, të numrit të personazheve që shfaqen vetëm një herë apo që zhduken sakaq, mu në mes të veprimit. Tjetërsimi vërehet edhe në ripërkufizimin e fajit që i ngjishet personazhit kryesor. Në situatën konkrete, personazhi kryesor nuk mund të bëjë dot gjë, pos ta pranojë atë, që në fund edhe e bën.
Pjesa më e madhe e personazheve janë nëpunës, qoftë bankarë, qoftë gjyqësorë apo të policisë. E bezdisshme është edhe atmosfera e interierëve dhe e eksterierëve që i paraqet Kafka në roman. Hapësirat e gjykatave ndodhen në tavane, në pjesët e përhumbura, të varfra të qytetit. Pranë hapësirave gjyqësore kryhen punë të përditshme, siç është larja e rrobave. Ndjenjat e ankthit dhe paradoksalizmi i veprimit krijojnë dimensionin kafkian të romanit dhe reflektojnë dimensionin psikologjik të romanit. Më e keqja është se si personazhi kryesor i “Procesit” mund të jetë cilido njeri i botës. Jozef K. është i zakonshëm dhe kjo vërehet edhe në emrin e tij. Ai nuk ka një identitet të plotë, por vetëm emrin dhe inicialin. Në vend të tij mund të jetë kushdo qoftë. Këtu qëndron edhe kanosja më e madhe e këtij romani. Për këtë arsye, “Procesi” i Kafkës është bërë sinonim i situatave absurde në të cilat vihet njeriu, pa fajin e vet dhe prej të cilave nuk mund të nxirret me logjikë. Atij s’i mbetet tjetër, pos ta pranojë gjendjen në të cilën ndodhet. Është një vepër e madhe dhe e rëndësishme e modernes e cila, si askush deri më sot, e tregon absurditetin e shoqërisë moderne dhe njeriun të mbërthyer në të.
* * *
Elementet letrare të “Procesit”: Vepra i takon gjinisë letrare të epikës dhe llojit letrar – romanit.
Vendi i zhvillimit të veprimit: Veprimi zhvillohet në një qytet evropian të papërcaktuar.
Veprimet zhvillohen: në banesat e zonjës Grubah (dhoma e Jozef K.-së); në gjykatë; në banesën e avokatit; në bankë, në banesën e piktorit Titoreli, në gurore.
Koha e zhvillimit të veprimi: Veprimi zhvillohet në shekullin XX.
Tema e romanit: Procesi gjyqësor i njeriut, të fajësuar pa të drejtë.
Ideja e romanit: Pasqyrimi i absurdit të shoqërisë dhe i individit i cili nuk ka mundësi të dalë i pafajshëm.
* * *
Përmbajtja e veprës: Jozef K. është një nëpunës bankar i cili në ditëlindjen e tij të 30-të zgjohet nga një trokitje në derë. Në dhomë i hyn një i panjohur, ndërsa tjetri e pret në dhomën tjetër. Ata prezantohen si nëpunës të gjykatës të cilët kanë ardhur ta arrestojnë. Arsyen nuk duan t’ia thonë. Jozef K. mendon se kjo nuk është veçse një shaka e pakripë e kolegëve të byrosë. Pajtohet me marrjen në pyetje të inspektorëve. Pas kësaj, ata i thonë se është i lirë për të shkuar në punë, derisa të mos fillojë gjykimi. Jozef K. e pa të arsyeshme që rastin t’ia rrëfejë pronares së banesës, zonjës Grubah (Grubach) si dhe zonjushës Byrstner (Bürstner), dhomën e së cilës, personat që e morën në pyetje, e kishin zaptuar atë mëngjes. Për ta trimëruar, Jozef K. e mbuloi zonjushën Byrstner (Bürstner) me të puthura.
Një thirrje telefonike e njoftoi Jozef K.-në se hetimi i rastit të tij është caktuar për të dielën. Gjatë bisedës telefonike ia kishin treguar vetëm adresën se ku do të kryhej hetimi, ndërsa orën e hetimit – jo. Jozef K. supozoi se do të merrej në dëgjim në orën nëntë në mëngjes. Në këtë që po përjetonte, nuk deshi ta ngatërronte as shoferin taksist, ndaj u nis vetë. Kur mbërriti para ndërtesës, nuk u ndje mirë kur pa para vetes një godinë tejet të madhe shumëkatëshe me shkallë të veçanta. Nuk dinte ku të drejtohej. U ngjit në do shkallë dhe në të ecur zhbironte çdo hapësirë, me shpresë se do ta gjente atë që kërkonte. Krejt që kishte parë ishin do familje të varfra. U thoshte se e kërkon zdrukthëtarin Lanz.
Në katin e pestë kalon pranë një gruaje e cila lante do tesha fëmijësh. Ajo e udhëzon se ku duhet të shkojë. Hap pas hapi i afrohet një hapësire që duket si sallë gjykate. Njeriu të cilin e mori për gjyqtar i tha se ka ardhur me një orë vonesë. Publiku në gjykatë e përshëndet herë me duartrokitje, herë me heshtje. Sakaq, gjyqtari kryesor filloi me pyetjet. Midis tjerash, e pyeti Jozef K.-në në ishte bojaxhi. Jozef K. menjëherë nisi të arsyetohet, duke e hedhur notesin e gjyqtarit dhe duke e përshkruar arrestimin e vet. I ra në sy se të gjithë në sallë kanë do broshë. Tha me vete se të gjithë këta nuk janë veçse nëpunës të ndyrë. Deshi të dalë dhe të largohet, ndërsa gjyqtari ia bëri me dije se me këtë veprim i vë në dyshim të gjitha favoret që do të mund t’i kishte si një i pafajshëm. Doli me të shpejt duke lënë pas vetes një hordhi njerëzish të cilët filluan ta analizojnë rastin e tij.
Jozef K. vendosi që vetë të paraqitet në gjykatë. E priti po ajo grua që e kishte parë duke larë tesha. Në bisedë e sipër mësoi se ajo ishte grua e shërbyesit të gjyqtarit dhe se aty, si kompensim për punën që bëjnë, banojnë pa paguar qira. Bisedën e tyre e ndërpreu studenti i drejtësisë që nisi ta përqafojë gruan e re. Jozef K. u largua duke i shikuar nga larg. Vjen burri i saj dhe ia qanë hallin Jozef K.-së për lidhjen e së shoqes me studentin. Por, për të mos e humbur punën, këtë s’ia thotë askujt tjetër. Shërbyesi i gjykatës e përcjell Jozef K.-në nëpër gjykatë. Ngjiten nëpër do shkallë të larta, hyjnë në sallën e pritjes ku presin të akuzuarit.
Nga të ecurit, Jozef K. u ndje i lodhur. Iu lut shërbyesit që të dilnin jashtë, por ky e refuzoi. Jozef K.-së nisi t’i dhemb koka, ndaj filloi të bërtasë. Britmën e tij e dëgjoi një grua e zyrës që ndodhej aty pranë. Ajo mundohet ta bindë se kështu ndjehen të gjithë që vijnë për herë të parë në gjykatë. Kërkon nga kolegu i zyrës që Jozef K.-në ta dërgojë në ambulancë. Por, Jozef K. i lut që ta çojnë jashtë. Më në fund, i shoqëruar nga dy policë që e mbajnë për krahu, e nxjerrin jashtë. Jozef K. mendon me vete sesi gjykata, sikur ajri i ndotur, ndodhet kudo përreth, e ky s’e sheh.
Ditë për ditë, Jozef K. tenton të bisedojë me zonjushën Byrstner, por ajo i shmanget. I dërgon edhe letër, por nuk merr përgjigje. Të dielën vëren se në dhomën e saj është vendosur një banuese tjetër, zonjusha Montag. Më në fund, Jozef K. i drejtohet edhe pronares së banesës, zonjës Grubah, me të cilën s’kishte folur me javë të tëra.
Rasti kur takon dy nëpunës pranë të cilëve ndodhet rrahësi me shkop, e huton edhe më shumë. Në të vërtetë, rrahësi me shkop kishte marrë detyrë t’i rrahë të dy nëpunësit për arsye se Jozef K. i ishte ankuar ndaj tyre – gjykatësit. Jozef K. përpiqet ta bindë rrahësin që t’i lirojë, por ai nuk do t’ia dijë. Jozef K.-së s’i mbetej tjetër, pos të largohej.
Jozef K.-në e viziton xhaxhai i vet, Karli. Ai është i brengosur për rastin e Jozef K.-së ngase prej kësaj çështjeje do të kishte pasoja krejt familja. Ai i propozon të shkojnë te një avokat që e ka shok, i cili do ta përfaqësonte. Me të mbërritur tek avokati, mbetën të habitur kur kuptuan se ai ishte i njoftuar me rastin. Madje, tek ai kishte qenë edhe paditësi kryesor. Avokati Huld, i sëmurë, ndodhet në shtrat. Për të kujdeset Leni. Ajo e tërheq Jozef K.-në dhe që të dy lëshohen në një aferë dashurie. Duke qenë se mungoi me orë të tëra, xha Karli e qorton Jozef K.-në që e kishte lënë paditësin të presë. Po nëse vajza është dashnore e avokatit?!
Jozef K.-në gjithnjë më tepër e preokupojnë mendimet lidhur me rastin e tij. Në punë nuk mund ta ushtrojë detyrën si duhet, mendimet ndërkaq ka s’i shkojnë. Të gjithë janë të njoftuar për rastin e tij, saqë edhe një fabrikant i cili e këshillon ta vizitojë piktorin Titoreli. Ai pikturon portrete nëpunësish të gjykatës dhe si i tillë ndoshta do të mund t’i ndihmonte. Jozef K. e viziton. Ky jetonte në pjesën edhe më të varfër të qytetit, më të varfër edhe se zona ku ndodhej gjykata në të cilën shkoi për herë të parë. Piktori i ofron ndihmë nëpërmjet lidhjeve që i ka në gjykatë. Ai i jep sqarime për epilogët e mundshëm të rastit të tij. Derisa piktori i fliste për opsionet e aktgjykimit, Jozef K.-së përsëri nisin t’i merren mendtë, ndërsa bulçimi ia zë frymën. U largua nga banesa e piktorit, pa thënë se cila prej aktgjykimeve do të kishte qenë më e favorshme. Piktori e përcjell jashtë nëpër korridor që i ngjante dhomës së pritjes, me byrotë e avokatëve, në të cilat herën e parë kishte zënë neveria. Atëherë, me gojën të mbyllur me shami dhe i shoqëruar nga shërbyesi i gjykatës, Jozef K. kishte dalë nga ndërtesa.
Jozef k. vendos që rastin ta marrë në duart e veta. Shkon te avokati që t’i thotë se e ndërpret bashkëpunimin. Avokati e akuzon duke thënë se nuk është i durueshëm. Megjithëkëtë, Jozef K. e ndërpret bashkëpunimin. Për Jozef K.-në, punët ndërlikohen. Një ditë, i japin një detyrë në punë që një italiani t’ia tregojë katedralen. Edhe pse klienti nuk paraqitet, Jozef K. hyn vetë. Aty takon priftin i cili ia rrëfen parabolën për njeriun nga fshati dhe për rojtarin. Prifti e këshillon që në procesin e tij, të mos mbështet gjithaq te ndihma e huaj dhe t’u shmanget femrave.
Vepra fillon me ditëlindjen e 30-të të Jozef K.-së për të përfunduar me ditëlindjen e 31-të. Vijnë pas tij dy meshkuj të veshur me të zeza. Jozef K. i pret fare i përgatitur. Thua ti se i priste, i veshur me rrobat e tij të zeza. Nuk bën rezistencë. Lejon ta marrin dhe ta shpijnë deri në gurore. Kokën ia vënë mbi gur. Njëri prej tyre e nxjerr thikën nga kapota. Kanë luajtur me thikën sikur të prisnin se vetë ai do t’ua marrë, për ta therur veten. Më në fund, njëri prej tyre ia nguli thikën mu në zemër Jozef K.-së dhe mbyti.
Fjalët e fundit të tij ishin: “Sikur qenin!” Mendoi për turpin e tërë procesit që do ta përjetësojë.
* * *
Personazhet e romanit: Jozef K., zonjusha Byrstner (Bürstner), zonja Grubah, zonjusha Montag, nëpunësit gjyqësorë, inspektori, avokati Huld, xhaxha Karl, vasha Leni, piktori Titoreli, studenti i drejtësisë, shërbyesi gjyqësor etj.
* * *
Kafka është shkrimtar hebre që ka lënë gjurmë në letërsi me mënyrën karakteristike të të shkruarit dhe me temat interesante, paksa të zymta. Për Kafkën është shkruar shumë, kështu që për gjendjen psikike të tij ka një numër të madh teorish. Asgjë nga kjo nuk është dëshmuar. Të gjitha kanë qenë supozime, deri në çastin kur ka tentuar të bëjë vetëvrasje. Kjo ka qenë dëshmi e një paqëndrueshmërie psikike.
Kafka lindi në Pragë më 3 korrik 1883. U rrit nën hijen e të atit dhe kjo ka lënë gjurmë të thella në shpirtin e tij. Vjen nga një familje e kamur në të cilën mbizotëron babai Hermann Kafka, të cilin profesori Stanly Corngold e përshkruan si një person dominues që e njihte mirë natyrën njerëzore. Prej viti 1889 deri në vitin 1893, Kafka u shkollua në Shkollën gjermane për fëmijë. Pas mbarimit të shkollës fillore, kreu gjimnazin. Më pas studioi kiminë. Pas kimisë, kalon në letërsinë dhe historinë gjermane. Pas kësaj regjistrohet në drejtësi. Gjatë jetës fitonte duke punuar si jurist, ndonëse gjithmonë dëshironte të bëhej shkrimtar.
Përkundër faktit se ishte në marrëdhënie pune, në saje të babait, materialisht Kafka ishte i siguruar. E kanë përshkruar si një person të cilin gjithmonë e ka munduar epshi. Dihet se gjatë jetës shpesh i ka vizituar bordelet. Lidhje paksa të gjatë ka pasur me Felice Bauer (1887-1960) me të cilën kohë pas kohe shihej, por më tepër ka komunikuar me letra. Me të ka qenë i fejuar dy herë. Fejesën e dytë e ka ndërprerë kur e ka goditur sëmundja e rëndë e tuberkulozes. Në vitin 1920 është fejuar me Julie Wohryzek (1891-1944), punëtore dhomash hoteli. Derisa ishte i fejuar me Felicen, ishte në lidhje intime me shoqen e sa Margarethe, e cila jetonte në Berlin dhe e cila, sikur edhe vetë Kafka, ishte çifute. Është thënë se Kafka ka pasur fëmijë me të, për të cilin ai nuk ka ditur gjë dhe i cili paskësh vdekur shpejt pas lindjes. Por, ka që thonë se kjo nuk është e vërtetë. Kafka nuk ka pasur fëmijë me të, as edhe me ndonjë tjetër. Edhe pse kurrë nuk u martua, Kafka e ka çmuar institucionin e martesës dhe të familjes. Një prej dashnoreve të tij ka qenë edhe Dora Diamant (1898-1952). Në vitet 1920-1923 Kafka ka qenë në lidhje me çeken Milena Jesenska (1896-1944).
Në vitin 1952 botohet “Letra Milenës” (Briefe an Milena), dokument tronditës për përjetimet shpirtërore në periudhën e miqësisë me Jesenskën.
Motrat e Kafkës u vranë nga nazistët gjermanë në kampet e përqendrimit. Po kështu, edhe dy dashnoret e tij – Milena Jesenska dhe Jukie Wohryzek.
* * *
Krijimtaria e Kafkës ka kaluar në shenjë të tregimeve, të aforizmave, të romaneve dhe të letrave. Të gjitha këto i ka lidhur uniteti shpirtëror. Përkundër faktit se ka vepruar nën mbresat e romantizmit, të traditës evropiane siç e kanë kultivuar Johann Wolfgang von Goethe (1749-1832), Fyodor Dostoevsky (1821-1881) dhe Gustave Flaubert (1821-1880) dhe të mësimit heterodoks hebraik, Kafka sot e kësaj dite ka mbetur si një prej autorëve të rrallë i cili nuk mund të radhitet në asnjë drejtim letrar.
Veprat e tij përshkruajnë realitetin e egër dhe të turbullt në të cilin personazhet, kryesisht të shtypur, ndodhen në luftë të pandërprerë me sistemin burokratik të egër. Kjo vërehet më së shumti në veprat si: “Amerika”, “Procesi”, “Kështjella” dhe “Metamorfoza”, si vepër më e njohur e Kakës. Në veprat e Kafkës ndihet një atmosferë në të cilën personazhet janë disi të humbur dhe nuk janë në gjendje të komunikojnë me të tjerë. .
Kafka u largua prej pikëpamjeve religjioze dhe iu kthye filozofisë, për t’u bërë një prej shkrimtarëve shpirtërorë më të njohur të shekullit XX.
Sa qe gjallë iu botuan dy përmbledhje tregimesh. Shkrime të caktuara iu botuan edhe nëpër revista. Në të gjallë iu botuan tregimet “Vëzhgimi”, “Mjeku i fshatit”, “Ndezësi”, “Metamorfoza” dhe “Gjykimi”.
Kafka i kishte lënë porosi poetit, tregimtarit, dramaturgut dhe eseistit çek me prejardhje hebraike Max Brod (1884-1968) që t’i digjte “Procesin”, “Kështjellën” dhe “Amerikën” që ishin dorëshkrime. Brodi nuk e çoi në vend porosinë e mikut të vet, të shndërruar në mit dhe në kryeidhull të modernizmit. “Procesi” u botua më 1925, “Kështjella” më 1926, ndërsa “Amerika” më 1927. Këto tre romane të Kafkës u quajtën trilogji e vetmisë.
Tuberkulozi nga i cili lëngonte që nga viti 1917, në vitin 1924 iu përkeqësua. U kthye në Pragë. Këtu u kujdes për të e motra Ottla. Kafka vdiq më 3 qershor 1924. në Vjenë.
Në vitin 1931 u botuan tregimet “Gjatë ndërtimit të murit kinez”.
Kafka është një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të letërsisë botërore bashkëkohore dhe të romanit bashkëkohor. Për këtë dëshmon literatura e gjerë. Të gjithë romancierët që kanë ardhur pas tij, u referohen veprave të tij si fillim i prozës tregimtare moderne.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Faktet më të çuditshme që mund të mos i dini për Elon Musk
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit