Nga: Muhamet Pirraku (1944-2014)
Në kujtesën historike të popullit shqiptar, personaliteti i Iljaz Haxhí Agushit qëndron në piedestalin e Altarit të Shqipërisë Etnike: urtak, bamirës, paqekrijues, diplomat, udhëheqës trim e Burrë i shtetit, personalitet dinjitoz, me një parashikim politik kombëtar, Fanar në Oqeanin Shqiptar të trazuar nga jashtë dhe nga brenda. Në shëmbëlltyrën politike e luftarake të Iljaz Agushit i martirizuar, me vëllezër e me gjak, për tërësinë e Shqipërisë Etnike, kemi personalitetin kombëtar shqiptar të Kosovës më të ndjekurin, më të anatemuarin, më të sharin, më të përbuzurin nga drejtuesit e organizatës komuniste kominterniste jugosllave në vitet 1941-1945, për faktin se ai ishte më i rrezikshmi për planet e tyre në dëm të çështjes shqiptare që priste zgjidhje.
Ndonëse i lindur në një mjedis qytetar, në Prishtinë, ku turqishtja ishte futur për gjuhë familje, kurse shqipja kishte mbetur “gjuhë për të marte” – për pazare me fshatarësinë – Iljaz Agushi kishte dashuri jetike për gjuhën e bilbilave të katundit, siç i quante ai rapsodët popullorë. Kishte dashurinë llapushase rob për punën, dashurinë shqiptare malësore më tipike për farefisin, dashurinë e rilindësit për historinë e kombit, krenarinë gjithëshqiptare për besën shqiptare dhe për trimërinë burrërore, gatishmërinë për sakrificë pa çmim për popullin dhe vendlindjen, gatishmërinë për sakrificë për lirinë e Shqipërisë – Një dhe të pandarë. Populli e deshi dhe e mbiquajti “Nana e fukarasë dhe mullëza e shqiptarisë!”
Për lirinë dhe për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane punoi fuqimisht edhe i et, Xhemajl Agush Mehmeti, i njohur në popull si Haxhí Xhemajl Aga. Mirëpo, Haxhí Xhemajli përpjekjet për lirinë e Shqipërisë i mbështeti në Serbinë që tradhtoi Isa Boletinin, Idriz Seferin, Begollët e Pejës, Ramadan Shabanët e Kjevës, Kryezitë e Gjakovës, e të mos flasim për minoret: dinarifët (llapushash), mullasylët (shtimjanë) e hasahysenët (suharekas), rrustëkabashët (prizrenas), Bajramcurrët (gjakovaras) të shumët e me mbiemra familjar të tjerë në mbarë Kosovën. Ndaj, pasojat e luftërave ballkanike të Motit të hidhur 1912-13, Haxhí Xhemajlin e rreshtuan, para syve të popullit, në tarafin e bejlerëve që “e shitën Kosovën!”. I zhgënjyer për bëmat, mblodhi familjen dhe iku në Konja, në Bursa e në Stamboll. Meqë një jetë ia kishte kushtuar shqiptarisë së Kosovës, ashtu si diti e mundi, nuk mund të hiqte dorë nga shqiptaria, nga varri i katragjyshit, Mehmet Thaçi – Mazrreku në Malishevë, e as nga varri i të et, Haxhí Agush Mehmetit në Prishtinë. Dy djemtë e mëdhenj: Mustafën (1900) dhe Iljazin (i lindur më 14 prill 1903), të cilët mësimet fillore i mbaruan në Prishtinë, i dërgoi në Kolegjigin e Diturive filozofike në Stamboll. Pasi e mbaruan me sukses të dalluar, i punësoi në Postë të Stambollit, ku nisi aktiviteti politik i Iljaz Haxhí Agushit, lidhja e sigurt midis Komitetit Shqiptar të Stambollit dhe Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me seli në Shkodër. Kjo lidhje ndodhi edhe për faktin se Hoxhë Kadri Prishtina, kryetari i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ishte dhëndër i vushtrriasit, Sylejman Pashës, me prejardhje drenicase, tezak i Haxhí Agush Mehmetit. Sylejman Pasha ishte kushëri i parë i t’et të Hasan Prishtinës dhe i Zejnullah be Vushtrrisë, e baballëk i Hoxhë Kadri Prishtinës.
Realisht, të dhënat burimore dhe kujtesa familjare dëshmojnë se Iljaz Agushi ishte lidhur për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare qysh në moshën 14-vjeçare, pikërisht në Klubin Kulturor Shqiptar të Stambollit. Këtu ishte betuar para Flamurit të Skënderbeut se “tërë qenien dhe pasjen do t’ia kushtojë Atdheut stërgjyshor – Luftës për çlirimin e Kosovës dhe për ribashkimin e Shqipërisë Etnike!” Në vitin 1922, Hasan be Prishtina dhe Xhemajl be Sylejman Pasha, kushërinj të dytë, të cilët nga fundi i vitit 1918 jetonin dhe vepronin në Shkodër e në Tiranë, i shkruan Iljazit të ndikonte tek i et, të kthente familjen në Prishtinë dhe të vazhdonte përpjekjet e hershme për shqiptarësinë e Kosovës dhe për Shqipërinë e lirë! Kërkesë për kthim në Kosovë Haxhí Xhemajli mori edhe nga Prishtina, pikërisht nga urtaku dhe dijetari i madh, Sheh Mehmet Sezai, të nënshkruar edhe nga Nazim Gafurri, që ishte ndera e burrërisë shqiptare të Prishtinës. Një “Selam” të pashkelshëm, në këtë drejtim, Haxhí Xhemajlit, këso kohe i kishte arritur edhe nga politikani madhor, Ferat be Draga, kryetar i Organizatës Politike Kombëtare “Xhemijeti” (Bashkimi). Kësaj kërkese unanime nuk i bishtëroi as xhaxhai i Iljaz Agushit, urtaku Murat Aga (vdiq më 1926) dhe, pa vonesë, po më 1922, pjesa më e madhe e Familjes Agushi u kthye në Prishtinë, në shtëpitë dhe në një pjesë të pronave të veta.
Vërtet, Familja Agushi nga fundi i shekullit XIX mund të konsiderohej Derë e katërt e Prishtinës pas pinjollëve të Gjinollajve, Derës së Muftilerëve (të bijtë e Emin Agës së Sllatinës së Moravës së Epërme, që dha edhe pashallarë për Prishtinë dhe Shkup)) dhe Derës së Sulejman pashë Prishtinës. Në ngritjen e Familjes Agushi ishte shquar i vëllai i Xhemajlit dhe i Muratit, Mehmet Agush Mehmeti, tregtar dhe patriot i shquar, i helmuar nga turqit në Selanik. Këtu qëndronte misteri dhe shtytja intime e Haxhí Xhemail Agushit për hakmarrje kundër robëruesit osman qoftë edhe në mbështetje të Serbisë.
Për “rehabilitimin” politik kombëtar të shpejtë të Haxhí Xhemajl Agushit, pas riatdhesimit në Prishtinë, ndikuan fuqimisht edhe personalitetet e përmendura më lartë. Haxhí Xhemajl Aga – Agushi përnjëherë u hodh në lëvizjen politike kombëtare të “Xhemijetit” dhe, më 1923, u zgjodh deputet i kësaj partie për Prishtinë, në Parlamentin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, krahas Nazim Gafurrit. Mirëpo, respektin e plotë politik kombëtar para popullit, Haxhí Xhemajli do ta arrijë pas lidhjes së krushqisë së re me Derën e Sylejman pashë Prishtinës. Iljaz Haxhí Agushi do të martohet me të bijën e Xhemajl be Sylejman Pashës, me tipare ky stërgjyshore drenicase, një si Leonidi i Termopiles shqiptare në Mërdar e Përpallac, në tetor të vitit 1912, kundër sulmit të ushtrisë pushtuese të Serbisë në Kosovë. Kjo ishte e vetmja rezistonë e organizuar dhe e komanduar shqiptarisht e Kosovës kundër depërtimit të ushtrisë serbe në tokën shqiptare më 1912. Udhëheqësit e tjerë të Kryengritjeve shqiptare kundër osmane të fillimit të shekullit XX, me mbështetje në Serbinë, nuk patën fytyrë ta ftonin popullin kundër pushtuesit serb, sepse forcën luftarake e kishin dërrmuar në ballafaqime me ushtrinë osmane, ndaj Kosova të thuash u pushtua nga Serbia pa hasur në rezistencën shqiptare që e priste ajo.
Dëshmori i kombit, Apostull i Shqipërisë Etnike – Iljaz Haxhí Agushi – shumë herët u shqua me urti politike, me dije dhe me dashuri për njerëzit. Mësues të parë që kurrë të mos dështonte, e pati t’et, Haxhí Xhemajlin, i cili me shpejtësi e ktheu autoritetin, i mbështetur, përpos më veprimtarët politikë të përmendur më sipër, edhe në popullsinë fshatare dhe krerët e saj. Djaloshi i dalluar me urti dhe me dashuri për punën e për kombin, Iljaz Agushi, deri nga fillimi i viteve të ’30-ta punoi si rentier (kishte disa mullinj të ujit trashëgim nga i et, dhe mëma), e tani iu besua të udhëhiqte ekonominë familjare, por vetëm si hije e të vëllait, Mustafasë, që ishte burrëruar para kohës dhe shquhej me ndjeshmëri dhe me dashuri për bashkëqytetarët dhe për kombin. Vërtet, Mustafa Agushi ishte ngritur në një personalitet qe do ta shquaj fisnikëria e atdhedashuria gjatë tërë jetës.
Realisht. nga fundi i viteve të ’20-ta të shek. XX, Iljaz Agushit i ishte besuar edhe administrimi i Vakëfit të Bashkësisë Islame të Prishtinës , më vonë shërbeu edhe si asistent i t’et për përmbushjen e detyrave që i dilnin si përfaqësues shumë i respektueshëm në Klubin e Deputetëve Shqiptarë në Parlamentin e Jugosllavisë. Nga pjesa e dytë e viteve të ’30-ta, Iljaz Haxhí Agushin e gjejmë anëtar të Këshillit Drejtues të Organizatës së Myslimanëve për viset shqiptare jashtë Shqipërisë londineze dhe Drejtor të Vakëfit të kësaj Bashkësie, me seli në Shkup, e cila administronte viset shqiptare etnike dhe historike jashtë kufirit të Shqipërisë londineze.
Në vitin 1936, Iljaz Agushit i vdiq gruaja, duke ia lënë katër djem, fare të mitur, të cilëve do t’u kushtohet, tërë jetën, motra e Iljazit, Behixhja, lënesha më fisnike që njohu Tirana e kohës së Enver Hoxhës. Iljazi (si edhe Behixhja) kurrë më nuk do të martohet edhe pse ishte i ri, vetëm rreth 33 vjeç. Pati shumë oferta për martesë dhe pati shtrëngim të madh nga i Et, që të martohej, por refuzoi burrërisht: “Gruaja më shkoi me mallin e Babait (Xhemajl be Prishtinës, i cili një jetë ia kushtoi lirisë së Shqipërisë (Jetonte i ikur në Tiranë, pa gruan), ndaj kurrë nuk mund t’i qes artake qikës së tij, as tashti që Ajo është në varr…!”
Veprimtari i Çështjes kombëtare shqiptare, Iljaz Agushi, nga tashti do t’i përkushtohet kryekreje politikës kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike. Pas vdekjes së t’et, më 1938, Iljaz Haxhi Agushi u zgjodh përfaqësues në Parlamentin e Jugosllavisë për viset e Ferizajt, dhe nga ky moment fillon karriera e lartë politike e mirëfilltë e Iljaz Haxhí Agushit, i denjë për pozitat shtetërore kombëtare që do t’i gëzojë nga 14 prilli 1941- 27 tetor 1943, kur do të martirizohet nga komunistët shqiptarë prishtinaso-gjakovaro-tiranas.
Ndonëse relativisht i ri, por i burrëruar para kohës, Iljaz Agushin e shqoi dinjiteti i pa nëpërkëmbur, me fjalë petake shqiptarisht, ndonëse me theks turqisht, personalitet me një aftësi të jashtëzakonshme bashkuese për lidhjen përreth vetes të deputetëve dhe të personaliteteve politike shqiptare me përkatësi partiake të ndryshme. Kjo për faktin se Iljaz Aga, siç e quante populli, veçanërisht nga fshatarësia, veprimtarinë e tij politike praktike e mbështeti vetëm mbi shqiptarinë si partishmëri luftarake. Në historinë shqiptare të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike Lindore në përgjithësi, nuk mund të gjendet asnjë personalitet që kishte përreth vetes më shumë krerë, më shumë ulema, më shumë tregtarë, më shumë industrialistë, më shumë politikanë, më shumë nxënës e studentë, më shumë fukarenj e të sëmurë, më shumë nevojtarë – pra, ishte Personalitet më shumë mbështetës. Është e vërtetë se i et, deputeti i listës qeveritare të JRZ-së (Bashkësia Radikale Jugosllave), Haxhí Xhemajl Aga – Agushi, i mbështetur në krerët e Llapit, të Gallapit, të Rrafshit të Kosovës dhe të Drenicës, ishte bërë digë kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, duke pasur mbështetje e Ferat be Dragës, i papërsëritshëm në istikamet e Luftës shqiptare për Çlirimin e Kosovës. Pas këtij aktiviteti qëndronte fuqimisht djaloshi dinjitoz, Iljaz Aga – Agushi, i cili ishte forca bashkuese që ia ruante të bashkuar, edhe Ferat be Dragës eksploziv, përkrahësit dhe bashkëluftëtarët në Frontin e Përgjithshëm të Rezistencës Politike Shqiptare Kundër serbe.
Në ditët e tërheqjes së ushtrisë jugosllave para forcave gjermane dhe italiane, më 13 e 14 prill 1941, Iljaz Agushi do ti shpëtojë masakrimit serb falë mençurisë e guximit të Sheh Mehmet Sezait, (hartuesit të Programit Politik të Organizatës “Xhemijeti” më 1919”, i cili e fshehu Iljazin “diku nën tokën e pirit të tij…”). Nga fillimi i pjesës së dytë të prillit vitit 1941, ushtria e pushtuesit fashist italian e përtëriti Komunën e Prishtinës duke vu në krye të saj kryetar e nëpunës serbë. Iljaz Haxhí Agushi, në mbështetje të dijetarit e udhëheqësit shpirtëror, Sheh Mehmetit, e ftoi popullsinë e Llapit, të Gallapit, të Rrafshit të Kosovës dhe të Drenicën, t’i “vnonin” plisat e bardhë, kombëtar shqiptare (edhe ata që kurrë nuk i kishin bartur më herët, veçanërisht pjesa absolute zejtare, tregtare dhe e bujarisë qytetare), e të vinin në Prishtinë, me praninë e tyre të dëshmonin për përkatësinë shqiptare të shumicës në Prishtinë e rrethinë. Këmbë, si në Marrshin e Minatorëve e të popullit më 1989, apo në Marshin për Mitrovicën e Bashkuar, më 2000, mbi 30 mijë veta, midis tyre edhe me armë jetike, e pushtuan Prishtinën. Ky marrsh nuk mund të dështonte, siç dështuan ato dy të kohës sonë, sepse ideator dhe “komandant suprem”, i pa asnjë dështim, ishte madhori i kombit Iljaz Agushi, i mbështetur në popullin e gatshëm për sakrificë sublime për Lirinë. Në ballë të masës të veshur shqiptarisht, para syve të ushtrisë pushtuese italiane, Iljaz Agushi urdhëroi kryetarin dhe nëpunësit serbë të dilnin nga Ndërtesa e Komunës përndryshe do të vriteshin nga popullsia e revoltuar. Kërkesa u plotësua pa kundërshtim, kurse Iljaz Agushi i thërriti masës: “E shpalli të hapur Komunës që përfaqëson popullsinë e vendit…! kurse për udhëheqës me autorizim t’i emëronin nëpunësit, i autorizojmë dy burrat e fortë: Mustafa Abitin dhe Ahmet Salihun, ish-bashkëveprimtarë më të afërm të Nazim Gafurrit…!”
Në rrethana të një entuziazmi gjithëpopullor, nën valëvitjet e Flamurit të Skënderbeut, e shpalli të ngritur edhe Prefekturën e Prishtinës. Të gjithë këtë aktivitet “në emër të Mbretnis Shqiptare” Iljazi e bëri mbi bazë të marrëveshjeve që kishte me diplomacinë shqiptare të Shqipërisë Londineze së paku nga viti 1935. Populli i cili manifestonte shqiptarinë dhe lirinë, Iljaz Agushin, me aklamacion, e emëroi Prefekt të Prefekturës së Prishtinës, e cila do të synojë administrimin pjesës lindore të Kosovës së sotme, përfshirë edhe Drenicën. Dhe, me një nguti, duke e bërë edhe natën ditë, Iljaz Agushi i ngriti komunat në arealin e Prishtinës, të Fushë-Kosovës, të Drenicës, dhe të Shtimes, duke vendosur për kryetar personalitete popullore që kishin treguar aftësi bashkuese të popullit gjatë Jugosllavisë Versajase. Shkoi në Mitrovicë dhe komandantit gjerman ia shtroi kërkesën gjithëshqiptare për bashkimin e Mitrovicës dhe të Sanxhakut të Tregut të Ri me Mbretnin Shqiptare e cila synonte ribashkimin e tokave shqiptare. Prej andej arriti në Ferizaj dhe në një miting gjithëpopullor, nën valëvitjet e Flamurit Kombëtar, e ngriti Nënprefekturën e Ferizajt, duke e bashkuar me Mbretnin Shqiptare edhe pjesën më të madh të Moravës së Epërme.
Nga këtu Iljazi shkoi në Prizren, ndihmoi në konsolidimin e pushtetit shqiptar në Prefekturë dhe kërkoi nga Komanda gjermane për Zonën e Kosovës të urdhëronte bashkimin e viseve të Gjilanit, të Llapit, të Vushtrrisë e të Mitrovicës e të Sanxhakut me Shqipërinë. Nga andej erdhi në Gjilan, të cilin e synonte Bullgaria fashiste, dhe nën valëvitjet e Flamurit Kombëtar vendosi nënprefektin dhe kryetarët e komunave në pjesën më të madhe të Anamoravës. Dhe, edhe këtë nënprefekturë, si më parë atë të Ferizajt, ia bashkoi Prefekturës së Prishtinës, realisht, Shqipërisë që po ribashkohej me shumë vështirësi.
Prefekti i Prishtinës, Iljaz Haxhí Agushi, veçmas i mbështetur edhe në forcën ekonomike dhe në autoritetin e madh të të vëllait, Mustafasë, të bamirësave kombëtar filantropë: Shyqyri Be Ramadan Beut dhe Stak Mark Mirditës, e sidomos në autoritetin e baballëkut Xhemajl Be Sylejman pashë Prishtinës, tashti sapo i kthyer nga Tirana, pa vonuar i përtëriti lidhjet e ngushta me Komitetin e Kosovës të Bedri be Pejanit në Tiranë, i cili bashkonte yndyrën e shqiptarizmës së Kosovës, dhe i ftoi misat e tij, me Bedri be Pejanin në krye të vinin në Kosovë dhe pa vonuar t’i vizitonin viset shqiptare nën administrimin hitlerian, për të përçuar kërkesën jetësore shqiptare që viset e Vilajetit të Kosovës ku tashti prapë pretendonte Serbia e Nediqit, nën obrelën hitleriane, të basghkoheshu\in me Mbretnin Shqiptare, si zgjidhje më e drejtë edhe për Rendin e Ri Botëror që synonte Boshti Nazifashist. Së këndejmi, Nëntoka e propagandës fashiste italiane Iljaz H. Agushit do ta konsideroj si shqiptarin numër Një të kategorisë “Grande Ufficiale”, karshi Ferat be Dragës që konsiderohej numri Një i shqiptarëve “Grand Corobne”.
Patrioti mendje esëll, Iljaz Haxhí Agushi, njëkohësisht vuri lidhje me bashkëpunëtorët nga periudha e veprimtarisë në Fakëfin e Bashkësisë Islame në Shkup, aktivistë këta të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare për vise të Shkupit, të Kumanovës, të Tetovës, të Dibrës, të Gostivarit, të Kërçovës, të Strugës, të Ohrit e të Manastirit dhe kërkoi nga ata të forconin aktivitetin politik për bashkimin e atyre viseve me Mbretnin Shqiptare. Ithtarët e Iljaz Haxhí Agushit, të bashkuar me rininë studentore përparimtare kombëtare dhe komuniste, organizuan Demonstratën kombëtare historike të Shkupit, në të cilën mori pjesë i tërë qyteti e rrethina, të gjithë me plisa të bardhë shqiptarë, me kërkesën sublime: “Shkupi asht i yni…! Shkupi është qytet kërthizë e mbështjellë me toka shqiptare etnike dhe historike…!”
Punën e parë dhe më të madhe që Iljaz Agushi bëri për dëshmimin e shqiptarësisë së Prishtinës, në këtë kohë kryesisht shqiptare turkofone në familje, ishte hapja e Liceut “Sami Frashëri” të cilit fillimisht ia siguroi kushtet parësore për punë, me mjete të veta. Nën patronatin e Iljazit do të mbahet shfaqja e parë kombëtare shqiptare në Prishtinë, përgatitur nga nxënësit e këtij gjimnazi. Ka mbetur në kujtesën historike një moment frymëzues nga kjo ngjarje. Skena kur një vajzë me gjergjef në duar po zhdrivillonte Flamurin Shqiptar, e irritoi kapitenin fashist, arbëreshin Antika, i cili u ngrit për ta lëshuar sallën. Patrioti mendjendritur, Iljaz Agushi, iu kundërvu pa hezitim: “Zoti Kapiten! Mos provoni të dilni duke shkelur mbi Flamur…! Kush e shkel flamurin e shqiptarit atë do ta paguajë me kokë…!” Ky incident, kështu, u bë pjesa më e rëndësishme e shfaqjes së parë shqip në gjimnazin “Sami Frashëri”, përkatësisht në Kosovën që po çlirohej nga vargonjtë e robërisë serbo-jugosllave. Realisht, më 12 gusht 1941 Roma kishte shpallë “Dekret Ligjin Mbretnuer mbi tokat që bëjnë pjesë intrigrante të Mbretnis Shqiptare”, në të cilat do të zbatoheshin Ligjet e vitit 1939. Mirëpo, Prefekti i Prishtinës, i vendosur nga populli, nuk e ndalte aktivitetin politik për përfshirjen e plotë të ish-Vilajetit të Kosovës (i cili, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri në tetor të vitit 1912, i pati mbi 32,900 km2) në Mbretnin e Shqipërisë, hëpërhë, qoftë edhe nën kurorën mbretërore të Italisë, si fazë kalimtare të nevojshme.
Meqë përpjekjet e Iljazit kishin mbështetjen e gjithanshme të masave, për bashkimin e të gjitha viseve shqiptare jashtë Shqipërisë londineze me Mbretnin Shqiptare, do të nominohet dhe, më 3 dhjetor 1941, do të bëhet pjesëtar i Kabinetit Qeveritar të Mbretnis Shqiptare. Për kryeministër ishte nominuar Mustafa Merlika – Kruja, një bashkëveprimtar e miku më besnik i Hasan Prishtinës nga Komploti i Taksimit, në fillim të vitit 1912 – për organizimin dhe drejtimin e Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare për çlirimin, autonominë dhe së fundi Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane.
Meqë IljazHaxhí Agushi kishte përvojë të gjatë në drejtimin dhe administrimin e ekonomisë së Vakëfit të Prishtinës e të Shkupit, me interes shoqëror, kombëtar e shtetëror, do të emërohet Ministër Sekretar Shteti për Punë Botore në Kabinetin e Mustafa Krujës. Ishte kjo ministri e rëndësishme për punët publike të vendit. Këtë postë do ta mbajë edhe në tri kabinetet qeveritare shqiptare deri me kapitullimin e Italisë fashiste. Në dy qeveritë e Maliq be Bushatit dhe në qeverinë e Ekrem be Libohovës, nga mesi i janarit deri në mesin e shtatorit 1943, krahas postit të Ministrit për Punë Botore, Iljazi ishte edhe Nënkryeministër dhe Zëvendëskryeministër i Mbretnis Shqiptare, ishte pra njeriu i dytë publik në Shqipërinë që vepronte për ribashkimin e të gjitha vendeve shqiptare etnike dhe historike. Është i vetmi personalitet shtetëror shqiptar i lartë, i cili nga 3 dhjetori 1941 deri më 14 shtator 1943, nuk pati asnjë dështim, asnjë krizë në udhëheqje, gjithmonë faktor pajtues e bashkues në qeveritë shqiptare.
Periudha kur Iljaz Haxhí Agushi i ushtroi detyrat shtetërore të përmendura më sipër, është koha kur pjesa më e madhe e tokave shqiptare, për të parën herë, përjetoi të mirat e shtetit kombëtar në mundësi: në fushë të ndërtimit, të shëndetësisë, të arsimit, të informimit, të bonifikimit të tokave, të komunikacionit tokësor, të telekomunikacionit, të zhvillimit ekonomik, të planifikimit hapësinor kombëtare shtetëror, etj., por këtu nuk do të ndalemi gjerësisht. Megjithatë, për këtu është momenti historik të konstatojmë se Iljaz Haxhi Agushi ia dhuroi Ferizajt xhaminë madhështore, pranë kishës ortodokse dhunë shtetërore jugosllave, dhe kështu këtij qyteti, qendër administrative e Nënprefekturës, dhe rrethinës ia faktografoi identitetin shqiptar. Iljazi, vërtet, ishte Eminenca e kaltër për shqiptarësinë e Tokave Shqiptare të sa po çliruara nga pushteti kolonial serbo-jugosllav.
Burri i shtetit shqiptar që po ribaskohej, Iljaz Agushi, falë guximit dhe patriotizmit të kulluar, e shfrytëzoi maksimalisht postin e Ministrit të Punëve Botore dhe postin e për organizimin dhe për fuqizimin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës nga fundi i vitit 1941, përkatësisht nga fillimi i vitit 1942 dhe u bë kurrizi i përpjekjeve për ribashkimin e plotë administrativ shtetëror të Shqipërisë Etnike. Kjo qartë shihej nga fjalimet e tij në mitingjet popullore të shkurt-marsit 1942, në Prishtinë, në Ferizaj, në Gjilan, në Pejë e në Prizren. Në këto mitingje e lidhi, me aklamacion, “Besa-Besën” tradicionale shqiptare për t’i dalë zot plëngut, tokës stërgjyshore! Për këto qëllime e vuri në shërbim tërë pasurinë përrallore që kishte Familja Agushi. Përpjekjet patriotike të Iljaz Haxhí Agushit në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës dhe përpjekjet për ribashkimin e Shqipërisë, Komiteti Krahinor i PKJ-së për Kosmet do t’i kualifikojë “punë kuislingu” në shërbim “të qeverisë kuislinge të Mustafa Krujës”!?!
Vërtet, në marsin e vitit 1942, pikërisht kur u pa se masa shqiptare në “Tokast e Lirueme” në Iljazin shihnin Mesinë e shqiptarësisë dhe të shqiptarisë së tokave shqiptare jashtë Shqipërisë Londineze, makineria propagandistike e PKJ-së do ta etiketojë e damkojë për “tradhtar të popullit shqiptar…”, kurse në majin e atij viti do ta quajë: “pjesëtar të kolonës së pestë”!?! Dhe, Komiteti Krahinor i PKJ-së për Kosmet, në korrik të vitit 1942, në Iljaz Agushin shihte korifeun për “Shqipërinë e Madhe”, nocion ky serb shovinist i fundshekullit XIX. Njëkohësisht, nëntoka shqiptare profashiste italiane, përmes zyrtarëve të tarafit “Partia Kombëtare Fashiste Shqiptare”, Iljaz Agushit ia përgjonte edhe bisedat private, madje edhe ato më intime me miqtë më besnikë. Janë dhjetëra raporte të Muhamet Çetës, të Muharrem Xhedikut dhe të Dervish Bejlerit, dërguar Kolë Bibë Mirakajt, i cili, nga maji 1942, e zuri vendin e profesor Jup Kazazit – kryetar i Partisë Fashiste Kombëtare Shqiptare. Në raportet nga Prishtina për Mirakajn, Iljaz Agushi tashti portretohej personalitet “me mentalitet të vjetër”, “bejlerë-feudal”, “islam proturk”(!?!) dhe paraqitej si pengesë kryesore në Kosovë kundër aspiratave nazifashiste të Musolinit e të Hitlerit për Rendin e Ri evropian. Kërkohej eliminimi i tij nga skena politike dhe pushtetore, me çdo kusht, për të lehtësuar zëvendësimin e kuadrove kombëtare të Iljaz Agushit në komuna, në nënprefektura dhe në prefektura, me kuadro të përkushtuara fashizmit, katolicizmit dhe kurorës mbretërore të Italisë.
Nga shtatori i vitit 1942 kërbaçin serb komunisto-çetnik dhe italian fashist për të qëlluar mbi ndershmërinë, mençurinë, patriotizmin dhe gatishmërinë për sakrificë pa çmim të Iljaz Haxhí Agushit, për kombin shqiptar, e mori në dorë komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Aradheve Partizane të Kosmetit, Fadil Hoxha. Meqë PKJ-ja në Iljazin shihte drejtuesin e rrymës shqiptare për ribashkimin e Shqipërisë Etnike, me qëllim të “merrnin pushtetin nga okupatori në momentin e thyerjes” së tij të paevitueshme, komandanti partizan i Kosovës, në nëntorin e vitit 1942, Iljazin e shihte në krye të listës së “reaksionarëve”, themelues të “Frontit të Kreshnikëve fshatarë për Mbrojtjen Kombëtare” të Kosovës, ndaj e shante marrëzisht: “E juve, qen të fëlliqtë dhe shërbëtorë të okupatorit: Iljaz, Sefedin, Rifat, Xhevat Begolli, Kajtaz, A. Dush. Pal Lumez, Kryezi, S. Goran, F. Dragë, K. dhe P. Bib(…), nuk do të ketë birë në globin tokësor ku do të mund të fshihi nga gjyqi i popullit…!” Koha e vërtetoi se cili kishte qenë në pozitën e “qenit besnikë”, në shërbim të të huajit, në rolin e varrmihësit të lirisë së Shqipërisë të kërcënuar, vazhdimisht nga apetit pushtuese koloniale serbo-jugosllave.
Të dhënat burimore arkivale dhe publicistike, por edhe kujtesa historike e popullit, flasin qartë se Iljaz Haxhí Agushi dhe qeveritë shqiptare në të cilat ai përbënte gjithnjë më shumë se telin e dytë të çiftelisë, u përpoqën dhe vepruan politikisht e ushtarakisht për realizimin e ribashkimit të Shqipërisë tërësore, Etnike neutrale ndaj konfliktit botëror, në shembullin e Suedisë dhe të Turqisë. Angazhimi i Iljaz Agushit për ndriçimin e Masakrës serbo-malaziase të Bihorit, të 5-6 janarit 1943, dhe të Kalljes së Çarshisë së Pejës nga italianët për interesa të PKJ-së serbe albanofobe, më 21-22 mars 1943, e shtoi besimin e popullit ndaj tij.
Për ribashkimin dhe mbrojtjen e pjesës shqiptare etnike dhe historike të Rozhajës, të Bihorit, të Sjenicës dhe të Tregut të Ri, Iljaz Agushi, me para të tij, me shpenzime familjare, rekrutoi dhe armatosi 6,000 vullnetarë, kreshnikë të veshur me këmisha të vdekjes, për tërësinë e Njësisë etnokulturore dhe gjeopolitike të Shqipërisë. Shkallën e vendosmërisë së Iljazit për këto qëllime ilustronte mirë dueli verbal i tij me komandantin italian, gjeneralin Roto, që komandoi Kalljen e Pejës – sipas kurthit të Organizatës së PKJ-së me lidhje të pista kurvërie: “Zotëri! Këta serbët kanë vajza të mira dhe ua dhanë edhe juve, kurse ne i kemi të mira, por i kemi vetëm për veti…!” Këtë gjykim Iljazi ia shqiptoi gjeneralit Roto, në Pejë, në prani të Tafil Boletinit dhe të eprorëve të tjerë të Prefekturës së Pejës.
Angazhimi për ndriçimin e Tragjedisë së Bihorin dhe të Pejës, si masë për të parandaluar skenat e tilla serbe çetniko-komuniste të llahtarshme, në mbështetje të ushtrisë dhe të karabinierisë italiane, bëri që Iljaz Haxhí Agushi të shikohet si shpëtimtar për shqiptarët dhe shqiptarinë e Kosovës dhe të Sanxhakut, e në vijimësi si promotor i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës në Shalë të Bajgorës, në Llap e në Gallap, në Kosovën Lindore (të cilën tashti politikanët shqiptarë idiotë e quajnë ”Lugina e Preshevës”!?!) si dhe në mbarë Iliridën (ish-Maqedonia Perëndimore shqiptare). Me rastin e riemërimit në postin e Ministritë të Punëve Botore dhe të Nënkryeministrit e Zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Ekrem be Libohovës, i cili i përkiste organizimit politik ballist të Mid’hat Frashërit, gazeta “Tomori i Vogël”, më 13 maj 1943, theksonte se Iljaz Haxhí Agushi “është një prej elementeve më shpresëdhënëse dhe më të kulturuar” të Kosovës. Koncepti Kosovë, në këtë periudhë, nënkuptonte të gjitha viset shqiptare të aneksuara Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, më 1919, në Versajë.
Se madhori i kombit, Iljaz Haxhí Agushi, ishte personi më i përkushtuar dhe më me kredibilitet të paluhatshëm në kabinetet qeveritare shqiptare të kohës për realizimin e tërësisë së Shqipërisë me çdo çmim, do të kuptohet nga të dhënat që do të përmendën shkurtimisht, në vijim: Nga pjesa e dytë e korrikut 1943 shihej qartë se kapitullimit të Italisë fashiste po i numëroheshin ditët. Iljaz Agushi, i përkiste lagjes së personaliteteve shqiptare të rralla që përpiqeshin për krijimin e Frontit të Përbashkët Nacionalçlirimtar Shqiptar të të gjitha drejtimeve politike e luftarake shqiptare kundër nazifashiste. Vazhdimisht, dhe gati gjysmë legalisht, ndikoi në lirimin e komunistëve shqiptarë antifashistë nga burgjet në Prishtinë, në Prizren, në Pejë, në Shkodër e në Tiranë. Të përmendim këtu vetëm lirimin e komunistit patriot i dëshmuar Idriz Ajet – Gashit, Meto Bajraktarit si dhe të Rashid Dedës. Gruaja e R. Dedes, Melihate Deda, sa i qëndroi burri në burg jetoi në gjirin e familjes së Iljaz Agushit, dhe nga kjo familje e mori ushqimin e duhur që ua dërgoi Metos dhe Rashidit për kohën sa ishin në burg. Melihati, që ishte një si motër e Iljaz Agushi, nga mesi i nëntorit të vitit 1944 e zbuloi dhe e denoncoi Urdhrin e Shtabit Kryesor të UNÇ-së të Serbisë, që puritanë serbë, malazias e maqedonas gjatë operacioneve përfundimtare të luftës “kundër pushtuesit gjerman”, faktikisht për ripushtimin e tokave shqiptare të cilat Konferenca e Versajes ia njohu Mbretërisë Serbo-Kroato- Sllovene “të vriteshin së paku 50 për qind të shqiptarëve…!”
Të konstatojmë edhe faktin se Iljaz Agushi, madje, dy herë e priti, në Kryeministri, edhe të deleguarin e komandantit partizan të Kosovës, patriotin antifashist Hajdar Dushin dhe, së fundi, krejt në vigjilje të dorëheqjes së Benito Musolinit, e realizoi një takim konfindencial me Fadil Hoxhën, në Ferizaj. Me këtë rast Iljaz Agushi ia tërhoqi vërejtjen përfundimisht komandantit partizan, Fadil Hoxha: “Asnjë lidhje me Beligradin popullin shqiptar nuk do ta shpjerë në liri….!”
Ishte ky mësim nga përvoja historike e kombit shqiptar. Patrioti sakrifikues i pashoq për kohën, Iljaz Agushi, e dinte se Lëvizja Antifashiste ishte e drejtë dhe e domosdoshme, ndaj i ofronte Lëvizjes Nacionalçlirimtare Shqiptare të Fadil Hoxhës dhe të Enver Hoxhës përkrahjen politike dhe ndihmën materiale të pa kursyeshme, me kusht që LNÇSh-ja të zhvillohej politikisht dhe ushtarakisht unike për mbarë hapësirën e Shqipërisë Etnike, me një qendër politike dhe me një komandë ushtarake për tërë Shqipërinë Etnike. Kërkonte nga komunistët shqiptarë që Çështja shqiptare e pazgjidhur të ndërkombëtarizohej si çështje gjithëshqiptare dhe jo si çështje krahinore parciale. Madhori i kombit, Iljaz Agushi, për këtë mision kishte edhe bekimin e misionarit ushtarak anglo-amerikan në Shqipëri, me të cilin pati disa takime të besueshme.
Sekretari shtetëror – Ministër i Ministrisë së Punëve Botore, njëkohësisht edhe Nënkryeministër dhe Zëvendëskryeministër i Mbretnis Shqiptare, Iljaz Haxhí Agushi, takimin me Fadil Hoxhën e realizoi në banesën e Pjetër Cicës, komandant ushtarak i Ushtrisë së Mbretnis Shqiptare, i lidhur ngushtësisht me Organizatën e PKJ-së të Rrethit të Ferizajt. Në shoqërim të Iljazi Agushit në takimin me Hoxhën e Cicën, ishte patrioti anaferizajas Ismail Gorani, një kohë Nënprefekt i Ferizajt dhe tashti donator dhe organizues ndër më kryesorët i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës në viset e Kosovës Lindore. Ky takim ndodhi në natën e 23-24 korrikut 1943. Iljazi do të niset për në Tiranë, me urgjencë nga atje, më 24 korrik 1943, pikërisht në prag të ndërrimeve të pushtetit në Romë. Në nisje e sipër u tha vëllezërve: “Po më kërkojnë të kthehem në Tiranë, menjëherë…! Herën tjetër, kur të vi në Kosovë, nëse e kërkon nevoja për Lirinë e Shqipërisë që e bëmë, ashtu si mundëm, do t’i ngjeshi armët, në male të Kosovës. Nuk e kemi lehtë ta sigurojmë Lirinë e kombit, e pa Liri nuk jetohet…!”
Se Iljaz Haxhí Agushi dhe qeveritë në të cilat ai kishte fjalën pas Njëshit të shtetit (e herë-herë edhe në emër të Njëshit), shestuan dhe trasuan rrugën e pavarësisë dhe të neutralitetit të Shqipërisë tërësore, Etnike, shihet nga thirrja që Iljaz Agushi, në emër të Qeverisë, ia drejtoi popullit shqiptar, më 26 korrik 1943, një ditë pas dorëheqjes së Benito Musolinit, duke e quajtur atë akt – “…nji ngjarje të brendshme italiane…”. Në emër të kreut shtetëror të Shqipërisë Etnike, Iljaz Agushi i ftonte shqiptarët të rrinin “të qetë secili në krye të detyrës edhe të punës së vet”, ngase “Qeveria ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e rendit dhe të qetësisë botore”.
Këtu duhet të theksohet fakti se në Marrëveshjen e Mukjes, të 1-2 gushtit 1943, midis forcave politike e ushtarake të LNÇSH-së antifashiste kominterniste dhe atyre demokratike të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, Iljaz Haxhí Agushi pati rol të madh nga pozita e politikanit pastër kombëtar. Me këtë rast u formua “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë”, ëndërr jetike e Iljaz Agushit. Në Tiranë pati mbështetje, si në vetën, në: Mustafa Krujën, Hasan Dostin, Ejup Kazazin, Xhevat Korçën Qazim Koculin, Lec Bushatin, Avni Gjilanin etj. Kurrë nuk e fshehu simpatinë ndaj Mbretit të shqiptarëve – Ahmet Zogut – por një lidhje shumë intime lirifarkëtuese e kishte me Fejzi Alizotin, me Bahri Omarin, me Skënder Muçon dhe me Hysni Lepenicën, dy të fundit ballistë të shquar, ndjekës besnikë të Mid’hat Frashërit.
Organizata e PKJ-së për Kosmet, duke pasur njohuri të plota se Iljaz Agushi ishte forca motorike e Kosovës e më gjerë, që siguroi Vendimet Historike të Mukjes, pa vonuar do t’i thërrasë popullit shqiptarë të Kosovës e më gjerë, të mos i dëgjonin “tradhtarët e popullit shqiptar: Iljaz Agushin (…), ish-shpiun jugosllav, kurse tashti shërbëtor i okupatorit…”(!?!) Kjo ishte rrenë propagandistike e hapur. Patrioti Iljaz Agushi gjithnjë e gjithmonë, ishte larg i të qenit spiun dhe shërbëtor i okupatorëve. Madje, komandanti partizan i Kosmetit nuk nguroi të thellonte shpifjet komuniste dhe të hidhte baltë mbi personalitetin politik shqiptar midis më të dinjitetshmëve të kohës : “Jo ore Agushoviq nuk i hamë ma ato kokrra ullini”, sepse lirinë e popullit shqiptar ka për ta sjellë LNÇ-ja e Kosmetit me “Shtabin kryesor në ballë. Kjo rrugë asht rruga qi po ndjekin vllaznit t’onë në Shqipni”(!?!).
Largpamësinë politike kombëtare antifashiste të kultivuar me disidentizëm nga Kabineti Libohova – Agushi pasqyron përmbajtja dhe mesazhet e dy dokumenteve të fundit të kësaj qeverie shqiptare. Në thirrjen e nënshkruar nga kryeministri Libohova, më 9 shtator 1943, drejtuar kombit me rastin e kapitullimit të Italisë Fashiste, theksohej: “Unë dhe bashkëpunëtorët e mij qemë të bindur se, në përleshjen njerëzore që po zhvillohet, Shqipëria nuk mund të lozte asnjë rol”, andaj qëndruam neutralë ndaj blloqeve ndërluftuese, me qëllim që, në momentin e duhur, “me një zë të vetëm të mbrojmë të drejtat” tona legjitime. Në vazhdim ftonte “të gjithë sa kanë gjak shqiptari qysh prej Prishtine në Konispol dhe qysh prej Ulqini në Tetovë, të shtrëngohen rreth Flamurit” kombëtar, sepse “shpëtimi i ynë qëndron në bashkim, rregull dhe dishiplinë!”
Dokumenti tjetër është Vendimi i Qeverisë së Mbretnisë së Shqipnisë, i aprovuar nën kryesinë e Iljaz Haxhí Agushit – për pavarësinë dhe neutralitetin e shtetit shqiptar në shtrirje të arealit etnik e gjeopolitik të Shqipërisë, i cili, këso kohe, konsiderohej se ende mbulonte rreth 74,000 km2 të tokës ballkanike, të banuar kryesisht me shqiptarë etnikë. Ky vendim njëkohësisht ishte edhe Informatë publike për kombin dhe për botën, në të cilën saktësohej:
“Sot (më 11 shtator 1943), Këshilli Ministror në Mbledhjen e jashtëzakonshme, nën kryesinë e Shkelqeses Iljaz Agushi, Nen-Kryeministër e Zav. Kryeministër, shqyrtoi gjendjen e Shqipnisë me kapitullimin e ushtrisë italiane e me arritjen në tokën t’onë të ushtrive gjermane.
Mbasi u konstatue njoftimi se ushtritë gjermane vijnë në tokën shqiptare si mike vetëm për nevojë të luftës,
Mbasi u konstatue se Reich-u i Madh Gjerman e shikon me simpati nji Shqipni independente me kufijë që i caktojnë gjuha e gjaku dhe asht e vendue me e mbrojtë,
Këshilli Ministruer njizanit Vendosi:
1) Shpallet pamvarësija e plotë Shqiptare,
2) Qeverija merrë të gjitha pushtetet sovrane deri sa të zgjidhet Asambleja e re,
3) Krijohen Ministrija e P. të Jashtme dhe Ministrija e Mbrojtjes kombëtare,
4) Riorganizimi i fuqive t’armatosuna shqiptare do të fillojë me njiherë,
5) Rregulli botuer do të mbahet me çdo kusht”.
Çka mund të bënte më shumë Iljaz Haxhí Agushi, në rrethana të një konflikti ndërkombëtar të Fuqive Imperialiste për dominim në botë? Urtaku llapjan, Mulla Hysen Statovci, poet bejtexhinj dhe udhëheqës shpirtëror i Kadirinjëve, duke komentuar këtë akt politik dhe diplomatik, më 1982, do të konstatojë: “Iljaz Agushi e përmbushi betimin; Bashkimin e Shqipërisë cep me cep të saj…!”
Kabineti Libova – Agushi, më 14 shtator 1943, qeverisjen e Shqipërisë ia dorëzoi Këshillit Ekzekutiv të Përkohshëm, në përbërje: Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Patër Anton Harapi dhe Fuad Dibra etj. Ky Këshill duhej të realizonte zgjedhjen e përfaqësuesve të prefekturave për Asamblenë Kombëtare të Shqipërisë në arealin etnik dhe historik shqiptar.
Po më 14 shtator 1943, në Prizren u mblodh Këshilli Nismëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kurse Kuvendi Themelues i Lidhjes u hap më 16 shtator 1943, nën kryesinë e dijetarit urtak, Musa Efendi Shehzade të Prizrenit, mik i ngushtë i Sheh Mehmet Sezait dhe i Iljaz Agushit, edhe ky dëshmor i kombit i Nëntorit të Përgjakur ’44 në Prizren. Në Kuvendin Themelues të “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, që i zhvilloi punimet deri më 21 shtator, Prefekturën e Prishtinës e përfaqësuan: Shyqyri Ramadan Beu, dy vëllezërit e Iljaz Agushit – Mustafa dhe Jusufi, student ky vitin e fundit të studimeve në filozofi pranë Universitetit të Zagrebit, veprimtari i shquar i Lëvizjes së Rezistencës Çlirimtare Shqiptare nga fillimi i shek. XX, Stak Mark Mirdita, urtaku Hajrullah Lebib Begu, Mehmet Shaban Pasha, Sylejman Ashkiu e të tjerë. Derisa Jusuf Agushi dhe Mehmet Shaban Pasha, do ta përfaqësojnë Prefekturën e Prishtinës në Komitetin Qendruer të Lidhjes, i vëllai i madh i Iljazit, Mustafë Aga, me autoritet suprem në Prishtinë e në rrethinë, ishte personi i dytë në Degën e Lidhjes për Prefekturën e Prishtinës, pas kryetarit Shyqyri Ramadan Beut, bamirësi i kombit, i cili kishte për mbështetje si në Shkëmbin e Bjeshkës, Ustah Stak Mark Mirditën, zejtar “arpunues” në Prishtinë nga viti 1889. Të tretë; Mustafa, Shyqyria dhe Staka janë të ndër të parët Martirë të Shqipërisë Etnike nga Nëntori i Përgjakur ’44, në Prishtinë.
Të konstatojmë edhe këtë fakt: Pjesa më e madhe e delegatëve të Kuvendit Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ishin bashkëveprimtarë shumëvjeçarë dhe miq të Iljaz Haxhí Agushit. Dihet saktë se pas Thirrjes së Kuvendit Themelues të Lidhjes II të Prizrenit qëndronte edhe mësimi dhe kërkesa e Iljaz Haxhí Agushit, madje motori që bëri përgatitjet e këtij Kuvendi, Asllan Isa Boletini (një burrë i betuar, njësoj si Ilazi, për të korrigjuar pasojat e Luftës së t’et kundër Perandorisë Osmane me mbështetje në Serbinë, i martirizuar në Nëntorin e Përgjakur ’44, në Prishtinë), ishte një si vëlla i Iljaz Agushit, njësoj si edhe Sefedin e Xhevat Begolli, të betuar për të korrigjuar dëmet e paraardhësve në Luftën kundër Perandorisë Osmane me mbështetje në Serbinë (edhe këta të martirizuar në Nëntorin e Përgjakur ’44, në Pejë). Së këndejmi, komandanti partizan i Kosmetit, Fadil Hoxha, duke denoncuar Lidhjen e Dytë të Prizrenit si organizatë nazifashiste shqiptaromadhe, atë e quante instrument të Iljaz Agushit, të Xhafer Devës, të Sefedin Begollit e të Tahir Kolgjinit “me kompaninë”. Madje, komandanti partizan në Iljazin e në Tahirin shihte inspiruesit e nacionalizmës shqiptare.
Në këtë pikë, kishte të drejtë komandanti partizan, Fadil Hoxha, i cili, ende në këtë kohë, bashkëluftëtarët i kishte kryesisht serbë e malazias të veshur shqiptarçe e me emra myslimanë. Vërtet, ndonëse ishte bërë ndërrimi i sistemeve okupuese nga ai fashist italian në atë nazist gjerman, Iljaz Haxhí Agushi, as Tahir Kolgjini, nuk mund të nxirreshin në margjina të politikës shtetërore shqiptare. Iljazin, madje, edhe tashti e gjejmë korife në listën e 29 përfaqësuesve të Prefekturës së Prishtinës për Asamblenë Kombëtare të Shtetit Shqiptar, më 16 tetor 1943. Organizata e PKJ-së dhe Shtabi i Përgjithshëm i Aradheve Partizane të Kosmetit e përcillnin me kujdes e me vendosmëri aktivitetin politik të Iljaz Haxhí Agushit dhe ishin të bindur se edhe tashti Iljaz Agushi kishte shumë përkrahës, bile edhe më shumë ithtarë, e më shumë bashkëluftëtarë brenda qarqeve pushtetore dhe ushtarake shqiptare të kohës, luftëtarë të betuar për sendërtimin e idesë për Shqipërinë tërësore, Etnike edhe si rezultat i zgjidhjeve që do të pasonin pas fitores përfundimtare të Bollokut Antifashist Anglo-Amerikan. Së këndejmi, Filialja e PKJ-ja në Kosovë do të urdhëroi likuidimin fizik të madhorit të kombit shqiptar, Iljaz Agushit, i cili dihej se synonte zgjidhjen e Çështjes shqiptare me mbështetje në Demokracinë Perëndimore Anglo-Amerikane.
Strategjia për likuidimin e Iljaz Agushit u përpunua në Ferizaj, pikërisht në banesën e ushtarakut Pjetër Cica, ish-komandant i Ushtrisë së Mbretnisë Shqiptare, kurse tashti Nënprefekt i Ferizajt, i lidhur ngushtësisht me Organizatën e PKJ-së për Rrethin e Ferizajt, si edhe me komandantin partizan të Kosmetit, Fadil Hoxhën. Janë të njohur emrat shumicës së komunistëve prishtinas, gjakovarë, shkodranë e tiranas, të cilët e përgatitën atentatin, por edhe emrat e tre atentatorëve, nga katër sa ishin gjithsej.
Sipas autorëve me bindje të forta enveriste dhe mbrojtës të LANÇSH-së, bashkëkohës dhe njohës të ngjarjes: Shaban Ruka dhe Kadri Dingu, në librin “Tirana e aksioneve dhe barrikadave (1939-1944), Tiranë më 2003”, kanë konstatuar: “Me 28 Tetor 1943 u bë atentati kundër Iljaz Agushit, ish-zëvendëskryeministër të qeverisë kuislinge, i cili kishte marrë pjesë kundër lëvizjes antifashiste Nac.-Çl. Ekzekutimi i tij u bë nga katër gueriles, dy hynë brenda në shtëpinë e tij ku e goditën me tre plumba, ndërsa guerilasit e tjerë qëndruan jashtë duke ruajtur rrugën e kalimit meqë afër ndërtesës ku ai banonte (pallatet e lanës) ishte vendosur një repart i Gestapos Gjermane. Aksionin e kryen Bujar Hoxha e Shahin Gjashta”.
Dy konstatime nuk qëndrojnë: data e vrasjes dhe e dhëna se Iljazi “kishte marrë pjesë kundër lëvizjes antifashiste Nac.-Çl”. Dihet saktë se njëri ndër vrasësit kosovar ishte komunisti gjakovar Ymer Pula. Këtë fakt, madje, e ka pranuar edhe vetë, në telefonatën me kryeredaktorin e Rilindjes, Avni Spahiun, sapo doli një punim imi me të dhëna edhe për vrasësit e Iljaz Agushit, të shënuar vetëm me iniciale. Y. Pula, duke e gjetur vetën në “Y.P.”, u deklarua: ”… Iljaz Agushi ishte fashist dhe duhej të vritej…! Pse i lejoni atij Pirrakut të shkruan ashtu për tradhtarët…?!?” (Në një rast tjetër do të botohet i plotë “reagimi” i Y. Pulës dhe përgjigja e kryeredaktorit A. Spahiu ).
Vërtet, shërbëtorja e Iljazit, si edhe ajo e Xhevat Korçës, fqinji i parë i Iljazit, e mik i ngushtë i tij, por edhe mysafiri që gjendej në dhomë me Iljazin, dibrani ish-federal i Prishtinës, Ismail Hysi (i cili do të martohej me motrën e Iljazit, Behixhën, po të mos ndodhte vrasja e Iljazit dhe plagosja e tij), e kanë njohur mirë kallauzin, Bujar Hoxha, të cilin Iljazi e kishte ilake (nëna e Bujarit, siç u tha më herët, e kishte çikë të të vëllait gruan e Iljazit), por edhe nëpunës në Ministrinë e Punëve Botore, ndaj Bujarit do t’i hapët dera si mikut, por nuk hyri brenda, u tërhoq jashtë, në mbrojtje të dy atentatorëve. Brenda në banesën e Iljazit hynë dy vrasësit panjohur për Iljazin dhe Ismailin, pikërisht tiranasi Shahin Gjashta (i kishte gjashtë gishtërinj në njërën dorë) dhe Ymer Pula. Vetë Bujar Hoxha, më 28 nëntor 1992, para Monumentit të Pavarësisë në Vlorë, ma kishte pranuar se në banesën e Iljazit kishte shkuar si “kallauz” për atentatorët, se njëri ndër ta ishte Ymer Pula. Këtë konfirmim e botova për të gjallë të B. Hoxhës dhe të Y. Pulës. Se Ymer Pula ishte njëri ndër atentatorët ndaj Iljazit e dinin edhe shumë bashkëkohës të tij, komunistë kosovarë. Për këtë fakt, midis të tjerëve, kanë lënë dëshmi të diktuara, madje edhe tonike, edhe dy shefa të Milicisë Krahinore e qarkore të Kosmetit: Shaban Kajtazi e Ismail Zenuni (Kepiten Lleshi i filmit “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”).
Ndërkaq, në Raportin e Prokurorisë së Shtetit Shqiptar – për Ministrinë e Drejtësisë, më 30 tetor 1943, të shkruar me një vonesë të paarsyeshme, thuhej: “Kemi nderin t’u njoftojmë se më datën 27 tetor 1943, në orën 18, dy njerëz të panjoftun kanë hyrë në banesën e ish-Ministrit Punëve Botore Iljaz Agushi lindun në Prishtinë dhe banues në Tiranë dhe e kanë vrarë vdekun tue i dhanë gjashtë plagë, gjithashtu kanë tentue dhe kontra (ish)Federalit të Prishtinës, z. Ismail Hysit, por pa dam. Zavendës Prokuror’ i Shtetit, Kemail”.
Vrasjen e Iljaz Haxhí Agushit e mori mbi vete, pa vonuar, Shtabi i Përgjithshëm i Aradheve Partizane të Kosmetit, i cili informonte: “Tiranë, 28 tetor. Dora e drejtësisë popullore ra mbi tradhtarin e Kosovës, Iljaz Agushin (…). Tradhtari numër nji i ka pague me kokën e vet të gjitha krimet. Shokët e tij le të mendojnë mirë. Nëse vazhdojnë rrugën e tij, do t’i gjejë edhe ata fati i njejtë…!” Pra, data 28 është ajo e raportimin që i bëri Ymer Pula eprorit të tij, komandantit Fadil Hoxha. Dhe, në mars të vitit 1944, Organizata e PKJ-së Kosmetit e informonte KQ të PKJ-së se “Në ballë të reaksionit shqiptar deri tashti frikë ka qenë ministri Iljaz Agushi, i cili u vra”.
Vrasja e Iljaz Haxhí Agushit pllakosi zi kombëtare në mbarë arealin e Shqipërisë Etnike. Vetë Iljazin, për të gjallë të tij, shumë miq, veçanërisht nga korriku i vitit 1943, e këshillonin të ruhej se mund të vritej nga komunistët. Mirëpo, Burri i Dheut shqiptar, pa hezitim, ua kthente: “Nuk besoj se mund të ketë shqiptar, i cili do të ngre gishtin në mua…!” Ai nisej nga fakti se jetën dhe pasjen ua kishte kushtuar kombit, Shqipërisë tërësore, Etnike, lirisë së saj, pa rreshtim partiak. Iljazi njohu për parti vetëm shqiptarinë, e vetëm Shqipërinë. Ai ishte edhe poet i zjarrtë. Shkroi në gjuhën turke dhe ndonjë varg edhe në gjuhën shqipe, qysh nga vitet e ’30-ta , të burrërisë së hershme. Mbi tavolinën e tij të punës, në banesë, policia gjeti edhe dy vargje të Patër Gjergj Fishtës, kredo e betim për aktivitetin jetësor politik e luftarak të Iljaz Agushit: “Ma mirë dekë nën dhe m’u kja/ Se për të gjallë me mbet nën shkja!”, të shkruara me dorën e Marie Shllakut, ish-punëtore teknike e Patër Fishtës në Qele dhe nëpunëse (kopiste) e Iljaz Agushit në Ministrinë e Punëve Botore, më vonë nëpunëse e Xhafer Devës, e krejt në fund të jetës së saj, bashkëluftëtare e Ukë Sadikut (i pushkatuar në vitin 1947) dhe bashkëvepruese politike e luftarake e profesor Ymer Berishës (i vrarë më 1946) – Orleanë shqiptare, dëshmore e Organizatës së “Besës Kombëtare” për Shqipërinë Etnike, përkrah Ymerit e Ukës (mbështetës e vazhdues veprimtarisë politike patriotike të Iljaz Agushit), e pushkatuar më 1946, në Prizren.
Trupin e pajetë të Apostullit të Shqipërisë Etnike – Iljaz Haxhí Agushit, e sollën në Prishtinë, më 29 tetor, bashkëpunëtorët besnikë, Avni Zajmi e Maliq Koçuri. Në dy anët e xhadesë, veçanërisht nga Kukësi deri në Prishtinë, populli e priti, gardh i gjallë. Në Prizren, në Therandë, në Carralevë, në Lypian, populli e ndali kamionetën që e bartte trupin e pajetë të Iljaz Agushit, dhe i bëri homazh veprës patriotike shqiptare të Tij. Para arkivolit me trupin e martirit, në kamionetë të “shpluar” i valonte Flamuri Kombëtar Shqiptar. Shërbimin fetar për kufomën e Iljaz Agës e realizoi Mulla Ali Rusha i Prishtinës, i shquar për shqiptarizëm qysh nga fillimi i shekullit XX, nën robërinë Osmane. Iljaz Aga do të përcillet në Varrezat e Reja të Prishtinës, me homazh ushtarak të burrështetasit. Do të varroset aty ku, më 20 nëntor 2003, ia përuruam Monumentin mbivarrezor modest (ideuar dhe realizuar teknikisht prej autorit të këtij shkrimi), por me simbolikën që e meriton vepra e Iljaz Haxhí Agushit dhe Atdheu Shqipëri që ende po lëngon nga copëtimet e dhunshme. Në Varrimin e Iljaz Agushit mori pjesë paria shqiptare popullore, intelektualët dhe ushtarakët patriotë nga mbarë areali etnik dhe historik i Shqipërisë. Mori pjesë yndyra e kombit.
Para rreth 200 hoxhallarëve nga mbarë rajoni shqiptar i Kosovës së Liruar, qëndronte mësuesi i atdhetarisë shqiptare të Prishtinës, Shejh Mehmet Sezai, kurse imamin e Garnizonit IV të Ushtrisë Kombëtare të Shtetit Shqiptar, komandantin legjendar të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës Lindore, Mulla Idris Gjilanin, e shoqëronin kolonel Rexhep Gjilani dhe kapitenët: Mark Dredha dhe Shefqet Bylykbashi. Mulla Idrisi, vështirë i përsëritshëm në tokën arbërore, në Fjalën përmortore për Iljaz Agushin, midis të tjerash, e quajti Dëshmor dhe “Shehit të kombit shqiptar”, e njëkohësisht “Njeriu më paqësor që njoha” i cili me “…këshillë, me penë, me para dhe me pushkë, u përpoq të ribashkonte Shqipërinë”. E përmbylli fjalën me kërkesën historike: “Dhashtë Zoti që, me varrosjen e trupit të Iljaz Agushit, të mos varroset edhe trupi i Shqipërisë Etnike, që e bëri Iljazi, – Fisniku i atdheut dhe i fesë, një yll që kurrë nuk do të fiket, sepse jetoi, u përpoq dhe u bë shehit i Vatanit…!”
Kjo dua e të Madhit mësues të atdhetarisë shqiptare, më detyroi, si një amanet i pashkelshëm, që të koka e varrit të Iljaz Agushit të gdhendi në granit Hartën e Shqipërisë Etnike, së cilës aktualisht po i nënshkruhet copëtimi trishtues edhe me pjesëmarrjen e shqipfolësve në emër të Kosovës, të kombit shqiptar e të surrogatit “komb kosovar”!?! Në Kryeshnoshje (Të pamën) për Iljazin, ministri i Brendshëm i Shtetit Shqiptar, i rrepti Xahafer Deva, midis të tjerash, do të konstatojë: “Në Monumentin për Shqipërinë e lirë, emri i Iljaz Agushit ka për t’u shënuar me germa t’arta…!”
Por, këto vlera dhe këto mesazhe të qenies shqiptare madhështore të Iljaz Haxhí Agushit nuk mund t’i duronte Organizata e PKJ-së. Dhe, derisa komandanti i partizanëve të Kosmetit, në prill të vitit 1944, prapë i kërcënonte patriotët shqiptarë “se do të vriten të gjithë ata që do të ndjekin rrugën e Iljaz Agushit!”, një Sulejman Omer Hajro i Fadil Hoxhës, alias Pvle Joviçeviq albanofob (një si Rashid Efendia alias kap. Rasha Pantiq shoqërues në terren i Isa Boletinit, përkatësisht një si Bajro Efendia alias kap. Bozha Simiq shoqërues në terren i Idriz Seferit), i kërcënonte me vdekje pasardhësit ideologjikë të “tradhtarëve shqiptarë; Sefedin, Rifat e Xhevat Begollit, të Iljaz Agushit, të Ferat Dragës dhe të bejlerëve të tjerë”.
Koha e vërtetoi se hoxhët shqiptarë kominternistë dhe joviqët serbë albanofobë, nuk ishin mahitur. Të dhënat vërtetojnë se deri me dënimin me vdekje të amazonës shqiptare, Marie Shllakut, më 1946, në male të Kosovës që kullonte gjak, OZN-a dhe UNÇJ-a, të mbështetur edhe në Sigurimin e Enver Hoxhës(Koci Xoxës), likuiduan: me çekanë, me thikë e me zjarr e me plumb rreth 860 ish-bashkëveprimtarë politikë të Iljaz Haxhí Agushit: krerë popullorë, ushtarakë, ulema, priftërinj, pjesëtarë të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, veprimtarë, luftëtarë e komandantë të Organizatës “Nacionale Demokratike Shqiptare”(të studentit Halim Orana), të Organizatës “Besës Kombëtare” (tëProfesor Ymer Berisha) dhe të “Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare” që i lidhi, në qershor 1946, dy të parat në Një front çlirimtar kombëtar.
Në Prishtinë, në ditët e para të ripushtimit serb komunisto-çetnik, nga 19 nëntori 1944, ndër të parët u arrestuan udhëheqësit e Degës së Lidhjes së Dytë të Prizrenit të Prefekturës së Prishtinës: i vëllai i madh i Iljazit, Mustafë Haxhí Agushi, Shyqyri be Ramadani (pronari i tokës ku sot po ngritët “Katedralja romano-katolike” rugovo-shëngjidiane, dhunë politike njësoj si Kisha serbe milosheviqiane përballë saj në Oborrin e Universitetit të Prishtinës) si dhe nëntoka e Hotelit “Grand”). Madhori tjetër i kombit, Stak Mark Mirdita është dëshmori më markant i Nëntorit të Përgjakur ’44 në mbarë tokën shqiptare. Atë, në natën e 23-24 nëntorit, pasi e kanë torturave për ditë të tëra më mizori psikike e fizike që nuk përshkruhen, e hodhën të gjallë në Furrën e skuqur të bukës së pronarit Sava Viktoviqi dhe e kthyen në shpuzë feniksiane të shqiprarizmës së Prishtinës. Dhe, në vijimësi, nga Derë e Stak Mark Mirditës komunistët serbë, malazias shqiptarë e turq pushkatuan dy nipa e tre djem të Stakës, pjesëtarë të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës – Martirë këta të Shqipërisë Etnike, e njëkohësit i arrestua dhe i likuiduan, me pushkatim publik ose të fshehta edhe rreth 70 personalitete të Prishtinës ish-përkrahës e bashkëveprimtarë të Iljaz Agushit. Varr i përbashkët i të gjithë këtyre konsiderohet “Strelishta” (vend i pushkatimeve) krye parkut “Tauk Bashqe”, ky Shoqata e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, që nga dhjetori i vitit 2004, synon ngritjen e Monumentit Përkujtimor “Nëntori i Përgjakur ‘44” ku do të shënohen emrat e të të gjithë patriotëve shqiptarë të pushkatuar nga 19 nëntori 1944 përfundimisht me të pushkatuarit e pjesëtarëve të ONDSH-së në krye me Ukë Sadikun – Gjon Serreqin më 1947.
Për burgosjet dhe pushkatimet pa gjyq, në Prishtinë dhe në Kosovë, la të dhëna poetike, shumë të rëndësishme, kushërira e parë e Iljaz Agushit, Iffet Murat Agushi (1922- 25 mars 1995), veprimtare e ONDSH 1945/47, e rritur dhe e shkolluar osmanisht, frëngjisht dhe shqip, nga Iljazi më vëllezërit. Poetja shqiptare në gjuhën turke, me alfabetin kombëtar turk frashëriot, Iffet Agushi, vargjet e para i shkroi më 1937, nën përkujdesjen e Iljazit, poet, në një kohë kur shqipja ishte e ndaluar më shumë se topi për shqiptarët. Këtu të mjaftohemi vetëm me pak vargje. Nisemi nga refreni i poemës: “Kosovë mallëngjyese”, shkruar më 25 shtator 1945, në Kursin Pedagogjik të Shkupit, për mësues të shollës shqipe: “Oj Kosovë, oj fushë krenare, e përgjakur në çdo anë…!” Dhe, më 27 tetor 1945, si veprimtare shumë e rëndësishme e Organizatës së NDSH-së, e vetmja femër si e tillë në Kosovë, lëshonte kushtrimin për rininë patriotike: “Zgjohuni, atdheu i pret bijtë e vet/ atdheu ka etje për gjak/ u thërret në ndihmë/ Çka të pritni më!” Sepse “Nga ana e djathtë, nga ana e majtë/ Ndihet krisma e mitralozave që kositin zemrat/ Ndihen tingujt e kazmave që hapin varre të reja/Armiku i zi zgërdhihet pa fije turpi/ është çmendur sllavi barbar…!”
Dhe, më 20 korrik 1946, në vigjilje të Kongresit të Tretë të Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare (Kongresi III i Ballit Kombëtar) në Blinajë, si veprimtare dhe karriere e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare në itinerarin: Prishtinë – Drenicë – Shkup (Ambasada e Turqisë), Iffeti tashti i thërriste Kosovës: “Mos u shqetëso. Rri e lirë/ ka kush ta zgjatë dorën/ tashmë jemi zgjuar” dhe përfundonte: “Rinia është shpëtim yt/ Kosovë e pafat/ Malet tua u veshën me gjakun e derdhur./ Këtë zinxhir do t’a këpusin/ Vetëm duart t’ua të hekurta, Kosovë!? Në këtë digresion kemi dëshminë për mësimin dhe për amanetin e Iljaz Haxhí Agushit për brezat shqiptar. Iffeti shkoi në kursin pedagogjik për të plotësuat amanetin e Iljaz Agushit: “Iffet, vetëm mësimi i shqipes të bën shqiptare!”.
Dhe, mund të pyesim: Sikur ato qindra vargje poetike të Iffetit t’ishin shqip, çka do të ndodhte me autoren, disa herë në duar të OZN-es dhe të UDB-es?!? Fëmijet e Mustafës dhe të Iljazit, si edhe i vëllai Jusufi dhe motra Behixhe, e agushë të tjerë, do të degdisen në Tiranë, në Itali, në Siri, me identitet dhe dinjitet të nëpërkëmbur, çdo kund, si “turq” në Stamboll e si “kosovar” në Tiranë (fillimisht si “jugosllavë)!?! Vetëm Nëna Mejrem, bija e personalitetit të shquar Ali Efendisë, prishtinas i njohur, nguli këmbë: “Djemtë më kanë rënë për Kosovën. Kurrë nuk do ta lëshojë. Trupi im dua të më prehet pranë Varrit të Iljazit…!”
Pushteti komunist Nënë Mejremin e nxori nga Saraji i vet (deri vjet ishte Shkollë e Mesme Teknike “28 Nëntori”, kurse tashti po meremetohet për ndërtesë të Arkivit historik të Prishtinës) vend i trashëguar nga i et dhe e i ngritur në emër të saj, më 1938/39. Nënëloken shqiptare të djalërisë patriotike prishtinase nuk e lanë as në Pallatin e Iljaz Haxhí Agushit(të ngritur më1942), ku aktualisht është Televizioni Shtetëror i Kosovës. Pushteti ushtarak jugosllav, më 1946, konfiskoi qind për qind të pasurisë që trashëguan pasardhësit e Haxhí Xhemail Agush Mehmet Thaçit – Mazrrekut, pra, të Mustafës, të Iljazit dhe të Jusufit (vdiq në Stamboll, më 1989), i kallë me mallin për Kosovën nga Nëntori i Përgjakur ‘44.
Nënëmadhe Mejremi i kaloi në amshim, më 1948, në mjerim të madh. As nuk u varros në përpikëri me amanetin saj,sepse Varrosja publike pranë varrit të Iljazit do të ishte yshtje për UDB-në kundër Monumentit Mbivarrezor të Iljaz Haxhí Agushit, të cilin ia ngriti i vëllai, Jusufi, vetëm disa muaj pas vrasjes, me tekstin letrar osmanisht, shumë madhështor, shumë përmbajtjesor historik, të shkruar nga myderrizi i famshëm, Sahit Efendi Shkupi, ish-deputeti i Kosovës për Shkupin në Parlamentin e Perandorisë Osmane, bashkëveprimtar politik i Hasan Prishtinës e i Nexhib Dragës, dhe i prangosur me ta në Kalemegdan, nga fundi i nëntorit 1912. Dijetarin e famshëm Sahit Efendinë, e likuidoi OZN-a në Kazamatin e Idrizovës, më 1946. Ai i la pas vetës vetëm dy vajza, të cilat ia shpërngulën në Turqi. Mbishkrimin osmanishte në Memorial mbivarrezor të Iljaz Agushit, edhe ky, rrjedhimisht, dhunë historike për Apostullin e Shqipërisë Etnike dhe për shqiptarësinë e Prishtinës dhe të Kosovës historike, nuk pata guxim ta hiqja, ta zhbëja, as nga Monumenti Mbivarrezor i vitit 2003, me vetëdije se historia nuk abortohet, e aq më tepër pjesa e përgjakur e saj. Në tekst midis të tjerave, thuhej se Iljaz Agushi ishte Ministër i Mbretërisë Shqiptare, ndaj si ta humbja, si ta zhbëja?!?
Vërtet, Apostulli i Shqipërisë Etnike, Iljaz Haxhí Agushi në periudhën e sundimit monist kominternist në arealin e Shqipërisë Etnike, i bëri dy jeta, diametralisht të kundërta, jetën popullore te admiruar dhe jetën historiografike të politizuar. Në historiografinë zyrtare shqiptare të Tiranës, Iljaz Agushi u denoncua si “ministër kuisling”, “armik i popullit”, i likuiduar nga njësiti partizan gueril i Tiranës. Emri i tij në këtë historiografi nuk është lakuar më shumë dhe as shumë herë. Ndërkaq në murin e njërës nga “Pallatet e Shallvareve”(te Lumi Lana), së paku deri më 9 maj 1993, ishte mbishkrimi në bronz: “Këtu me 28.X.1943 Nje nga njesitet guerile në Tiranë vrau nje nga tradhetaret e armikun e popullit, ish-nenkryeministrin e qeverisë tradhëtare”(!?!!). Kërkova nga pasardhësit e Iljazit në Tiranë të mos hiqet me dhunë familjare: “Le të mbetet si një njollë e prekshme në ndërgjegjen shqiptare kominterniste…!” Më dëgjuan, falë urtakut Ali Mustafë Agushi, i cili i mbante në “zap”, vëllazërit e vetë dhe të bijtë e Iljazit, paqedashës.
Në Tiranë e gjetkë në Shqipërinë Londineze, nga marsi i vitit 1980, sa herë kam pasur mundësi për qasje midis miqve në masat e gjëra, për Iljaz Agushin kam shënuar dhjetëra përshtypje miradije, nga radhët e nacionalistëve dhe e komunistëve. Iljazi, vërtet, është personaliteti i vetëm në qeveritë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, për të cilin nuk mund të dëgjohet asnjë vërejtje, përpos: “…shqipen e fliste me theks turqisht…!” Të parët, nacionalistët, shprehnin indinjatë për vrasjen e Një shqiptari të kulluar, kurse të dytit, komunistët, ndjeheshin si të marruar për vrasjen e Iljazit.
Opinionet e të parëve, të nacionalistëve për jetën dhe veprimtarinë politike të fisshme e ndërtimore të famshme të Iljaz Agushit në Tiranë, që jetonte në kujtesën historike të masave, si opinion popullor i nëntokës kombëtare të Shqipërisë komuniste, mund të pasqyrohen vetëm me disidentizmin e Tafil Ahmet Boletinit, nip i Isasë, antifashist, nëpunës e prefekt në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ideologjikisht i afërt me botëkuptimet politike të Iljaz Agushit: “Dajë, në qoftë së ka pas person patriot qi e ka deshtë shqiptarizmin, qi e ka deshtë Shqipninë, qi e ka deshtë Kosovën, asht Iljaz Agushi. Se kush vuni dorë mbi te ka ba krimin ma të madh ndaj kombit shqiptar…!” – ia kishte përsëritur, shumë herë, komunistit Enver Dajçit, ish-kuadër politik i ushtrisë partizane në Shqipëri, në Kosovë e prapë në Shqipëri (themelues i “Aradhës Partizane të Rakoshit” në verë 1944).
Për opinionin e të dytëve, të komunistëve, të mjaftohemi këtu vetëm me një konstatim shumë të përmbledhur e simbolik, të ekonomistit tiranas, z. Beqir Hushi, luftëtar i Brigadës III të UNÇSH-së më 1943, pas Luftës sekretar partie i Rrethit të Durrësit (që përfshinte edhe Shijakun, Matin, Burrelin), e inspektor në Ministrinë e Bujqësisë (të Hysni Kapos). B. Hushi në vitet e ’60-ta ndodhi të bëhej baxhanak me nipin e Iljazit, Aliun. Ai do të më konstatoj: “Për Iljaz Agushin pyeta disa shokë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe më thanë: ‘E mori për asgjë ujët e turbullt, shkoi si kovë pusi – pa asgjë’”(Durrës, 17.07.2006)!?!
Ndërkaq, opinioni komunist shqiptar i Kosovës mund të thuhet se është përmbledhur në konstatimin në “Kujtimet” e Ismet Shaqirit, bashkëveprimtar politik e luftarak i Fadil Hoxhës dhe i Ymer Pulës: “Mbi Iljaz Agushin ra dora hakmarrëse partizane”!?! Dhe, çka mund të bënin historianët, në përgjithësi, për ndriçimin e jetës dhe të veprimtarisë politike e kombëtare të Iljaz Agushit, në rrethana të ekzistimit të një anatemimi të tillë politik, në kushte të robërisë kominterniste titiste dhe enveriste, kur jeta dhe vepra e Iljaz Agushit ishin tabu politike të dënueshme?!?
Opinioni popullor për madhështinë e Iljaz Agushit në Kosovën e robëruar dhe në mërgatën politike patriotike antijugosllave të Kosovës në botë, mund të përvijohet me bindjen e urtakut popullor, Mujë Loshi të Drenicës, i cili gjatë Lëvizjes së Pajtimit Kombëtar 1990-1992, shpesh ia përsëriste rinisë paqekrijuese: “Populli kurrë nuk do t’i harrojë Burrat e Dheut si Iljaz Agushin me shokët, që u përpoqën, luftuan dhe ranë për Shqipërinë, ku bukës i thonë bukë, e ujit ujë…!” Ndërkaq, i pathyeshmi, Ushtar i thjeshtë i Shqipërisë Etnike, siç e quante vetën Hysen Tërpeza, për idol kishte Iljaz Agushin. Sipas Tij, “Iljazi ishte patriot i kulluar, më i madhi dhe më i ndershmi Burrë i Kosovës që njoha…!”
Unë, njohës relativisht i mirë i historisë kombëtare të pashkruar, mund të konstatojë: Iljaz Agushi është personalitet i lagjes së Skëndërbeut, Myderriz Ymer Prizrenit, Mulla Haxhí Zekës dhe Hasan Prishtinës. Legjenda Adem Jashari hanë bukë veç, jo me dije por me gatishmërinë për sakrificë përtej bibliko-kuranore të njerëzimit, heroizmi ky që bëri t’ia kthen Shqipërisë Etnike këta Burra të Dheut, vlerë sublime të atdhetarisë shqiptare, përjetësisht. Vërtet, Betimi i ushtarit të UÇK-së 1993-1999, është vetëm sublimim i kërkesave, i përpjekjeve dhe i betimit të pashkelshëm të paraardhësve dhe të pasardhësve të idesë dhe të projeksionit kombëtar të Iljaz Haxhí Agushit, amanet për brezat shqiptarë, në vijimësi!
Krejt në fund, duke përfunduar, e shoh të udhës të sjellë një kërkesë timen jetike, për Iljaz Haxhí Agushin. Më 22 tetor 1994 e përfundova dhe e botova shkrimin e gjatë, me titull: “Iljaz Agushi – Apostulli i Shqipërisë Etnike”, të cilin e përfundova me konstatimin: “Shkenca i ka borxh Iljaz Agushit një dëshmi më të plotë – Një monografi historike shkencore, kurse Qeveria Shqiptare ta laureojë Iljaz Agushin me gradën më të lartë që meritojnë Dishepujt e Shqipërisë Etnike…!” Ndërkaq shkrimin: “Fanar në Oqeanin shqiptar të trazuar”, të botuar më 1996, në 53-vjetorin e vrasjes, e përmbylla me kërkesën: “Ftojmë Presidencën dhe Parlamentin – Komisionin për Shënimin e Datave Historike dhe Dekorimin e Personaliteteve Kombëtare që për Ditën e Flamurit, 28 Nëntor 1996, ta Dekorojë Martirin e Apostullin e Shqipërisë Etnike, Iljaz Haxhí Agushin (1903-1943) Me medaljen më të lartë të kombit shqiptar!” Latinët e vjetër kanë lënë një mësim të përjetshëm për popujt e robëruar: “Sangius heroum semen libertatis” (Gjaku i heronjve është fara e lirisë)!
Kërkesën për ndarjen e e Dekoratës më të lartë në nivel të kombit për Dëshmorin e kombit, Iljaz Haxhí Agushin, e mbajmë të gjallë, gjithmonë, përderisa Institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës nuk do ta plotësojnë atë, meritueshëm për interesat jetësore të gjallnisë së kombit shqiptar të copëtuar edhe në kushtet e proklamimit të lirisë kombëtare të popujve nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, peng këto të kërkesave për supremacion politik, ushtarak e ekonomik të Rusisë pansllaviste faktike përball kërkesave të SHBA-ve, të proklamuara si demokratike. /Publikuar për herë të parë më 2009/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Po ndodh eksodi nga “X”-i drejt “Bluesky”-t: Ka përfunduar epoka e platformave masive të mediave sociale!
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme