LAJMI I FUNDIT:

Veshjet popullore thesar i trashëgimisë kulturore

Veshjet popullore thesar i trashëgimisë kulturore

Duart e hallës Hasime, grua rreth moshës 67-vjeçare nga rrethi i Pejës kanë thurur dhjetëra veshje popullore.

Ndonëse puna në tezgjah është e lodhshme, për Hasime Hoxhën, kjo është kënaqësi, pasi këtë punë ka gati 50 vite që e bën.

Ajo një një prononcim për KosovaLive, ka treguar se si në moshë të re kishte filluar që të merret me këtë punë dhe se këtë e kishte trashëguar nga gjyshja e saj, Fiza.

“Kam filluar të punojë në vek që kur i kam pas 17 vjet, ndoshta edhe më e re. Gjyshja ime ka punuar shumë punë dore. Na mësonte edhe neve të punonim. Tash ka 50 vite që po punojë punë dore. Më parë kam punuar më shumë, por tani pak po i përdorin veshjet, vetëm nuset po i marrin, edhe ato shumë pak”, ka thënë Hasimja.


Sipas saj, edhe pse kjo punë është mjaft e vështirë dhe donë shumë angazhim, për të nuk është e tillë, pasi e bën me qejf dhe ka shumë vite që merret me këtë.

Çështja e ruajtjes së veshjeve popullore, përkatësisht të veshjeve të traditës është problematikë më vete.

Etnologia Drita Halimi-Statovci ka thënë për KosovaLive se ruajtja e veshjes popullore i përshtatet mirë jetës moderne dhe gjen mënyrë mbijetese edhe para dallgëve të globalizimit dhe modernitetit.

“Shikuar në aspektin shkencor nuk mund të pajtohemi se ruhet totaliteti autentik, origjinal i ndonjë veshjeje, madje shfaqet e parealizueshme diçka e tillë. Megjithatë edhe sot pretendohet që kemi veshje popullore, përkatësisht kombëtare shqiptare, siç pëlqejnë ta quajnë bartësit dhe popullata e sotme. Brezat e rinj veshjen popullore e shohin si pjesë të identitetit kombëtar, e shohin si atraksion, por e shohin edhe si trendy, si in – pra si të kohës, të modës”, ka thënë ajo.

Sipas Halimi-Statovcit, veshja popullore sot pëlqehet dhe preferohet të mbahet në performanca e në manifestime të ndryshme kulturore, qoftë kjo nga ansamblet e shoqatat e ndryshme kulturore, etnofolklorike, ose thjesht nga individët e interesuar.

Veshja popullore mbahet në dasma familjare, në manifestimet promovuese publike ose private, në manifestimet turistike e në raste të tjera.

Por, sipas etnologes Halimi-Statovci, kjo dukuri dhe ky realitet mund të quhet si një jetë e dytë e veshjeve popullore dhe si dukuri e pëlqyeshme e modernitetit të sotëm, ose mënyrë karakteristike e ruajrjes së traditës popullore në fushën e veshjeve.

“Mbajtja aktive e veshjeve popullore sot është fare e vogël, madje nga individë me moshë të thyer e të pleqërisë. Duhet theksuar se femrat shfaqen ruajtëse më të mira e më të denja të traditës së veshjes popullore. Deri sa meshkujt gati se nuk mbajnë komplet veshjen popullore, por vetëm donë petk kostumor e veçmas plisin e bardhë. Femrat mbajnë komplet veshjen popullore, edhe pse, të shprehem kushtimisht, të moderuar”, ka theksuar ajo.

Sipas Halimi-Statovcit, si krahinë etnografike dallon Hasi dhe më pastaj individë në krahina të ndryshme etnogjeografike.

Veshjet popullore përgjithësisht paraqiten me lashtësi të ndryshme. Veshjet popullore shqiptare janë të lidhura ngushtë me historinë dhe me zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit e të popullit të vetë, të shqiptarëve pra.

Etnologia Halimi-Statovci, si veshje të lashta konsideron xhubleta e grave, që na vije me lashtësi që nga koha e bronzit, ose fustanella e burrave, që na lidhet me lashtësinë ilire.

Shkenca antropologjike i konsideron të lashta këmishat e gjata e të shkurtëra, për burra e për gra , që lashtërisht në kulturën ilire njihet me emrin dalmatika ilire, ose pjesët kostumore që zbukurohen me thekë e me tufa, siç është rasti me përparjet e grave e të tjera.

Deri me sot etnologjia shqiptare ka njohur e ka studiuar rreth 140 forma të ndryshme të veshjeve popullore shqiptare, brenda të cilave dallon pesë tipe veshjesh për femra dhe pesë tipe veshjes për meshkuj dhe më tutje dallon e veçon shumë variante. Këtu përfshihen edhe veshjet e Kosovës.

Etnologia Halimi-Statovci tregon edhe për bukurinë e veshjeve popullore.

Sipas saj, nga veshjet e femrave fjala vjen, e bukur është veshja e Rrafashit të Dukagjinit, me plot elemente epike; bukuri tjetër ka veshja e Drenicës , ose ajo e Hasit të Thatë që ka plot lirizëm në vete; i bukur dhe gracioz është rregullimi i kokës në krahinën e Rugovës, te meshkujt ose te femrat, e po aq i bukur dhe atraktiv është rregullimi i kokës në krahinën e Hasit. Po të lëvizim pak përtej Kosovës, duhet përmendur mbështjellakët me thekë të Anamedvegjës, ata të Malit të Thatë të Tetovës, aksesorët e Malësisë së Tetovës, të Hasit, këmishat e veshjes së fushës së Muzeqesë, veshjen arbërore, fushtanellën atraktive e të tjera.

Etnologia Halimi-Statovci thotë se punëdorja sot po pëlqehet gjithnjë e më tepër, por se përdoret në mënyra që ndryshojnë nga ato të traditës.

“Nëse pëlhura e pambukët, ose e mëndafshit e endur në vek dhe në ekonominë shtëpiake, dikur përdorej për të prerë e qepur këmishët e veshjes popullore fjala vjen, sot kjo pëlhurë përdoret për enterier të shtëpisë, ose për këmisha moderne, por kryesisht nga moshat e reja, duke i konsideruar e vlerësuar si trendy, por edhe si një copëz identiteti kulturor. Madje disejneret e reja ka ndodhë që plisin e bardhë të veshjes së burrave ta shndërrojnë në kapelë simpatike dhe moderne për femra. Një shokë e veshjes popullore, e grave ose e burrave, sot pëlqehet si kombinim në fustanat e femrave, ndërsa në veshjen moderne të burrave shoka vendoset si një aksesor modern dhe si kujtim ndaj traditës. Mendoj se këto janë indikacione të mira që disajnerët tanë ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë mundësi dhe trashëgiminë tonë kulturore të kësaj sfere ta bëjnë sa më të njohur dhe sa më dobiprurëse”, ka thënë ajo për KosovaLive.