5 dhuratat më të shtrenjta që burrat u kanë bërë grave dhe historitë dramatike që fshihen pas tyre

Historia e dashurisë nuk është shkruar vetëm me poezi, premtime dhe gjeste të buta, por edhe me dhurata marramendëse, që kanë ndryshuar fatin e perandorive, kanë pasqyruar ego, pasion, dëshpërim dhe, shpesh, tragjedi
Ndonjëherë meshkujt kanë dashur të thonë “të dua” me diamante që peshojnë sa një vezë, me vila që këmbehen për perla, me piktura që thyejnë rekorde botërore apo me monumente që sfidojnë shekujt. Por historia na tregon se madje edhe dhuratat më të kushtueshme nuk kanë qenë garanci lumturie.
“Kur një burrë e do një grua, ai e dëgjon jo vetëm me veshë, por me zemër,” ka shkruar Paulo Coelho. Dhe me të vërtetë, burrat kanë qenë gjithmonë gati për gjeste madhështore për të shprehur dashurinë e tyre, edhe kur pas atyre dhuratave fshiheshin fate të thyera, mallkime dhe funde të hidhura.
Koh-i-Noor: Diamanti i mallkuar që ndryshoi fatin e perandorive
Koh-i-Noor është një nga diamantet më të mëdhenj të prerë në botë, dhe emri i tij në persisht do të thotë “Mali i dritës”. Aktualisht ndodhet në kurorën e Mbretëreshës Elizabeth.

Në vitin 1849, maharaxha Duleep Singh, vetëm dhjetë vjeç, sundimtari i fundit i Perandorisë Sikh, u detyrua t’ia dorëzonte diamantin oficerit britanik, i cili e mori si plaçkë lufte. Me udhëtimin e gurit drejt Britanisë, përfundoi edhe mijëvjeçari i historisë së tij si diamanti më i famshëm në botë.
Koh-i-Noor peshonte 186 karatë dhe konsiderohej diamanti më i madh i njohur. Sipas legjendës, u gjet në minierat e Golkonda-s në shekullin XIII dhe që atëherë kaloi nga dorë në dorë, prej një pushtuesi te tjetri. Thuhej se çdo pronar i tij ose e humbiste fronin, ose vdiste në mënyrë të dhunshme.
Kur diamanti mbërriti në Londër, Mbretëresha Victoria u zhgënjye nga shkëlqimi i tij i zbehur. Princi Albert vendosi ta ribruante. Mjeshtrat holandezë punuan 38 ditë, duke e zvogëluar në 105 karatë, por duke i dhënë një shkëlqim mahnitës.
Procesi kushtoi 8.000 paund, një pasuri e tërë në atë kohë. Sot, ekspertët e vlerësojnë diamantin në qindra miliarda dollarë, por vlera e tij e vërtetë qëndron në gjakun dhe lotët e derdhura për ta marrë, transmeton Telegrafi.

Dashuria më e fortë se vdekja: Taj Mahal si monument i pikëllimit të përjetshëm
Në vitin 1631, Mumtaz Mahal vdes në pallatin Mogul pasi solli në jetë fëmijën e saj të katërmbëdhjetë, të perandorit Shah Jahan. Para vdekjes, ajo i kërkoi t’i ndërtonte një varr që do të ishte “një lot në faqen e kohës”.
I thyer nga dhimbja, Shah Jahan mori një vendim që do të shkatërronte perandorinë, por do ta bënte emrin e tij të pavdekshëm: ndërtimin e Taj Mahal-it.
Ndërtimi zgjati 22 vjet. Mbi 20.000 mjeshtër nga India, Persia, Turqia dhe Azia Qendrore punuan në këtë kryevepër. Mermeri i bardhë u soll me elefantë për 300 km, ndërsa gurët e çmuar u sollën nga e gjithë bota e njohur.
Shah Jahan vetë mbikëqyrte çdo detaj. Mermeri duhej të ndryshonte ngjyrë sipas dritës: rozë në agim, i bardhë i ndritshëm ditën, dhe i artë në perëndim. Muret e brendshme ishin të stolisura me intarzira prej jaspisi, agati dhe karneoli, me ajete të gdhendura nga Kurani.
Sipas legjendës, ai urdhëroi që arkitektit kryesor, Ustad Ahmad Lahauri, t’i priteshin duart ose të verbohej, që të mos ndërtonte kurrë një mrekulli tjetër. Versioni tjetër thotë se ai ekzekutoi të gjithë mjeshtrit.
Kostoja e Taj Mahal-it llogaritet rreth 1 miliard dollarë në vlerën e sotme. Perandoria Mogule nuk u rimëkëmb kurrë, por Shah Jahan arriti qëllimin: krijoi simbolin e përjetshëm të dashurisë.

Koleksionisti i perandorive: Pasioni i Roman Abramovich për artin
Londër, 2008. Në ankandin e Sotheby’s zhvillohet një duel i vërtetë për “Triptych” të Francis Bacon. Çmimi kalon 80 milionë dollarë, dhe në fund piktura i shitet miliarderit rus Roman Abramovich për 86 milionë dollarë. Ai nuk ishte i pranishëm fizikisht, por kishte dhënë urdhër të qartë: piktura duhej blerë me çdo kusht – ishte dhurata e ditëlindjes për gruan e tij, Daria Abramovich.
Ai i bleu Darisë një koleksion mahnitës, që habiti edhe tregtarët më të stërvitur të artit:
- Skulptura e Alberto Giacometti, “L’Homme qui marche” – 104.3 milionë dollarë
- Portreti i Lucian Freud – 33 milionë dollarë
- 40 piktura të Ilya Kabakov – 60 milionë dollarë

Skulptura e Giacometti ishte vepra më e shtrenjtë e koleksionit – një blerje rekord, e cila e la Bacon-in pas në çmim.
Daria, historiane arti, u mahnit nga këto gjeste të jashtëzakonshme, por lumturia martesore zgjati pak: pas divorcit, koleksioni i dashurisë u kthye në objekt gjyqi.
- YouTube www.youtube.com
Tregtia e luksit: Vila për një varg perlash në epokën e etheve të floririt
Nju Jork, 1917. Morton Plant, trashëgimtar i perandorisë së hekurudhave, shikon nga dritarja vilën e tij në Fifth Avenue dhe përballë – vitrinën e Cartier.
Gruaja e tij, Maisie, ishte e magjepsur pas një vargu me 128 perla perfekte. Pjer Cartier nuk pranoi ta shiste për para – donte vilën.
Marrëveshja dukej absurde: vila kushtonte 900.000 dollarë, vargu i perlave 1 milion. Plant pranoi. Dashuria fitoi ndaj logjikës.
Por vetëm pak vite më vonë, Mikimoto Kōkichi shpiku metodën e perlave të kultivuara. Tregu i perlave natyrale ra. Pas vdekjes së Maisie, vargu u shit për vetëm 150.000 dollarë.
Sot, vila e Plant është selia kryesore e Cartier në New York dhe vlen mbi 200 milionë dollarë.

Mallkimi i diamanteve: Romancat që përfunduan tragjikisht
Në Kolorado, emigranti irlandez Thomas Walsh u pasurua nga ari dhe vendosi t’i bënte vajzës së tij Evalyn një dasmë madhështore. Në 1908 bleu diamantin Star of the East nga Cartier për 120.000 dollarë.
Dhëndri i saj, Edward McLean, nuk pranoi të mbetej prapa: në 1911 bleu Hope Diamond për 300.000 dollarë.
Ky gur kishte famë të keqe: thuhej se ishte vjedhur nga një idol hindu dhe sillte fat të zi. Louis XVI dhe Marie Antoinette u ekzekutuan pas hyrjes së tij në thesarin mbretëror.
Evalyn nuk besoi në mallkime dhe e mbante në të gjitha eventet. Por jeta e saj u shkatërrua: djali vdiq në aksident, vajza nga mbidoza, burri u bë alkoolist dhe vdiq në spital psikiatrik.
Pas vdekjes së saj, Harry Winston i bleu gurët dhe në 1958 i dhuroi Smithsonian-it. Sot Hope Diamond vlen rreth 250 milionë dollarë.
Historia e këtyre dhuratave na kujton se gjestet më të shtrenjta të dashurisë shpesh përfundojnë në tragjedi. Burrat u dhanë grave perandori, por dhuratat nuk sollën lumturi. Ajo që mbeti ishin legjendat e dashurisë së madhe dhe humbjes së madhe - monumente të aftësisë njerëzore për të sakrifikuar gjithçka për ata që duam. /Telegrafi/


















































