Një i ri nga Kosova ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në Austri.

Aksidenti ka ndodhur të shtunën në mëngjes, ku një 19-vjeçar me origjinë nga Kosova është përplasur me një kamion, duke mbetur i bllokuar në veturën e tij, raporton mediumi austriak Kronen Zeitung.


Ekipet e shpëtimit kanë ndërhyrë për ta nxjerrë viktimën nga automjeti, ndërsa më pas ai u është dorëzuar mjekëve në vendin e ngjarjes.

“E nxorëm atë duke përdorur teknikat e shpëtimit në raste aksidentesh dhe ua dorëzuam mjekëve të ndihmës së parë”, kanë deklaruar nga shërbimi i zjarrfikësve.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore dhe një mjeku që ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes, nuk është arritur të shpëtohet jeta e të riut.

Sipas mediave, për shkak të natyrës së rëndë të aksidentit është angazhuar edhe një ekip për ndërhyrje në situata krize.

Ndërkohë, shoferi i kamionit ka shpëtuar pa lëndime të rënda. /Telegrafi/