12 aerodromet e braktisura të Kosovës

Kosova, me 1.5 milion banorë, ka vetëm një aeroport ndërkombëtar të certifikuar që e lidh me botën: Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.
Pak e dinë se brenda territorit të saj fshihen edhe 12 fusha apo pista ajrore, të regjistruara si kategori e veçantë e aerodromeve në komuna të ndryshme.
Këto hapësira janë ndërtuar kryesisht mbi toka bujqësore dhe shtrihen në komunat: Drenas, Skenderaj, Rahovec, Malishevë, Prizren, Suharekë, Ferizaj, Gjilan, Istog, Podujevë dhe dy në Klinë, shkruan Evropa e Lirë.
Ato nuk janë aeroporte komerciale dhe zakonisht nuk pranojnë fluturime komerciale.
Edhe pse para luftës së viteve 1998/1999 kishin funksion të qartë bujqësor, si spërkatje e tokave, sot gjendja e tyre është krejt ndryshe: disa janë mbuluar nga mbeturinat, disa janë privatizuar, e disa përdoren nga auto-shkollat.
Karakteristikë e përbashkët e tyre është madhësia e pistës - zakonisht 450 metra gjatësi dhe 18 metra gjerësi.
Një dokument i publikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (AAC) në vitin 2015 konfirmon ekzistencën e këtyre fushave, por thekson se ato nuk kanë status formal regjistrimi apo autorizimi për operime ajrore, duke shërbyer vetëm për të pasqyruar gjendjen e tyre infrastrukturore.
Historiku i fushave ajrore
Fusha ajrore është një zonë e caktuar mbi tokë, e cila përdoret plotësisht apo pjesërisht për aterim, nisje dhe lëvizje të mjeteve ajrore.
Në Kosovë, këto fusha apo pista u ndërtuan në vitet ‘70 dhe ‘80 nga ish-ndërmarrja shoqërore “Agro-Kosova” për spërkatjen e tokave bujqësore.
Shtrirja e tyre ishte planifikuar për të mbuluar të gjitha rajonet e vendit.
Megjithatë, gjatë viteve ‘90, kur edhe nisën masat e dhunshme të regjimit të atëhershëm serb, aviacioni i përgjithshëm ndaloi zhvillimin në Kosovë, duke sjellë edhe degradimin gradual të këtyre hapësirave.
Pas përfundimit të luftës, më 1999, administrimi i këtyre hapësirave kaloi fillimisht tek Agjencia e atëhershme Kosovare e Mirëbesimit (AKM), e më pas tek Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Me ligj, AKP-ja është e autorizuar për administrim, shitje dhe transferim të ndërmarrjeve shoqërore.
Por, ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për numrin e fushave ajrore të privatizuara apo mënyrën e trajtimit të tyre.
Kush i menaxhon aerodromet?
Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) është institucioni përgjegjës për certifikimin, aprovimin dhe regjistrimin e aerodromeve për shfrytëzim civil.
Aerodromet kategorizohen si të certifikuara, të aprovuara dhe të regjistruara, në varësi të natyrës së operimeve dhe shkallës së shfrytëzimit.
Arianit Islami, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të AAC-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se përdorimi dhe zhvillimi i këtyre hapësirave nuk është në kompetencë të drejtpërdrejtë të këtij institucioni, por se varet nga pronarët e tyre dhe operatorët potencialë.
“Roli i AAC-së është që, në rast të iniciativave për funksionalizimin e tyre për qëllime aeronautike, të sigurojë që çdo zhvillim dhe operim të jetë në përputhje me kërkesat rregullatore dhe standardet e sigurisë në fuqi”, thotë Islami.
Aktualisht, sipas tij, asnjë nga fushat ajrore të identifikuara nuk ka status të regjistruar, të aprovuar apo të certifikuar, prandaj nuk konsiderohen funksionale për operime ajrore civile.
Megjithatë, thekson se disa prej këtyre hapësirave mund të përdoren për aktivitete ajrore, pas vlerësimit nga inspektorët e institucionit dhe përmbushjes së kërkesave përkatëse rregullatore.
Gjendja e fushave ajrore komunë për komunë
Malishevë
Deri më tani, vetëm aerodromi i Malishevës është shfrytëzuar herë pas here për operime ajrore, pas përmbushjes së kërkesave të përcaktuara nga AAC-ja.
Më 14 qershor 2024, ky institucion regjistroi fushën e parë ajrore që gjendet në fshatin Banjë të kësaj komune.





















































